Franc Kafka

Opinione

Franc Kafka

Nga: Xhelal Zejneli Më: 3 qershor 2020 Në ora: 14:29
Xhelal Zejneli

Franc Kafka (Franz Kafka) lindi në 3 korrik 1883 në Pragë, në monarkinë austro-hungareze të atëhershme. Vjen nga një familje çifute e klasës së mesme. Babanë e tij, Herman Kafkën (Hermann Kafka, 1852-1931) biografi amerikan i Kafkës, profesori i gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese StanleyAlanCornogold (1934) e përshkruan si një biznesmen shtatmadh, egoist dhe kryelartë. Ishte pronar i një tregtize luksoze për gardërobë meshkujsh dhe femrash. Ishte tip i njeriut tiran. Nëna e Kafkës quhej Julia (Julie Kafka, 1856-1934). Për dallim nga babai, nëna e Kafkës ishte një grua e urtë dhe e turpshme.

Studiuesit çekë parapëlqejnë të thonë se gjuhë amtare e Kafkës (Frantishek-ut) ka qenë çekishtja. Në shtëpinë e Kafkës flitej mbase varianti i gjermanishtes, nën ndikimin e jidishit (jüdisch) që në mënyrë pezhorative quhet Mauscheldeutsch.Duke qenë se gjuha gjermane konsiderohej mjet kryesor i ngritjes shoqërore, prindërit mbase i nxitën fëmijët që të flisnin në gjermanishten letrare. Pra, gjuhë amtare e Kafkës ishte gjermanishtja. E fliste edhe çekishten. E mësoi edhe frëngjishten.

Për studiuesit çekë, Kafka është shkrimtar çek. Për studiues të tjerë ai është shkrimtar gjerman ngase veprat i shkroi në gjermanisht. Ka të tillë që e marrin për  shkrimtar austriak ngase lindi dhe jetoi në Çekinë që ishte pjesë e monarkisë austro-hungareze.

Në të vërtetë Kafka është hebre me rrënjë ashkenazi, i lindur në Pragë, e që shkroi kryesisht në gjuhën gjermane.

Prindërit kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Kafka ishte më i madhi prej tyre. Dy vëllezërit vdiqën sa qenë të vegjël, për të mos thënë foshnja: Georgu 15 muajsh, ndërsa Hajnrih (Heinrich) 6 muajsh. Motrat quheshin Gabriele, e mbiquajtur Eli (1889-1941), Valerie, e mbiquajtur Vali (1890-1942) dhe Otilie, e mbiquajtur Otla (1892-1943).

Meqë prindërit ishin të dhënë pas punëve të veta, fëmijët u edukuan prej guvernantëve (mësues shtëpi) dhe shërbëtorëve. Për shkak të mungesës së prindërve, Kafka shpeshherë ndjehej i vetmuar.

Që në fëmijëri, Kafka s’e çonte mirë me babanë. Raporti problematik i tij me të atin dëshmohet nga letra dedikuar atij “Brief an denVater” që ka mbi 100 faqe. Aty shkruan sesi qëndrimi autoritar i babait dhe personaliteti dominues i tij është manifestuar, si në jetën e Kafkës ashtu edhe në shkrimet e tij. 

Holokausti dhe tragjedia familjare - Motrat e Kafkës, Valeria dhe Gabriela, bashkë me familjet e tyre vdiqën ose u vranë nga nazistët në geton Lodz. Motra më e vogël, Otilia vdiq më 7 tetor 1943 në dhomën e gazit në Aushvic (Auschwitz). Përpos tri motrave të Kafkës, në kampin nazist Ravensbrück të Gjermanisë, më 17 maj 1944 humbi pa gjurmë edhe e dashura e tij MilenaJesenska. Në Aushvic të Polonisë, më 26 gusht 1944 u zhduk edhe JulieVoricek me të cilën, sipas disa biografëve, Kafka ka qenë i fejuar. Në vitin 1944 u zhduk në Aushvic edhe Margaret (Grete) Bloh me të cilën Kafka paskësh pasur një djalë.

Arsimimi - Në vitet 1889-1893 Kafka ndoqi shkollën fillore gjermane për djelmosha në Pragë (DeutscheKnabenschule). Ndjekjen e kësaj shkolle ia imponoi babai.

Arsimimi hebraik i tij përfundoi me bar micvin e tij në moshën 13-vjeçare. Kafka nuk kishte dëshirë të shkonte në sinagogë. Aty shkonte me të atin vetëm gjatë festave, d.m.th. katër herë në vit.

Në vitin 1893 u regjistrua në gjimnazin klasik gjerman AltstädterDeutschesGymnasium. Shkollimi në këtë gjimnaz rigoroz zgjaste tetë vjet. Në vitin 1901 Kafka kreu maturën. Njëherazi e mësoi mirë edhe gjuhën çeke.

Shkollimin e vazhdoi duke u regjistruar në degën e kimisë në Universitetin “Karl-Ferdinads” të Pragës. Pas dy javësh, studimet për kimi i ndërpreu dhe iu rrek drejtësisë. Kafka s’e parapëlqente gjithaq as drejtësinë, por i ati ishte i kënaqur me këtë përcaktim të ri. Në të njëjtën kohë Kafka ndiqte me përkushtim edhe ligjëratat nga historia e artit dhe nga letërsia gjermane. U bë anëtar i Klubit për lexim dhe mësim të studentëve gjermanë(Lese und RedehallederDeutschen Studenten). Në klub organizoheshin ngjarje letrare të ndryshme. Aty u njoh me shumë intelektualë të kohës: me gazetarinë i cili studionte filozofinë, FeliksVelç (FelixWeltsch), me artistin JixakLou (YitzchakLowy), i cili vinte nga një familje hasidiste e Varshavës, me shkrimtarët Oskar Baum dhe me romancierin e poetin e mëvonshëm austriak-Bohemi, FrancVerfel (FranzWerfel, 1890-1945).

Kafka e mbante në vete urrejtjen ndaj institucioneve autoritative dhe programeve mësimore që dehumanizonin individin. Kur ishte adoleshent deklaroi se është socialist dhe ateist. Ishte lexues i pasionuar. Duke qenë nxënës dhe student i dalluar, mësuesit dhe profesorët e donin. Lexoi në origjinal, në greqishten e vjetër, dialogun “Protagora” të filozofit antik grek Platonit(427-347 para K.), ndërsa veprat e romancierit francez GystavFlober(GustavFlaubert, 1821-1880) i lexoi në frëngjisht. Adhuronte romancierin dhe novelistin rus FjodorMihajloviç Dostojevski (FedorMihajloviçDostoevskij, 1821-1881), dramaturgun dhe tregimtarin austriak FrancGrilparcer (FranzGrillparzer, 1791-1872) dhe dramaturgun e tregimtarin gjerman HajnrihfonKlajst(HenrichvonKleist, 1777-1811) të cilin e kishte model letrar. Tregonte interesim edhe për veprat e JohanVolfrangGëtes (JohannWolfgangGoethe, 1749-1832). I lexonte edhe shkrimtarët çekë. Lexonte mjaft edhe për prejardhjen e vet hebraike por edhe për çështjen çifute.

Më 8 korrik 1906 Kafka mori titullin e doktorit të shkencave juridike.

Shënim:Protagora(rreth 481-411 para K.) është filozof antik grek, sofist (mësues i virtyteve).

Para mbarimit të vitit të parë, Kafka u njoh me çifutin çek MaksBrod (MaxBrod, 1884-1968) i cili përkiste enklavës kulturore hebraike-gjermane të Pragës që ishte themeluar në vitin 1900. Si i ri, Brodi ishte nën ndikimin e nihilizmittëfilozofit dhe eseistit gjerman ArturShopenhauer(ArthurSchopenhauer, 1788-1860). Në moshë të pjekur përqafoi sionizmindhe mori pjesë vepruese në krijimin e shtetit hebraik. Ai e kishte hetuar se Kafka është njeri tejet i zgjuar. Pas këtij të riu të përmbajtur fshihej njeriu mendjemprehtë. Miqësia midis Kafkës dhe Brodit u bë e përjetshme. Poezitë, tregimet, dramat dhe esetë e veta Brodi i shkroi në gjuhën gjermane. Vdiq në Tel Aviv.

Punësimi - Në vitin 1907 Kafka punoi pa pagesë si praktikant në gjykatën civile dhe penale. Më 1 nëntor 1907 u punësua në kompaninë italiane të sigurimeve “AssicurazioniGenerali”. Punonte prej orës 8.00 derë në orën 18.00. Pas një viti e la punën ngase orari i punës nuk i përgjigjej. Nga letrat e tij shihet se ka qenë i pakënaqur me punën për shkak të gjatësisë së orarit të punës. Për shkak të orarit të gjatë nuk i mbetej kohë që t’u përkushtohej shkrimeve. Në këtë periudhë mund të shkruante vetëm natën, gjë që e lodhte për së tepërmi. Më 15 korrik 1908 dha dorëheqje. Pas dy javësh u punësua në Institutin për Sigurimin e Punëtorëve nga Lëndimet të Mbretërisë së Çekisë. Këtu punonte në kërkimin dhe vlerësimin e kompensimeve të punëtorëve të lënduar të industrisë. Profesori austriak i menaxhmentitPeterFerdinandDrucker (1909-2005) e kreditoi Kafkën si krijues të helmetës së parë civile për mbrojtje. (Kjo e dhënë nuk është dokumentuar). Kafka shumë shpejt përparoi në punë. Tani punonte në procedimin dhe në hulumtimin e kërkesave për kompensim, hartonte raporte dhe merrej me zgjidhjen e apeleve të biznesmenëve të ndryshëm të cilët ankoheshin se kompanitë e tyre janë vënë në kategorinë e rrezikut të madh për shkak të rritjes së premive të sigurimit. Gjatë punës disavjeçare në kompani hartonte edhe raportin vjetor të sigurimit. Orari i punës i përfundonte në orën 14.00. I mbetej kohë edhe për të shkruar, punë së cilës i ishte përkushtuar. Më vonë, sëmundja e pengonte për të shkuar në punë, por edhe për të shkruar.

Pas shumë vitesh, MaksBrodi, për ta bashkuar grupin e shkrimtarëve ku bënin pjesë Kafka, FeliksVelç (FelixWeltsch, Pragë, 1884 - Jerusalem, 1964) dhe vetë ai, krijoi termin Der enge PragerKreis (Qerthulli i ngushtë i Pragës). Që të tre të këtij grupi ishin çifutë. FeliksVelç më vonë u bë filozof, autor, publicist, gazetar.

Nga fundi i vitit 1911, Kafka dhe KarlHerman, burri i së motrës Eli, bëhen partnerë në të parën fabrikë të asbestit në Pragë, të njohur si PragerAsbestwerkeHermann&Co, të çelur me paratë që ia kishte dhënë së bijës Herman Kafka. Në fillim Kafka ishte entuziast, por më vonë nuk e pa me sy të mirë uzinën ngase nuk i mbetej kohë për të shkruar.

Judaizmi dhe sionizmi - Përkundër maturisë së Brodit, në këtë periudhë Kafka tregoi interesim për teatrin hebraik. Në tetor të vitit 1911 mori pjesë në shfaqjen e teatrit. Në gjashtë muajt e ardhshëm u mor në mënyrë intensive me jidishindheme letërsinë hebraike. Lidhja e tij me hebraizminsa vente rritej. Në këtë periudhë u bë edhe vegjetarian.

Shënim: Jidish(jüdisch) është përzierje e gjuhës gjermane të epërme me elementetgjuhësore të gjuhës semite, romane dhe sllave. Kjo gjuhë shkruhet hebraisht dhe flitet në disa shtete. Ekziston edhe letërsi në këtë gjuhë.  

Kafka ishte çifut i cili fliste gjermanisht në qytetin e Pragës ku mbizotëronte gjuha çeke. Ishte i fascinuar me çifutët e Evropës Lindore. Thoshte se ata bëjnë një jetë shpirtërore dinamike që u mungon çifutëve në Perëndim. Ditari i tij është përplot referenca për shkrimtarët çifutë. Megjithëkëtë, shpesh ka qenë i shkëputur, si nga çifutët ashtu edhe nga judaizmi. Kafka kishte një konflikt intern me hebraizmin e vet. Në ditarët e tij shkruan: “Ç’kam unë të përbashkët me hebrenjtë? Mezi kam diçka të përbashkët vetveten. S’më duhet tjetër, pos të ri në një skutë, i lumtur që mund të marr frymë”. Si vogël, në sinagogë shkonte me babanë katër herë në vit.

XhejmsHejvs(JamesHawes)thotë: “Kafka, edhe sikur të ketë qenë  shumë i vetëdijshëm për çifutizmin e vet, këto elemente nuk i ka inkorporuar në veprat e veta. Nuk kemi personazhe, skena dhe tema çifutësh”. Kritiku letrar amerikan HeroldBlum(HaroldBloom, 1930-2019) thotë: “Kafka, edhe pse çifutizmin e vet e kishte të huaj, në thelb ishte shkrimtar çifut”. LotarKan(LotharKahn, 1922) është po aq i qartë: “Prania e çifutizmit në veprën e Kafkës tani është e padyshimtë”. Linguisti çeko-gjerman, përkthyes i parë i veprave të Kafkës, PavelAjsner(PavelEisner, 1889-1958) “Procesin” e interpreton si personifikim “të dimensionit të trefishtë të jetës së çifutëve në Pragë. Protagonisti i tij Jozef K. burgoset (simbolikisht) nga gjermani (Rabensteiner), nga çeku (Kullich) dhe nga çifuti (Kaminer). Ai është fajtori që s’ka bërë kurrfarë faji, e kjo e përshkon çifutin e botën bashkëkohore, ndonëse nuk ka prova se edhe vetë ai është çifut”.

Shkrimtari dhe kritiku letrar izraelit Dan Miron (1934)në esenë e vet “Pikëllim në Palestinë?!” hulumton qëndrimin e Kafkës ndaj sionizmit: “Si ata që thonë se midis Kafkës dhe sionizmit ekziston një lidhje dhe se sionizmi ka luajtur rol qendror në jetën dhe veprën e tij, ashtu edhe këta që e mohojnë tërësisht një lidhje të tillë, e kanë gabim. E vërteta ndodhet diku në mes të këtyre dy poleve”. Kafka kishte ndërmend, së pari me FeliseBauerin, e pastaj me Dora Diamantin, të shpërngulet në Palestinë. Kur ishte në Berlin, mësoi hebraishten, duke e angazhuar mikun e Brodit nga Palestina, Pua Bat-Tovim. Në Fakultetin e Studimeve Hebraike në Berlin ndiqte ligjëratat e rabinit JuliusGutman(JuliusGuttmann, 1880-1950).   

Studiuesja çifute-çeke LiviaRotkirhen(LiviaRothkirchen, 1922-2013) e quan Kafkën “figurë simbolike të kohës së vet”. Bashkëkohës të tij ishin shumë shkrimtarë çifutë (gjermanë, çekë dhe çifutë etnikë) të cilët ishin të ndjeshëm ndaj kulturës gjermane, austriake, çeke dhe çifute. Sipas Rotkirhenit, “kjo situatë u ka dhënë veprave të tyre një pamje kozmopolite të gjerë si dhe cilësinë e ekzaltimit që kufizohet me kontemplacionin metafizik transcendental. Shembull më i mirë është Franc Kafka”.

Në vitin 1915 Kafka mori thirrje për shërbim ushtarak për të marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore. Ndërhynë punëdhënësit e tij me arsyetimin se puna e tij kishte rëndësi thelbësore për shtetin. Më vonë vetë Kafka tentoi të shkonte ushtar por kjo nuk u realizua për shkak të problemeve shëndetësore që ndërlidheshin me tuberkulozin.          

Në kohën e lirë Kafka filloi të shkruajë tregime të shkurtra. Ankohej se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përkushtuar asaj që e konsideronte vokacion të tij të vërtetë. Një pjesë të madhe të kohës detyrohej ta kalonte në Brotberuf-in e vet (në punën nga e cila e siguronte bukën). Meqë s’kishte kohë të lirë, parapëlqente komunikimin nëpërmjet letrave. La pas vetes qindra letra midis të cilave edhe ato që ia shkroi babait, të fejuarës FeliseBauer dhe motrës së vogël Otla.   

Jeta personale - Kafka ishte i disiplinuar. Në intervalin kohor 8.30 - 14.30 punonte në vendin e punës. Në orën 15.30 drekonte. Deri në orën 19.30 bënte gjumë. Pas kësaj bënte ushtrime trupore dhe  darkonte me prindërit, derisa ishin bashkë. rreth orës 23.00 fillonte të shkruajë. Shkruante deri në orën një, dy ose tre. Ndonjëherë edhe deri në orën gjashtë të mëngjesit.

Kafka kishte frikë se mos njerëzit, në aspektin fizik dhe psikik, do ta konsiderojnë  jotërheqës. Por, ata që e kanë  njohur kanë parë se ai është njeri i matur, me inteligjencë të theksuar e që ka kuptim për humor. E konsideronin të pashëm, por me pamje të ashpër. Brodi e krahasonte me HajnrihfonKlajstin, duke shtuar se që të dy shkrimtarët kanë aftësinë e përshkrimit të qartë dhe realist të situatës, deri në hollësi. Brodi dëshmon se Kafka kënaqej duke bërë mahi dhe duke u argëtuar me miqtë, duke u dhënë në rastet problematike edhe këshilla të mira. Kafka ishte recitues i pasionuar. Veti më të rëndësishme të Kafkës ishin të qenët absolutisht i drejtë dhe të qenët i ndërgjegjshëm me përpikëri. Ndonëse kurrë nuk u martua, institucionin e martesës e çmonte. Kur ishte fëmijë nuk merrej me ushtrime fizike. Më vonë tregon interesim për lojëra dhe për aktivitet fizik, duke u bërë çiklist i mirë, notues dhe zhytës. Në ditët e fundjavës u propozonte shokëve të dalin të shëtisin. Interesohej për mjekësinë alternative, për sistemin arsimor të ri siç ishte metoda Montesori. Fliste për risitë teknike siç ishin aeroplanët dhe filmi.  Zhurma i pengonte ndaj kur shkruante, donte qetësi.

Shënim: MariaMontesor (MariaMontessor, 1870-1952) i paraqiti arsimit italian një metodë të re arsimimi, të njohur si metoda e Montesorit, në një kohë kur sistemi shkollor në Itali ishte tjetërsuar nga jeta shoqërore bashkëkohore.

Lidhjet intime - Sipas MaksBrodit, Kafkën vazhdimisht e mundonte epshi seksual, shpesh i vizitonte bordelet, tregonte interesim edhe për pornografi. Gjatë jetës ka pasur marrëdhënie intime me shumë femra. Berlini ka luajtur rol të madh në jetën private të Kafkës. Nga Berlini janë edhe FeliseBauer edhe MargaretBloh. Një kohë të shkurtër jetoi në Berlin edhe kur ishte në lidhje me Dora Diamant. Më 13 tetor 1912, në banesën e MaksBrodit në Berlin Kafka njoftohet me FeliseBauer (FeliceBauer, Prudnik, Poloni 1887 - Nju-Jork, 1960)e cila punonte në Berlin si përfaqësuese e një kompanie diskografike. Ishte fise e Brodit. Nga ditari i Kafkës shihet se ai kishte mendim të lartë për të. Lidhja intime e tyre që zgjati deri në vitin 1917 kishte të bënte kryesisht me këmbim letrash. Herë pas here shiheshin dhe dy herë u fejuan. Që të dyja herët, fejesat i prishi Kafka. Fejesën e dytë e prishi në vitin 1917 kur u sëmurë nga tuberkulozi. Letrat e Kafkës dërguar asaj u botuan në formë përmbledhjeje me titullin “Letra Felises” (Briefe an Felice, 1967; përkthimi në anglisht: Letters to Felice). Letrat që ajo ia dërgoi Kafkëshumbën pa gjurmë.

Biografi gjerman i Kafkës RajnerStah(ReinerStach, 1951) dhe biografi britanik i tij, prozatori XhejmsHejvs(JamesHawes, 1960) thonë se rreth vitit 1920 Kafka është fejuar për së treti. Tani me JulieVoricek (JulieWohryzek, 1891-1944), një vajzë e varfër dhe e paarsimuar e cila punonte në mirëmbajtjen e dhomave të hotelit. JulieVoricek u zhduk në Aushvic më 26 gusht 1944.

Stahu dhe Brodi po ashtu thonë se Kafka, derisa ishte në lidhje me Felisen, kishte një aferë me shoqen e saj Margaret (Grete) Bloh (MargaretheBloch, 1892-1944), çifute nga Berlini e cila u zhduk në Aushvic. Brodi pohon se nga lidhja e tyre ka lindur një djalë. Sipas Brodit, për lindjen e fëmijës Kafka s’ka ditur gjë. Fëmija paska lindur në vitin 1914 ose 1915 dhe paska vdekur në Munih në vitin 1921. Biografi i Kafkës, studiues i gjuhës dhe i letërsisë gjermane, Prof. Peter-Andre Alt (1960) pohon se Grete vërtet ka pasur një djalë por jo me Kafkën, sepse këta dy kurrë s’kanë qenë në lidhje intime. Biografi Stah thotë se Kafka nuk ka pasur fëmijë.     

Në tetor të vitit 1917 Kafkës u diagnostifikua nga tuberkulozi. Pas kësaj qëndroi disa muaj në fshatin Zurau ku e motra Otla punonte në fermë me burrin e motrës, Hermanin.  Qëndrimin në fshat Kafka e përshkroi si periudhën më të mirë të jetës së vet. Këtu s’kishte kurrfarë detyrimesh. Shkruante ditarë dhe oktava. Prej këtyre shënimeve Kafka nxori 109 copa të numërtuara teksti në Zettel, copë letre pa ndonjë farë renditjeje. Ato u botuan si përmbledhje me titullin “Përsiatje për mëkatin, shpresën, vuajtjen dhe rrugën e drejtë” (DieZürauerAphorismenoderBetrachtungenüberSünde, Hoffnung, leid und wahrenWeg).

Në vitin 1920 e nisi një lidhje dashurie me gazetaren dhe shkrimtaren çeke MilenaJesenska(1896-1944). Ajo vinte nga një familje aristokrate çeke. Ka biografë që thonë se Milena ka qenë e vetmja femër të cilën e ka dashur Kafka. Midis tyre ka pasur letërkëmbim. Letrat e Kafkës dërguar Milenës u botuan pos mortem me titullin “Letra Milenës” (Briefe an Milena, 1952). Është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore të Kafkës gjatë lidhjes me Milenën në vitet 1920-1923. Të gjithë ditarët e vet Kafka ia la me testament Milenës.    

Shënim: Në vitin 1936 MilenaJesenska u bë anëtare e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Në vitin 1939 u arrestua nga forcat naziste gjermane. Vdiq më 17 maj 1944 në kampin e përqendrimit në Ravensbrück të Gjermanisë. Biografja e saj, gazetarja dhe shkrimtarja AlenaVagner (AlenaWagnerJezhkova, 1966) thotë: “MilenaJesenska ka qenë një personalitet i shquar i jetës kulturore, politike, shoqërore dhe ideologjike të Çekisë. Duke qenë se ka pasur një jetë dinamike, ajomeriton të lirohet nga hija e Kafkës. Kafka s’ka qenë veçse një episod në jetën e saj, s’ka qenë veçse fusnotë e jetës së saj”.

Në korrik të vitit 1923 Kafka shkoi për të pushuar në pushimoren Graal-Müritz të detit Baltik. Atje u njoh me Dora Diamant (1898-1952). Emri i saj figuron edhe si DworjaDiament, Diamont, në hebraisht Dora Dymant. Ishte një edukatore 25-vjeçare që vinte nga një familjeje çifute ortodokse, e lindur në Pabianice të Polonisë. Në Berlin e ndërroi mbiemrin në Diamant.

Për t’iu kushtuar shkrimeve, në vitin 1923 Kafka u shpërngul për pak kohë në Berlin ku jetoi me Dorën. Ajo i zgjoi Kafkës interesimin për Talmudin. Në këtë periudhë Kafka punonte në katër tregime të cilat duhej të botoheshin me titullin “Artisti në uri” (EinHungerkünstler, 1924). Për vitet e fundit të Kafkës dhe për lidhjen midis shkrimtarit 40-vjeçar dhe Dorës 25-vjeçe që zgjati rreth njëvit flet shkrimtari gjerman MihaelKumpfmyler(MichaelKumpfmüller, 1961)në librin e tij “The GloryofLife” (2011). Në vitin 1930 Dora u bë anëtare Partisë Komuniste Gjermane. Vdiq në Londër në moshën 54-vjeçare, 28 pas Kafkës.   

Shënim: Talmud, në hebraisht – mësim. Është një nga librat e shenjtë hebraikë. Përbëhet nga Mishna (shkencë gojore për jetën e përditshme) dhe nga Gemara (komente të mësuara). Përfundimisht është redaktuar në shekullin VI. Është libri më pak i përkthyer nga të gjithë librat e shenjtë hebraikë. Ka qenë halë në sy sidomos të autoriteteve kishtare krishtere. Paraqet bazë e mënyrës së jetesës të bashkësisë hebraike. Në Talmud ndodhen rregullat e mbjelljes, ligjet për festat, për martesën, e drejta private dhe penale, rregullat për higjienën personale etj. Talmudi ka një rëndësi tejet të madhe për studimin e historisë dhe të kulturës së hebrenjve. Stili i Talmudit nuk është unik, por ndryshon prej atij të aforizmave deri në shprehjen e formulave.    

Qëndrimet politike - Studiuesit janë marrë edhe me qëndrimet politike të Kafkës. Kolegu i tij shkollës, çifut çek, më vonë filozof në Izrael, HugoBergman(HugoBergmann, 1883-1975)thotë: “Kafka, për ta manifestuar simpatinë e vet ndaj socializmit, ka mbajtur në shkollë karafil të kuq”. Parase të fillonte Lufta e Parë Botërore Kafka ka marrë pjesë në disa mbledhje të Klubit Mladych, të organizatës anarkiste, antimilitariste dhe antiklerikale çeke. HugoBergmani që ndiqte të  njëjtën shkollë fillore dhe të mesme sikurse Kafka, u nda prej tij në vitin e fundit akademik 1900/1901. Bergman thotë: “Socializmi i Kafkës dhe sionizmi im ishin tepër stridentë. Kafka u bë socialist, ndërsa unë, më 1898 u bëra sionist. Atëherë ende nuk ekzistonte një sintezë e sionizmit dhe e socializmit”. Në një shënim të ditarit Kafka përmend filozofin rus, anarkistin PeterKropotkin(Pyotr A. Kropotkin, 1842-1921) dhe thotë: “Mos e harro Kropotkinin”. Më vonë, për anarkistët çekë thotë: “Të gjithë ata, pa kurrfarë mirënjohje, kanë dashur ta kuptojnë fatin njerëzor. I kuptoj fort mirë, por nuk mund të bëjë për ta diç më shumë se kaq.”

Gjatë periudhës së komunizmit krijimtaria letrare e Kafkës, për vendet socialiste të bllokut lindor ka qenë temë e nxehtë. Disa studiues thoshin se Kafka e ka satirizuar burokracinë e Austro-Hungarisë që ishte në shpërbërje e sipër, ndërkaq studiues të tjerë thoshin se Kafka e ka personifikuar ngritjen e socializmit.

Kafka shkruan: “Njeriu nuk mund të jetojë pa besuar gjithmonë se në vete mban diçka që nuk zhduket kurrë, por edhe ajo që nuk zhduket kurrë dhe besimi në të, mund të jenë gjithmonë të fshehur.”

Sëmundjet - Profesori i psikologjisë në Universitetin Oviedo të Spanjës MarinoPerez-Alvarez thotë: “Është e mundur që Kafka të ketë lënguar nga çrregullimi skizoid i personalitetit. Stili i tij, jo vetëm te “Metamorfoza” por edhe te veprat e tjera, përmban disa karakteristika skizoide të cilat japin sqarime për një pjesë të madhe të befasive në veprat e tij. Vuajtja e tij vërehet në ato që ka shkruar në ditar më 21 qershor 1913”.

 Përpos nga një formë e anoreksisë atipike, studiuesit thonë se gjatë tërë jetës Kafka ka vuajtur edhe nga sëmundje mendore të ndryshme, nga depresioni klinik dhe frika nga shoqëria. Lëngonte edhe nga migrena. Shpesh vuante nga insomnia dhe nga sëmundje të tjera të lidhura ngushtësisht me stresin dhe nervat e ndjeshme.

Edhe pse Kafka ka pasur lidhje me disa femra, autorë të caktuar kanë spekuluar lidhur me seksualitetine tij. Të tjerë kanë thënë se ka pasur çrregullime në të ushqyerit. Psikiatri  gjerman, Prof. Dr.ManfredM.Fihter(ManfredMaximilianFichter, 1944) i Klinikës psikiatrike të Universitetit të Munihut, në punimin e tij “The anorexianervosaofFranz Kafka” (FranzKafka’sanorexianervosa) të botuar në maj të viti 1988 paraqet prova për hipotezën se Kafka ka lënguar nga një formë e “anoreksia nervosa”.

Duke analizuar letrat e Kafkës është konstatuar pasiguria e tij dominuese e përcjellë nga komplekset psikanalitike. Në librin “Notesi i kaltër” vërehet se kemi të bëjmë me njeriun të pushtuar nga një segment spiritual. Historiani amerikan i kulturës dhe i letërsisë, Sander L. Gilman(1944) në librin “Franz Kafka, the JewishPatient” (1995) hulumton përse një çifut të konsiderohet hipohondërose homoseksual. Në ç’mënyrë Kafka format e tilla të karakterizimit të mashkullit çifut i inkorporon në figurën dhe në veprën e vet. Nga fundi i vitit 1912 Kafka ka menduar për suisid (vetëvrasje), të paktën një herë. Në vitet e mëvonshme Kafka u deklarua ateist.  

Kafka shkruan: “Është një botë e tërë që e mbaj në kokë. Si ta çliroj veten dhe ata, pa i shqyer. Një mijë herë më me dëshirë qaj në vete. Prandaj ndodhem këtu, e kam më se të qartë.”

Ditët e fundit të jetës - Në mars të viti 1924, duke qenë se tuberkulozi në laring (fyt) iu përkeqësua, Kafka u detyrua që nga Berlini të kthehet në Pragë. Për të u kujdesën anëtarët e familjes, sidomos motra Otla. Më 10 prill 1924 e dërguan në “Dr. Hoffmann’s Sanatorium” në Kierling të Klosterneuburg afër Vjenës. Pranë tij  ndodhej edhe profesori me prejardhje hungareze, Dr. Robert Klopstock (1899 – Nju-Jork 1972). Vdiq më 3 qershor 1924. Shkak i vdekjes mund të ketë qenë uria, për arsye se nga dhimbja në fyt nuk ka mundur të hajë.  MihaelKumpfmylerit thotë Kafka vdes në prehrin e Dora Diamantit. U varros pas tetë ditëve, në pasditen e 11 qershorit të viti 1924 në Varrezat e reja çifute në lagjen Zhizhkov të Pragës. Në varrim morën pjesë rreth 100 vetë. Midis tyre nëna, babai, motrat me familjet e tyre, Dora Diamant, MaksBrodi, Dr. Robert Klopstocku.

Në pllakën e varrit që ia ngriti i ati, shkruan: “Dr. Franz Kafka, 1883-1924”. Në pllakë  janë gdhendur edhe emrat e motrave - Valerie, Gabriele dhe Otilie të cilat, bashkë me familjet e tyre u zhdukën në kampet naziste. Në të njëjtën pllakë mermeri është skalitur edhe emri i MaksBrodit. Pas shtatë vjetësh vdes babai i Kafkës, ndërsa pas dhjetë vjetësh edhe e ëma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat