Mbi ngulfatjen politike në Kosovë

Opinione

Mbi ngulfatjen politike në Kosovë

Nga: Driton Gashi Më: 8 qershor 2020 Në ora: 17:24
Driton Gashi

Luftë e pacipë për pushtet, papjekuri politike e kulturore, shpërfillje totale e vullnetit të votuesit kosovar, politikbërje me mashtrime, kërcënime e inate burrash primitivë…

Kështu disi do përshkruhej situata në Kosovën e tremujorit të fundit. Së paku kështu e kam perceptuar unë nga larg. Ndoshta edhe shumë të tjerë, me të cilët jam në kontakt, qoftë në atdhe ose në mërgatë.

Sa u gëzuam pas zgjedhjeve të fundit, të cilat me të vërtetë ishin demokratike e shpresëdhënëse. Sa ishim krenarë që Kosova përmendej si shembull i mirë në rajon nëpër të gjitha mediat botërore për zhvillimet pozitive në zbatimin e vlerave që duhet t‘i ketë një vend demokratik. Sa ishim emocionuar e gëzuar, kur timonin e udhëheqjes politike në vend e morën njerëz të ri, të ditur, të kulturuar, pragmatikë e profesionistë në fushat e tyre. Këtë e dëshmuan më së miri edhe gjatë marrjes së masave kundër pandemisë.

Kur e gjithë bota përparësi kryesore kishte luftimin dhe mbrojtjen ndaj virusit, në Kosovë filluan betejat për pushtet, e me një dinakëri të paparë pasoi rrëzimi i qeverisë pas një kohe të shkurtër. Ishin skena joreale, të pakuptimshme, të pabesueshme, kur në Kuvendin e Kosovës deputetët votuan se kësaj qeverie nuk i besojnë më. Formimi i qeverisë së re e sidomos anëtarët e saj nuk përputhen e nuk përshtaten absolutisht me pritshmëritë e dëshirat për ndryshim. Do vazhdohet prapë me avazin e vjetër të këtyre njëzet viteve të fundit.

I lexova dy artikuj të dy gazetarëve të mi të preferuar të revistës e portalit Kosovo 2.0, Besa Luci dhe Mehdi Sejdiu. Ata të dy analizojnë me mjeshtëri të rrallë situatën politike në vend, si dhe „debatet politike“, të cilët janë për të ardhur keq, e nganjëherë edhe për t‘u turpëruar. Kush nuk i ka lexuar akoma, ju rekomandoj me shumë përgjegjësi.

Edhe një fenomen që më ka rënë në sy, është anashkalimi total i çështjes së arsimit gjatë pandemisë. E di se janë marrë masa për mësimin online, se klasat e nënta dhe maturantët tashmë janë kthyer në shkollë. Por në perceptimin medial dhe shoqëror arsimit nuk i është dhënë aspak vëmendja që duhet t‘a ketë.

Nuk kam dëgjuar e parë pothuajse asnjë shkrim se si janë duke e përballuar fëmijët e të rinjtë kohën pa shkuar në shkollë tash tre muaj. Si po ballafaqohen familjet me këtë gjendje, sidomos ato që nuk i kanë kushtet e mira ekonomike dhe sociale? Kush ju ka ofruar ndihmë? Çfarë pasojash afatgjate do ketë kjo shkëputje nga shkollat?

Zhvillimet dhe „debatet“ politike pothuajse kanë ngulfatur çdo temë tjetër në Kosovë. Aq shumë e kanë tepruar me egocentrizmin, vetëinskenimin dhe me narcizimin e tyre shumë persona nga politika, që kanë humbur pothuajse gjithë besueshmërinë te publiku. Krijohet përshtypja që më të rëndësishme janë postet dhe privilegjet e tyre, se sa detyrat që i ka një politikan. Po më rrëthqethet trupi kur mendoj se kjo qasje ndaj pushtetit do vazhdojë prapë.

Nuk e kam zakon të ndalem shumë te gjërat që kanë kaluar e ato që nuk janë aq mirë. Më shumë e shoh të mirën, të bukurën, orientohem më shpesh te vizionet e mundimet për një të ardhme më të mirë. Ajo do vjen dikur, patjetër. Por jo me njerëzit që i përshkrova më lart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat