Kosova e përqarë për hapjen e bisedimeve me Serbinë dhe thelbin e marrëveshjes përfundimtare 

Opinione

Kosova e përqarë për hapjen e bisedimeve me Serbinë dhe thelbin e marrëveshjes përfundimtare 

Nga: Prof. Lisen Bashkurti Më: 9 qershor 2020 Në ora: 15:15
Prof. Lisen Bashkurti

Kosova po përjeton një situatë të vështirë politike, diplomatike, institucionale, ekonomike dhe sociale kohët e fundit. Madje, edhe mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të fund-majit 2020 për krijimin e Qeverisë Hoti, vëndi duket se po ri-futet në një cikël të ri krize shumë më komplekse. Epiqëndra e krizës është hapja e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Palët politike në Kosovë kanë qasje të ndryshme për hapjen e negociatave. Në parim, të gjithë në Kosovë janë pro negociatave, si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Polemika politike në Kosovë është e lidhur, së pari me procedurat e hapjes së këtyre negociatave, së dyti, me përmbajtjen e tyre, së treti, me ndërmjetësuesit ndërkombëtar dhe, së katërti, me shpejtësinë e realizimit të marrëveshjes. Më dy të parat do merremi në këtë shkrim. Me dy të dytat do merremi me një shkrim tjetër pasues. 

  1. Procedura e hapjes së bisedimeve

Në bisedimet, dialogun dhe negociatat diplomatike procedurat kanë rëndësi të vecantë. Lidhur me procedurën për celjen e negociatave, tre qeveritë e fundit në Kosovë kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për celjen e negociatave, krahasuar me qeveritë e mëparshme. Qeveria e AAK me kryeministrin Haradinaj aplikoi tarifën 100 përqind të mallrave Serbe, si kundër reagim për celjen e negociatave. Kjo bllokoi procedurën e celjes së negociatave. Qeveria e VV me kryeministrin Kurti hoqi tarifën e Qeverisë Haradinaj dhe vendosi masën e reciprocitetit, edhe kjo sërish si reagim për celjen e negociatave. Edhe kjo masë vijoi të mbante të bllokuara procedurën e hapjes së negociatave me Serbinë. Qeveria e LDK me kryeministrin Hoti po ndjek qasjen e heqjes së të gjitha barrierave të të dy qeverivë paraardhëse, si të tarifës së Z.Haradinaj, ashtu edhe atë të reciprocitetit, të z. Kurti, me qëllim procedimin për celjen e negociatave me Serbinë. Shkak kësaj inkoherence dhe përplasjeje qeveritare në Kosovë është Presidentit Thaci, cili që në krye të herës ka insistuar për heqjen në mënyrë të pakushtëzuar të cdo barriere që, sipas qasjes së tij dhe të Serbisë, por jo vetëm, pengon celjen e negociatave.

Tani Kosova i ka hequr gjithë të ashtuquajturat pengesa për hapjen e dialogut me Serbinë, ose më saktë i është nënshtruar kushteve të Serbisë. Është koha të presim reagimin e Beogradit, i cili ka zgjedhjet politike të 21 qershorit 2020. Pra, gjithcka do ngelet për më vonë. Zgjedhjet, konstituimi i organeve të reja postzgjedhore, përballimi i Covid-19 dhe i verës së nxehtë, dakordësimi me ndërmjetësuesit ndërkombëtar dhe më tej celja e negociatave me Kosovën. Duket se do jetë sërish Beogradi që do vendosë për kohën e celjes së negociatave, pa kurrëfarë dakordësimi me Kosovën.

Kosova lypet të jetë gati me draft-agjendën, strategjinë, parimet bazë, prioritetet, taktikat negociuese, skenaret e mundshme, ekipin negociator, ekipet e expertëve mbështetës, ndarjen e roleve brënda ekipit, mandatimin e liderit dhe opsionet finale më të pranueshme të marrëveshjes. Një pjesë e këtyre elementëve duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës, maksimalisht me konsesur, minimalisht me një bazë sa më të gjërë politke. Pjesa tjetër i ngelet ekipit negociator për t’i vendosur konfidencialisht dhe në proces e sipër.        

2.Thelbi i përmbajtjes së bisedimeve

Në bisedime, dialog dhe negociata diplomatike përmbajtja është qështja themelore. Lidhur me përmbajtjen e negociatave polemika politike në Kosovë është edhe më e thellë, përqarja edhe më e madhe. Në epiqëndër të polemikës dhe përqarjes qëndron qasja ndaj cënimit të territorialitetit të Shtetit të Kosovës në dobi të Serbisë. Edhe këtë aspekt të krizës brënda Kosovës përgjegjës kryesorë është Presidenti Thaci.

 

Ish kryeministri Thaci, që kaloi më pas në pozitën e Presidentit, përgjatë bisedimeve lejoi devijime të shumta proceduariale dhe përmbajtësore. Thaci tejkaloi karakterin teknik të bisedimeve dhe hyri pa mandat në cështje politike; negocioi për aspekte të panegociueshme konstitucionalisht, sic është pacënueshmëria e territorialitetit të Kosovës; nuk bëri raportim dhe transparencë si autoritet negociues përpara Kuvendit të Kosovës; zhvilloi bisedimeve personale sekrete me palën Serbe; si  dhe transferoi autoritetin kryesor negociues të palës Kosovare, nga Qeveria, të cilën e ngarkon Kushtetuta dhe rezoluta e Kuvendit e vitit 2012, tek Presidenti, pra tek vetevetja, që nuk ka autoritet kushtetues dhe as mandat parlamentar për kryesimin e negociatave në emër të Kosovës. Këto devijime nga Kushtetuta dhe rezoluta e vitit 2012 të Kuvendit të Kosovës janë përgjegjësi e Presidentit Thaci’, i cili është bërë objekt kryesor i polemikave në Kosovë. Polemikat polarizuan politikën dhe institucionet, sollën ndryshime qeveritare të një pas njëshme dhe bllokuan nga viti 2018 bisedimet formale me Serbinë.

Është Presidenti Thaci i cili, gjatë bisedimeve sekrete personale me Serbinë, pa autoritet kushtetues dhe pa mandat të rezolutës së Kuvendit të Kosovës të vitit 2012, negocioi integritetin territorial i Kosovës.  Presidenti Thaci duket që ka pranuar versionin Serb të Presidentit Vucic, në bashkëpunim edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama për ‘shkëmbimin territorial’, i cili në thelb ka të bëjë me copëtimin e Kosovës. Presidenti Thaci është përpjekur dhe përpiqet që të paraqesë ‘shkëmbimet territoriale’ si cështje ‘shkëmbimesh reciproke’ midis Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt nuk është kështu. Plani Vucic-Thaci-Rama i heq Kosovës rreth 15 përqind të territorit të saj dhe kjo, e konvertuar në tregues ekonomik, është afro 25 përqind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të Kosovës. Këtu kihet parasysh se territoret e parapara për t’i kaluar Serbisë janë më të pasurat me lëndë të para, burime ujore dhe vlera natyrore. Me këto lëshime territoriale dhe ekonomike Kosova rrezikon të humbasë ekulibrin e viabilitetit mbijetues ekonomik dhe të shndërrohet në një ekonomi me profil fermë agro-blegtorale. Një Kosovë e copëtuar dhe e varfër është lehtësisht e thyeshme dhe e nënshtrueshme dhe, si e tillë, ka qënë dhe mbetet strategji e Serbisë.    

Ky opsion Serb i dakordësuar nga Presidentit Thaci është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e faktorit politik në Kosovë, si VV, LDK, AAK, NISMA, nga opinioni publik, media, shoqëria civile, akademikët si dhe faktorë të fuqishëm ndërkombëtar si BE, Gjermani, Francë, Britani, vëndet e Ballkanit Perëndimorë, fqinjët rreth Kosovës e Serbisë si dhe personalitete të shquara të diplomacisë Shqiptare, Evropiane dhe Amerikane. Projekti Vucic-Thaci-Rama me ndikues të tjerë gjeopolitik dhe diplomatik mbas tyre thuhet të jetë varrosur. Por, unë nuk mendoj kështu. Idea e këtij plani është sërish gjallë. Përsa kohë ideja është gjallë, rreziku mbetet i lartë për Kosovën, sikundër edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat