Letër e hapur ministrit Armend Zemaj

Opinione

Letër e hapur ministrit Armend Zemaj

Xhylije Ibrahimi Nga Xhylije Ibrahimi Më 8 qershor 2020 Në ora: 09:13
Armend Zemaj

Mbi 400 auto-shkolla në Kosovë, ku janë të angazhuar rreth 3 mijë punëtorë, kanë ngelur peng i masave kundër pandemisë prej tre muajve e më tepër.

I nderuar ministër Zemaj, besoj se ju jeni në dijeni për këtë padrejtësi ndaj auto shkollave, ose të paktën do të duhej të ishit, sepse ne kemi dërguar shkresa e peticione, kemi mbajtur edhe protestë para qeverisë në Prishtinë, me të vetmen kërkesë që të na lejohet puna, të cilën jeni duke na e mohuar padrejtësisht prej disa javësh.

padrejtësisht sepse tashmë janë liruar të punojnë edhe shumica e bizneseve, edhe ato të mëdha e që grumbullojnë numër shumë herë më të madh të personave se sa ne.

As ju si Ministri e Shëndetësisë, që vendosni për heqjen e masave kufizuese dhe as Ministria e Infrastrukturës. nuk i keni marrë parasysh specifikat e këtij sektori, i cili ka mundur të riorganizohet për të punuar edhe në kushtet e pandemisë, e lere më tani që janë lehtësuar masat.

Auto shkollat punojnë me nga një kandidat në pjesën praktike, ndërsa në pjesën teorike, maksimumi mund të jenë 20 kandidatë në një grup.

Kjo pjesë është lehtë e rregullueshme në grupe më të vogla, meqë edhe ashtu shumica e kandidatëve pjesën teorike e mësojnë online.

Do të ishte e mjaftueshme mbajtja e higjienës dhe masave mbrojtëse për të punuar pa asnjë problem.

Mbajtja e auto shkollave nën urdhër ndalimi të punës edhe më tutje, kur keni hequr të gjitha masat e kufizimit të lëvizjes dhe kur tashmë shumica e bizneseve i janë kthyer punës, përfshirë edhe trafikun hekurudhor, trafikun urban e ndërurban, është tendencë e hapur për të shkatërruar një biznes që mban rreth 3 mijë familje dhe për të krijuar probleme në një sektor që punon në përputhje me ligjet e vendit.

jemi në hall me kandidatët, të cilët çdo ditë pyesin e presin të marrin shërbimin që kanë paguar. Janë me qindra, mijëra të tillë në Kosovë.

Shtrëngimi i auto shkollave deri në këtë masë, krejtësisht të panevojshme, do të ketë pasoja afatgjata për këtë sektor dhe ekonomitë tona familjare.

Ministria e Shëndetësisë dhe as ajo e Infrastrukturës nuk po i trajtojnë njësoj bizneset, përkundrazi disa po i diskriminojnë në mënyrë të pa kuptueshme. Ne nuk e dimë se çfarë rreziku paraqesin për shëndetin publik më shumë se trafiku urban, ndër urban dhe hekurudhor që po mbahemi të bllokuar.

Shtetet e rajonit, prej javësh i kanë lejuar auto shkollat të punojnë, sepse nuk paraqesin rrezik për përhapjen e virusit, për shkak se punohet vetëm për vetëm me kandidatin, në pjesën praktike, që është kryesorja, përkatësisht me grupe të vogla, në pjesën teorike.

Pjesa teorike ka mundësi të mbahet edhe online dhe ne e kemi propozuar këtë mundësi, por askush nuk na ka dëgjuar.

I nderuar ministër, ne jemi biznese, trajtohemi si të tilla dhe paguajmë tatime, nuk jemi shkolla të mirëfillta.

(Autorja është instruktore-ligjëruese dhe anëtare e Kryesisë së Federatës së Auto-Shkollave të Kosovës)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat