Të nderuar diplomatë Perëndimorë në Tiranë: Kush po e humb Shqipërinë?

Opinione

Të nderuar diplomatë Perëndimorë në Tiranë: Kush po e humb Shqipërinë?

Nga: Frank Shkreli Më: 6 qershor 2020 Në ora: 06:35
Frank Shkreli

Grupet e kundërta negociuese shqiptare nuk pranojnë të takojnë njëra -tjetrën në zyrat e shtetit të pavarur shqiptar, por -falë armiqësive të tyre ndër-personale dhe politike – detyrohen të zhvillojnë bisedimet në një truall asnjanës, siç është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Turp më të madh nuk ka! Se çfarë sinjali duhet të jetë ky për vetë klasën politike, për popullin shqiptar dhe për vetë diplomatët që organizuan këto bisedime, vetëm një Zot e di

Kjo nuk është kritika ime e parë dhe shpresoj të mos jetë as e fundit ndaj të bëmave dhe të pa bëmave tuaja sot, dhe të paraardhësve tuaj diplomatë të vendeve demokratike në Tiranë, gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në Shqipëri.

Nuk e bëj këtë me ndonjë qëllim të keq, por e bëj këtë, sepse jam njeri i lirë në Amerikën time të dashur, i cili ia do të mirën dhe të njëjtën liri dhe begati edhe Shqipërisë, atdheut të paraardhësve të mi. Po shikoja ditët e fundit diplomacinë “ecejake” tuajën (shuttle diplomacy) në Tiranë, siç quhej dikur, me grupe të ndryshme të kësaj klase politike shqiptare për arritjen një marrëveshjeje të Reformës Zgjedhore. Nuk mund t’u besoja syve – a thua se kemi të bëjmë me një krizë botërore të përmasave të një lufte që kërcënon paqën dhe stabilitetin, jo vetëm në një vend siç është Shqipëria, por në një rajon të tërë, siç zhvillohej dikur diplomacia “ecejake” e diplomatëve perëndimorë në Lindjen e Mesme, ose udhëtimet e Henry Kissingerit, për t’i dhënë fund luftës së Vietnamit midis armiqëve, nga një kryeqytet në tjetrin.

Por, kjo që po ndodh këto ditë në Tiranë, nuk mund të konsiderohet e tillë, megjithëse duket si e tillë, por nuk është. Sot për sot, Shqipëria është në paqë, megjithëse me një “demokraci” tepër të brishtë dhe rajoni duket në paqë, të pakën tani për tani. E vërtetë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një klasë politike që kundërshtarët politikë, bashkatdhetarë të tyre i konsiderojnë armiq, por të cilët nuk po luftojnë për shkëmbim territoresh, por për të kontrolluar sistemin zgjedhor, me qëllim për të ruajtur pushtetin për veten, për partinë e tyre dhe për miqtë e vet. Njoftohet se grupet e kundërta negociuese shqiptare nuk pranojnë të takojnë njëra -tjetrën në zyrat e shtetit të pavarur shqiptar, por -falë armiqësive të tyre ndër-personale dhe politike – detyrohen të zhvillojnë bisedimet në një truall asnjanës, siç është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Turp më të madh nuk ka! Se çfarë sinjali duhet të jetë ky për vetë klasën politike, për popullin shqiptar dhe për vetë diplomatët që organizuan këto bisedime, vetëm një Zot e di. Një gjë e tillë ndodh, normalisht, vetëm kur zhvillohen bisedime midis palëve armiqësore, për t’i dhënë fund ndonjë lufte, ose për të nënshkruar ndonjë armpushim, kur palët nuk bien dakort që të takohen në territorin e njërës ose tjetrës palë. Por, Shqipëria nuk është në prag të luftës dhe diplomatët perëndimorë, nuk janë në nivelin e Henry Kissingerit, megjithëse në një vend të vogël si Shqipëria, edhe mund t’a konsiderojnë veten si të tillë. Kjo nuk është diçka e re. Kemi të bëjmë me një klasë politike shqiptare, e cila për 30-vjet tani vazhdon të luaj të njëjtën lojë me shqiptarët, po se po, por edhe me diplomatët perëndimorë në Tiranë, përfshirë këta të sotmit. Kjo klasë politike i ka futur edhe diplomatët e huaj aty ku i do politika shqiptare, në një cikël të fëlliqtë të politikës së moçaleve politike shqiptare, prej më shumë se një shekull, të një politike shekullore otomano-sllavo-komuniste, nga e cila nuk po mund dalë dot, madje as me ndihmën e ndërkombëtarëve perëndimorë.

Tani, të nderuar diplomatë të huaj në Tiranë, megjithë qëllimet e mira që ju mund të keni për të luajtur një rol pozitiv për arritjen e një zgjidhjeje këtij lëmshi politik, – reformë në drejtësi dhe reformën zgjedhore, lëmshi po bëhet gjithnjë e më i madh, çdo ditë, para syve tuaj – dhe të cilit çdo ditë e më tepër nuk po i gjendet filli, ju tani, doni e s’doni, jeni bërë pjesë e këtij problemi. Kjo klasë politike është e juaja. Në të vërtetë, ju e kini krijuar, jo ju sot, por të gjithë ata para jush, të 30-viteve të kaluara. Ta gëzoni! Por duhet të jeni të vetëdijshëm se si të tillë, edhe ju jeni përgjegjës tani për gjendjen e krijuar, megjithëse pas tri vjetësh, këto probleme do ia kaloni pasardhësve tuaj, pasi nëqoftëse vazhdoni kështu, asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj me ju, pas largimit të tyre në detyra të reja diplomatike. Këto janë probleme të vjetra dhe metodat e vjetra të diplomatëve perëndimorë në Tiranë, për të zgjidhur poblemet politike midis partive politike shqiptare, të cilat ju po i ricikloni pothuaj me të njëjtin politikan shqiptar, kanë dështuar në një mënyrë të mjerueshme gjatë tri dekadave, sepse politikanët shqiptarë kanë qenë dhe janë mjeshtra për të manipuluar sistemin e tyre politik, me qëllim për të qëndruar me dekada në pushtet, me ndihmën e ndërkombëtarëve. Në të vërtetë, Kryeministri i vendit po punon për planet e vitit 2030. Diçka duhet të ndryshojë në mendimin e perendimorëve karshi zhvillimeve në Shqipëri, nëqoftse dëshironi të shkohet përpara me vlerat perëndimore, jo gjysmake. E Buono per Albania! Nuk shkon më kështu. Mendimi se, ruajna Zot, nëqoftse e prishim pakëz këtë model të deritanishëm politik, megjithë të metat e tij, që besoj se edhe ju i shihni, por për të cilat heshtni vazhdimisht, jo vetëm Shqipëria, por i mbarë rajoni destabilizohet, e atëherë na dalin probleme më të mëdha – nuk qëndron. Vendet, vërtetë demorkatike, ka më pak të ngjarë të shkaktojnë probleme brenda ose jashtë vendit. E kam dëgjuar shpesh, se stabiliteti është prioritar, se ç’bëjnë politikanët shqiptarë në Shqipëri dhe grindjet e konfliktet me njëri -tjetrin, s’ka rëndësi. Bëjmë sikur nuk shohim se ç’po ndodh, heshtim, por ama duhet të zgjedhim të preferuarin tonë, me të cilin duhet të merremi gjatë qëndrimit tonë në atë vend, njëherazi duke mos përfillur ankesat dhe problemet e shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, shikoni, Tirana duket si një metropol europian, e përparuar me pallate të larta, pjesën tjetër të Shqipërisë ta hajë dreqi! Shpresoj të mos mendoni ashtu të nderuar diplomatë! Dilni pak jashtë Tiranës dhe komunikoni me popullin, shikoni se si jetojnë. Jam i sigurt, se do bindeni se pse shqiptarët duan të largohen jashtë vendit, sikur Shqipëria të ishte në luftë.

Megjithëse, Shqipëria është e vogël, nuk mund të jeni të kënqur që në punën tuaj të vlefshme diplomatike si përfaqsues të vendeve mike të shqiptarëve, të përzgjidhni atë ose ata politikanë shqiptarë me të cilët të merreni varësisht nga periudha dhe rrethanat historike, me të cilët mund të punoni, madje edhe në kurriz të demokracisë dhe lirive për shqiptarët, me arsyetimin e vetëm, që të ruajmë stabilitetin në vend. Stabiliteti në vend ruhet më së miri, me këmbënguljen për krjimin e një sistemi vërtet demokratik qeverisjeje, dhe jo me përkëdhelje të njërit ose tjetrit politikan ose qeverie. Kjo klasë politike pretendon se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe ne, (ndërkombëtarët) pretendojmë se i duam të futen në BE, por jo pa plotësuar standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë viteve këto standarde dhe kushte veç janë shtuar në numër me keqësimin e gjendjes politke dhe të drejtave të shqiptarëve. Ndër to janë kryesoret reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Historikisht, zgjidhjet e imponuara kësaj klase politike nuk janë zbatuar kurrë në të kaluarën, ose janë zbatuar në mënyrë të pjesshme dhe përkohësisht. Se çfarë i bind ndërkombëtarët se kësaj rradhe do jetë ndryshe, veç ata e dinë. Një marrëveshje për reformë në zgjedhje, edhe mund të arrihet midis palëve gjatë kësaj ecejake dimplomatike , në Tiranë këto ditë, por zbatimi i saj nga palët nuk do të ndodhë.

Të nderuar diplomatë, realisht, si mund të prisni një zbatim të një marrveshjeje –edhe nëqoftse arrihet midis palëve për reformë zgjedhore, të cilët refuzojnë të bien dakort për një vend –takim, në tokën shqiptare? Për këtë të jeni të sigurt. E atëherë, a do heshtni, a po do bëheni palë, duke akuzuar njërën ose tjetrën parti, ose individë për shkeljen, për vjedhjen dhe për zgjedhje jo të drejta, natyrisht, sipas oreksit dhe atmosferës politike të momentit në Tiranë. Sepse Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe aspirante për t’u bërë anëtare e BE-së, trajtohet në këtë mënyrë nga ndërkombëtarët, 30-vjet post-komunizëm, është e pashpjegueshme për mua. Vlerat dhe standardet perëndimore janë të qarta dhe të barbarta për të gjithë ata që duan t’i zbatojnë ato. Nga një anë i kërkohet Tiranës zyrtare, plotësimi i kushteve dhe standardeve europiane për t’u bërë anëtare e BE-së, por në takime si këto ditë në Tiranë, ndërkombëtarët mund të imponojnë një marrveshje që mund të jetë në kundërshtim, të paktën me frymën, në mos edhe me vetë vlerat dhe standardet europiane të zgjedhjeve. Përfaqsuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk duhet të marrin anën e njërës ose tjetrës palë politike në konfliktet e tyre, sidomos kur është e qartë se ndërkombëtarët, siç është provuar deri tani, nuk janë të aftë të influencojnë situatat në vend, për më mirë dhe kur asnjëra palë nuk është ideale për t’u mbështetur. Nëqoftse ndërkombëtarët vazhdojnë me një politikë të tillë, atëherë, herët ose vonë, njerëzit me të drejtë do të bëjnë pyetjen: Kush e humbi Shqipërinë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat