Rama - aksidenti më i çuditshëm i tranzicionit shqiptar!

Opinione

Rama - aksidenti më i çuditshëm i tranzicionit shqiptar!

Ilir Çumani Nga Ilir Çumani Më 28 maj 2020 Në ora: 17:27
Edi Rama

Tashmë, të gjithë e dinë se Shqipëria që prej 2013 – tës  nuk, drejtohet nga një Qeveri me plotë kuptimin e fjalës demokratike, dhe as nga një Kryeministër i përgjegjshëm, por nga një bandë e pa nginjur grabitqarësh e dhunuesish të pa shpirtë me maskën e pushtetit. Ky vend i kapur nga Mafia dhe i zhytur në krim, drogë dhe korrupsion administrativ, qeveriset tashmë nga  një Sulltan me emrin: Edvin Rama. Së bashku me aradhën e jeniçerëve të pagëzuar me emrin “Rilindje”,  Kryeministri ynë i’a ka mbushur mendjen vetes se ai është Zoti në qiell dhe Zoti në tokë, dhe se ai dhe vetëm ai në këtë vend duhet të drejtoj dhe të mbaj peng jetët tona, jetën e çdo shqiptari…

Edhe të atyre që s’kanë lindur dhe do të lindin nesër… Në delirin dhe çmendurinë e tij, Kryeministri i’a ka mbushur mëndjen vetes se çdo gjë në këtë vend duhet të ketë bekimin dhe vullnetin e tij, sepse çdo gjurmë, çdo gjë nga e shkuara dhe historia jonë e përbashkët në këtë vend duhet të fshihet me një të rënë të lapsit, dhe se gjithçka duhet të nis nga e para me epokën Edviniane…Kështu mendojnë të gjithë diktatorët që drejtojnë popullin e tyre në tirani, sepse përmes  tiranisë, ata mbajnë gjallë me të gjitha mënyrat, me çdo mjet dhe me çdo çmim pushtetin e tyre absolut dhe të pamerituar. A ju kujtohet Edi Rama në sallën e Presidencës kur merrte pjesë në protokollin ceremonisë së dekretimit të Qeverisë së re socialiste, çasti kur Presidenti i kohës Bujar Nishani i dorëzonte dekretin që e shpallte Kryeministër të vendit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013..?! Ende pa i’u tharrë boja dekretit, si një adoleshent fluturak dhe me emocione të papërmbajtura nxiton dhe e publikon atë dekret në profilin e tij social facebook, si për të kënaqur egon e ambicieve për pushtet, ashtu edhe t’i bërë karshillëk jo vetëm kundërshtarëve të tij politik humbës në ato zgjedhje, por gjithë popullit të tij, atyre që e votuan dhe atyre që nuk e votuan…

Konfuci, një prej filozofëve humanist më të shquar të qytetërimit Kinez dhe i mbarë njerëzimit, bën një përkufizim mjaft interesant kur thotë: “….A mundet një njeri i poshtër të shërbej në qeverisje? Jo! Ai shqetësohet për marrjen e një diçkaje dhe menjëherë pasi është vënë në zotërimin e saj, ai shqetësohet për mundësinë e humbjes. Për sa kohë ai shqetësohet për humbjen e saj, nuk do të ndodh asgjë për t’u treguar. Atëherë, ç’farë mund të bëj ai?” Dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Në një nga seancat e para të parlamentit kur Rama fliste me aureolën e Kryeministrit të vendit, nuk hezitoi publikisht dhe botërisht të kërcënoj opozitën parlamentare dhe përmes opozitës, popullin e tij,  kur tha: “…Nuk keni parë gjë akoma…!”. Ky kërcënim, ngjasonte me  një klithmë lebetitëse e një përbindëshi të urritur mbi çdo preh që tashmë do ti dilte para. Nuk është vendi të rendis pas kësaj bëmat e pafundme të Kryeministrit nga pikëpamja e dëmeve dhe plagëve sociale që u ka shkaktuar shtresave më të dobëta dhe me në nevojë të shoqërisë, përmes politikave shtrënguese e respresive, por, nisur nga zhvillimet e fundit, kujtoni pak, si ka vepruar në këto vite të qeverisjes me disa objekte të rëndësishme që kanë qenë pika kyçe referuese  për Tiranën dhe që e identifikonin këtë qytet 100 vjeçar me traditat, kulturën dhe historinë e shkuar të saj… Kujtoni ish – Liqenin Artificial të Tiranës, ku në emër të politikave zhvillimore për kryeqytetin, në bashkëpunim me kryejeniçerin Veliaj, uzurpoi hapësira pafund të gjelbërimit në Parkun Kombëtar, kinse për të ndërtuar lojra dhe pika kreativiteti për fëmijët…(!!!). Ndërkohë, sot  atje gëlojnë pafund biznese dhe betoni ka bërë kërdinë mbi mushkrinë më të madhe të Tiranës…!

Kujtoni ish Stadiumin “Qemal Stafa”, një vepër e rëndësishme sportive e arkitekturës italiane e fillim  shekullit të ’20 – të,  e cila në vendin ku ndodhej ajo, harmonizohej aq bukur dhe organikisht me kompleksin e godinave të tjera përreth, siç janë Korpusi i Universitetit Shtetëror, Akademia e Arteve dhe Biblioteka e Universitetit, etj. Tashmë, gjithçka është fshirë nga kujtesa që e lidhte atë stadium me të shkuarën dhe historinë e Tiranës, sepse në vend të saj është ngritur një përbindsh me një kullë gjigande ku bëhet biznes dhe qarkullojnë para oligarkësh me bekimin e PPP – ve të pushtetit korruptiv të Sulltanit tonë. Hidhini një sy Sheshit – Gungë me emrin: “Skënderbej”, gjithashtu, edhe ish – Lulishtes kryesore në këtë qendër. Tashmë, asgjë nuk e lidh me traditën dhe historinë e qytetit të Tiranës, përveç një superbiznes prej milionash që Bashkia e Kryejeniçerit të Sulltanit tonë i përfiton prej parkingut gjigand të nëndheshëm. Duket sikur  ajo gungë “moderne” në qendër të Tiranës, e sfidon të gjithë ansamblin e arkitekturës neoklasike të godinave dhe kompleksit të Ministrive përreth. Madje, ajo gungë i bën karshillëk edhe Heroit tonë Kombëtar. Duket sikur thotë: ç’farë bën aty…!?  Ke më shumë se pesë shekuj që qëndron mbi atë kalë, zbrit që andej… Sot, ne kemi Skënderbeun tonë, Edvinin. Ai më solli edhe mua në këtë jetë, dhe ja ku jam, i madh, stoik dhe dominues mbi të gjithë ju! Ne po jetojmë epokën e ndritur të tij, dhe ai e meriton të qëndrojë mbi atë kalë…(!!!)

Nuk e kupton se tashmë t’i përket së shkuarës, ndërkohë që me Skënderbeun dhe Mamicat e “Rilindjes” ne po rilindim të sotmen dhe të ardhmen tonë…!? Hidhini një sy Parkut Rinia, dhe shikoni se ç’farë po ndodh aty…! Është një barbari dhe  përçudnim që ka pësuar peisazhi mahnitës i Parkut të dikurshëm, që tashmë është deformuar dhe zor se tiranasit tradicional dhe autokton, por, edhe banorët e rinj të ardhur në vitet e fundit në kryeqytet do të mund të përshtaten me atë hapësirë – gungash pa fund.  Ato qëndrojnë si çibanët e maisur, mbushur plotë me qelb në mushkritë e sëmura të kryeqytetit tonë! Të gjithë shqiptarët, i madh dhe i vogël,  janë bërë dëshmitarë të një lufte të paprinciptë dhe të pafund nervash mes qeverisë dhe pushtetit korruptiv, përballë komunitetit të madh të artistëve, intelektualëve, medias, Shoqërisë Civile dhe institucioneve ndërkombëtare që mbrojnë të drejtave e Trashëgimisë Kulturore, siç është edhe  Europa Nostra, në lidhje me përpjekjet e shëmbjes së Teatrit Kombëtar përmes procedurave aspak transparente dhe korruptive, me synimin e vetëm,  grabitjen e truallit ku ndodhej ai objekt. Protestat e shumta të tre viteve të fundit, rezistenca e pashembullt qytetare, e kulturuar dhe e admirueshme që populli i Tiranës, artistët dhe Shoqëria Civile i bënë mbrojtjes së këtij institucioni të rëndësishëm të Kulturës tonë Kombëtare përballë arrogancës, makutërisë dhe agresionit të pushtetit policor të Kryeministrit Rama, përfundoi këto ditë me një nga ngjarjet me të zeza të historisë tonë moderne.

Policia e gjeneralit të Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) Sandër Lleshaj, kësaj rezistence të pashoqë, i zuri pusinë në mesnatën e vigjiljes së këtij institucioni me forca të panumërta policore, duke e shembur me rruspa e fadroma këtë pasuri të Trashëgimisë së Kulturës, e vetmja e mbetur në qendër të Tiranës. Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori, është fakti se Kryeministri Rama, nuk u tërhoq nga qëllimi final i shëmbjes së Teatrit Kombëtar, edhe pse vendi ynë sot po përballet me shumë probleme të mëdha dhe të rëndësishme, siç janë pasojat që la  tërmeti i 26 nëntorit, situata aktuale e pandemisë Covid – 19, dhe ajo që është më kryesorja, masat operacionale që kjo qeveri duhet të ndërrmarë për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë… E gjitha kjo, të bën të gjykosh se afera e kësaj historie është me përmasa të pa imagjinueshme,  dhe krimi për shëmbjen e Teatrit Kombëtar nuk është ai rutinor dhe as individual. Ai nuk ka vetëm një emër, atë të Kryeministrit Rama, por është një krim institucional, politik, moral dhe juridik.  Ndaj, edhe përmasat e këtij krimi janë kaq të frikshme dhe kaq të rrezikshme për Demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.  Sot, kemi një Njeri që mban peng jetën e të gjithë vendit, i cili i ka kapur të gjitha pushtetet dhe institucionet në mënyrë antikushtetuese.  Edi Rama do të mbahet mend si Kryeministri më antipopullor dhe më represiv në raport me Lirinë e fjalës, me të drejtat e Njeriut dhe me Demokracinë.

Është individi më destruktiv që ka prodhuar ndonjëherë politika shqiptare. Ai është politikani që në 20 vitet e fundit ka gjeneruar ciklikisht shumë kriza politike dhe sociale, ka  provokuar dhe është tallur si askush tjetër me një popull kaq të pafat e të vuajtur siç janë shqiptarët. Ngase është mjeshtër i manipulimit, arrivist patologjik, akrobat dhe pehlivan i kurimit të imazhit të tij të rremë, si para mediave, ashtu edhe para ndërkombëtarëve, shkelës i besës së dhënë dhe lojacak fjalësh me synim arritjen e qëllimit për të dëmtuar pa asnjë lloj mëshire cilindo që i del para dhe ka mendim ndryshe prej tij. I vetëshpallur si lider me ide dhe vizione, kinse me një staturë perëndimore, në fakt, është një mbetje e kontaminuar bizantine, një despot me kulturë otomane, sundimtar diktator me nuanca të theksuara të tiranisë mbi më të dobëtit dhe më të pambrojturit. “Trim” delikuent në pushtetin që zotëron, dhe frikacak e lëpirës kur ndodhet në situata kritike e krizash, në veçanti kur veten e sheh të rrezikur jashtë “kështjellës” së pushtetit politik. Frikacak edhe më i madh, burrec infantil para atyre që i’a njohin mirë vesin, inferioritetin e dështakut kronik, si në planin personal, ashtu edhe në atë publik. Ata që e mbajnë peng, dinë t’ia tregojnë vendin kur zullimi i çmendurisë së tij që i buron nga deliri dhe dehja e pushtetit e kalon vijën e kuqe.  

Emptaik dhe human...!? Njerëzor...!? Social…!? Socialist....!? Me asnjërën nga këto nuk ka kurrfarë lidhje. Thjesht, ai është Edi Rama, frymori  i vetëkënaqur narcist e ngazëllyes, lozonjari fëminor e plangprishës, ziliqar dhe lakmitar i verbër, shpirtlig, i nginjur, i pabesë, tinëzar dhe dinak, gjenerues i konfliktit politik dhe rrënuesi i paqes sociale që nuk ndalet asnjëherë për të arritur të paarritshmen, atë që “egziston" vetëm në imagjinatën e tij aluçinante. Më thoni, ç’lidhje mund të kenë të gjitha këto me një politikan serioz e burrështetas dinjitar, që, në misionin e tij duhet të udhëhiqet nga parimet humane dhe shembulli i urtësisë, i tolerancës dhe i kompromisit, bazuar në modelin e një shërbestari të përulur para popullit të tij....!? Si përfundim, Kryeministri Edi Rama nuk është gjë tjetër, veçse "aksidenti" më i çuditshëm  politik, nga shumë aksidente të tilla që prodhoi tranzicioni 30 vjeçar shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat