Lidhja shqiptare e Prizrenit

Opinione

Lidhja shqiptare e Prizrenit

Nga: Qani  Osmani Më: 10 qershor 2020 Në ora: 18:46
Lidhja shqiptare e Prizrenit

Më 10 Qershor të vitit 1878, kur re të zeza ishin përhapur mbi qiellin e trojeve shqiptare, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e Lëvizjes tonë kombëtare me karakter politik panshqiptar, e cila, me emrin “Lidhja Shqiptare”, ose “Lidhja e Prizrenit” ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, si një kthesë vendimtare në luftën për çlirim kombëtar të popullit shqiptar, e cila me rrjedhimet e saja objektive ndikoi mbi të gjitha periudhat e mëvonshme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit , 142 vjetorin e së cilës e përkujtojmë dhe veprimtaria e saj, zë një vend nderi në panteonin e historisë. Ajo përbën një nga momentet kulmore dhe kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çlirimtare shqiptare, ku mbarë populli shqiptar u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngjarje që i rrëmbejnë masat me thirrjen “Ja vdekje, ja liri” i bëjnë të marrin me vete vuajtje e flijime, për të ç’arë rrugë të reja të së ardhmes, me bindjen se, në mos vetë, do të jenë brezat e ardhshëm ato që do të korrin fitore.

Sot, kur po përkujtojmë këtë 142 vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin toksor, me mirënjohje i japin vendin e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj. Është krenaria jonë se historia e kombit shqiptar është e pasur me ngjarje të tilla përparimtare. Ne krenohemi që flamuri që ka udhëhequr popullin tonë të lashtë në rrugën e tij historike, nuk shërbeu kurrë si simbol lufte për një çështje të çndertë, si simbol robërimi e dhune pushtuese, as i diplomacisë së intrigave dhe komploteve në kurriz të popujve fqinjë. Ata ishin të detyruar të përballonin rrezikun e shfarosjes e të asimilimit, të coptimit e të grabitjes së trojeve të veta nga ana e cezarëve, perandorëve, kralëve të kohëve të lashta.

Populli shqiptar i vetëm, pa aleatë, shpesh të braktisur e të trathtuar nga klasa sunduese vendëse, stërgjyshërit e gjyshërit e etërve tanë u mblodhën e u betuan për luftë në kuvendet e mëdha historike. Në vazhdën e këtyre kuvendarëve të mëdha tradicionale një vend të veçant zë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo është e vetmja organizatë politike e ngritur brenda trojeve shqiptare, që u doli zot me armë në dorë të drejtave të kombit shqiptar, një organizatë që ka jo vetëm një platformë ideologjike kombëtare e një program politik të përcaktuar qartë, por edhe një organizim shtetërorë dhe ushtarak në rrafshin kombëtarë për sa u takon ndarjeve krahinore e fetare të trojeve shqiptare.

Nuk ishte e rastit që ajo u mblodh dhe u mbajtë për herë të parë pikërishtë në qytetin e lashtë të Prizrenit, mu në zemër të Kosovës, në atë trevë ku përqendroheshin në mënyrë më të theksuar lakmitë grabitqare të armiqëve të popullit shqiptar. Këtu ajo filloi veprimin e vet me akordin madhor të memorandumeve të saj me veprimet e organizuara politiko-ushtarake si përfaqësuese e drejtave të kombit shqiptar dhe më vonë si qeveri e tij. Pavarësisht se kanë kaluar plotë 141 vite, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka ruajtur domethënien e saj të madhe dhe do ta ruaj atë për brezat e ardhshëm të kombit shqiptar.

Lidhja shqiptare e prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore, të viteve 70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjithte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë të shqiptarëve: a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare; b) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (1878), në favor të monarkive fqinje ballkanike dhe c) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur. Duhet theksuar se edhe para formimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Edhe Fuqitë e Mëdha në praktikën e tyre diplomatike nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar. As tani, kur shihej qartë fitorja ruse në luftën ruso-turke në vitet 1877-1878, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahu formimin e një shteti shqiptar. Shqetësimi i popullit shqiptar arriti kulmin me nënshkrimin, më 3 mars të vitit 1878, të Traktatit të Shën Stefanit, kur Rusia fitimtare i shkëpuste Perandorisë Osmane në favor të Bullgarisë, Sërbisë dhe Malit të Zi shumë territore shqiptare, me ç’rast e gjymtonte rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare, zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me funsione legjislative dhe Komitetin Qendror me funsione ekzekutive.

Më 17 qershor të vitit 1878 u miratua statuti i Lidhjes Shqiptare (“Kararname”) dhe “Urdhëresa” (“Talimati”), ku trajtoheshin aspektet organizative, politike dhe ushtarake të saj. Nën presionin e qarqeve patriotike, Këshilli i Përgjithshem i Lidhjes, më 2 korrik të vitit 1878 miratoi një “Kanun të Ri”, i pastruar nga shprehjet për “besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane” të Kararnamesë, shënoi fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare në gjirin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit kundërshton vendimet antishqiptare të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit, që prekën rëndë tërësinë tokësore shqiptare në favor të shteteve fqinjë. Për këtë qëllim ajo ngriti pothuajse kudo degë  të Lidhjes, krijoi një front të gjërë atdhetar mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë një forcë e organizuar, duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë trojet shqiptare.

Pas aksionit të Gjakovës, i cili me vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, shpuri në dështimin e përpjekjeve të Portës së Lartë, për të bindur krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që t’ia dorëzonin Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, Lidhja e Prizrenit ngriti me forcë para qeverisë osmane (Portës së Lartë) çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare, me një njësi më vete politiko-administrative (në një vilajet shqiptar autonom), që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi. Vendosmëria e Lidhjes Shqiptare për të mbrojtur tokat e Çamërisë deri në lumin Kalamat e detyroi delegacionin osman në Konfferencën e Prevezës, më 6 shkurt 1879, që të mos u nënshtrohej kërkesave të qeverisë greke.

Lidhja shqiptare e Prizrenit , në pranverën e vitit 1879 dërgoi një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni  nëpër Evropë, për t’i bindur kancelaritë e mëdha evropiane që ta ndryshojnë përmbajtjen e Protokolit 13, (që kishte të bëne me Jugun e Shqipërisë), përndryshe siç theksonin ata, do të shkaktohej gjakderdhje midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilën Lidhja e Shqiptarëve të Prizrenit nuk e dëshironte. Delegacioni që u nis për në Europë, në fund prillit të vitit 1879, vizitoi kancelaritë e pesë Fuqive të Mëdha (Romë, Paris, Londër, Berlin, e Vienë). Përveç shpjegimeve gojore, delegatët e Lidhjes u dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë Fuqive të Mëdha një memorandum, me të cilin kërkonin që Shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave shqiptar. Në fund të misionit , ata arritën t’i bindin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në zbatimin e Protokolit 13.

Forcat e armatosura të Lidhjes, gjatë dimrit të viteve 1879-1880 e mbrojtën me sukses Plavën dhe Gucinë duke i shkaktuar ushtrive malazeze, që u orvatën t’i merrnin me forcë, disfatë të rënd në Nevshov e Velikë (dhjetor 1879) dhe pastaj në Velikë dhe Pepiç (janar 1880). Me shpresë se do ta lehtësonin zbatimin e Traktatit të Berlinit, Fuqitë e Mëdha vendosën në fillim të muajit prill të vitit 1880 që ta korigjonin atë duke i dhënë Malit të Zi, Hotin dhe Grudën, në vend të Plavës dhe Gucisë. Por, Lidhja nuk u tërhoq, përkundrazi vendosi t’i mbronte me çdo sakrificë të dy këto qytete shqiptare.

Më 22 prill të vitit 1880, forcat ushtarake të Lidhjes në betejën e Rrazhanicës i thyen përsëri forcat malazeze, të cilat u orvatën ta pushtonin Hotin dhe Grudën. Pak ditë më vonë, më 26 qershor të vitit 1880, fuqitë e mëdha vendosën që në vend të Hotit dhe Grudës , Malit të Zi t’i lëshohet qyteti i Ulqinit dhe rrethin e tij me popullsi kryesisht shqiptare. Këtë radhë, për ta detyruar Portën e Lartë, që zbatonte me çdo kusht vendimet e tyre, Fuqitë e Mëdha dërguan për shantazh flotën e tyre luftarake në ujërat e Ulqinit. Në këto rrethana, qeveria osmane vendosi  të shtypte rezistencën shqiptare. Pas përpjekjes me armë, që pati me forcat e Lidhjes Shqiptare, ushtria osmane hyri më në fund në Ulqin dhe më 26 nëntor të vitit 1880, ia dorëzoi qytetin Malit të Zi.

Lëshimet e Portës së Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë, i dhan një hov të madh lëvizjes për autonomi për krijimin e Vilajetit shqiptar, si hap i parë për fitoren më vonë të pavarësisë së plotë. Lëvizja për autonomo, e cila e kishte shoqëruar qysh në fillim të luftës për tërësinë territoriale të Shqipërisë kishte shënuar një ngritje të re, sidomos në Kuvendin e Dytë të Frashërit (qershor 1880). Një hap i ri u bë në këtë drejtim me vendimet historike të Kuvendit të Gjirokastrës, që hartoi një program më të plotë për autonominë (24. 07. 1880). Në vijim, Kuvendi i Jashtzakonshëm u mblodh në Prizren, në fund të vitit 1880 e Shpalli Komitetin Qendror “Kuvernë e përdorme”. Repartet ushtarake të saj shtinë në dorë Shkupin(4 janar), Mitrovicën (15 janar) dhe Prishtinën më 18 janar të vitit 1881. Nëpunësit turq u dëbuan nga të gjitha qendrat ku u vendos pushteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Perandoria Osmane e tronditur nga kjo veprimtari kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, i dha urdhër Dervish Pashës që me nji ushtri të armatosur mirë ta shtyp atë. Më 25 mars të vitit 1881, me forca të shumta, ai e pushtoi me tradhti Shkupin dhe anëtarët e Komiteti i internoi. Pas betejave të përgjakshme në Slivovë dhe në Shtinjë, ushtria osmane hyri në Prizren dhe me pushtimin e Gjakovës shtiu nën kontrollin e vet të gjitha qytetet e tjera të kosovës e të tërë vendit. Mijëra shqiptar  kaluan nëpër gjyqet ushtarake në Prizren dhe në Janinë (ndër ta edhe Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj.) dhe po aq u internuan me gjithë familjet në Anadoll.

 Koncepti i përpunuar nga Lidhja Lidhja e Prizrenit për shtetin kombëtar, përbën pikën më të lartë në zhvillimin e mendimit politik të Rilindjes gjat shek. Të XIX dhe shënon gjithashtu përpjekjen e parë të shqiptarëve për të zgjidhur çështjen kombëtare qysh në vitet e Krizës Lindore  të viteve 1875-1881, në një kohë me popujt e tjerë të Ballkanit, në kuadrin e ndryshimeve që Fuqitë e Mëdha bënë atëherë në hartën politike të këtij Gadishulli.

I parashtruar qysh në vendimet e para të Lidhjes, koncepti i saj për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke themeluar një shtet kombëtar dhe autonom që pësoi evulucionin e vet, duke marrë një kuptim më të gjërë dhe një formë më të përcaktuar. Kërkesa e një Vilajeti apo province të bashkuar, me një autonomi administrative, që u formolua si formë e parë e organizimit të shtetit shqiptar në vendimet e kuvendit themelues të Prizrenit, në qershor të vitit 1878 mori përmbajtje më të plotë në aktet që Lidhja i nxori pas këtij Kuvendi. Në dy memorandumet që i dërgoi Portës së Lartë, njëri i miratuar në Janinë (më 24 korrik 1878), e tjetri në Prizren(po në korrik të atij viti) dhe me një projekt për reforma në Shqipëri, Lidhja kërkoi nga Stambolli që të merrte masa sa më të ngutshme për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një të vetëm “ për të mbledhur e për ta bashkuar në një trup të vetëm gjithë Shqipërinë”. Ndërsa në rezolutën e miratuar në Kuvendin e përfaqësuesve të të gjitha viseve të Shqipërisë, të mbledhur në Dibër, më 8 nëntor të vitit 1878, u përcaktua në mënyrë më të plotë programi autonomist i Lidhjes Shqiptare.

Shqipëria e bashkuar, si një vilajet i vetëm, do të kishte një status ndërkombëtar edhe pse të kufizuar, do të ishte autonome brenda territorit të vet, por e varur në marrëdhënjet me jashtë, që do të mbeteshin si më parë në kompetenca të Portës së Lartë. Megjithëse, nën sovranitetin e sulltanit Shqipëria do të gëzonte një autonomi të gjërë administrative-shtetërore, të gjitha atributet e një organizimi shtetëror, të një shteti kombëtar shqiptar.

Krerët e Lidhjes e shikonin shtetin autonom, jo vetëm si zgjidhje që mund të pranohej më lehtë nga Qeveria Osmane dhe Fuqitë e mëdha, që nuk ishin të prirura të përkrahnin shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por edhe si një periudhë drejtë pavarësisë dhe shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga kjo perandori. Nëpër këtë rrugë patën kaluar Rumania, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, të cilët në fillim fituan statusin e autonomisë, të shteteve vasale nën sovranitetin e sulltanit, për të kaluar më pas në shpalljen e pavarësisë së plotë.

Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit për të bashkuar shqiptarët dhe territoret e tyre në një shtet të vetëm, siç kishin bërë edhe kombet e tjera të Ballkanit dhe të Europës, nuk përbën ndonjë argument për t’iu atribuar udhëheqësve të saj prirje shoviniste, sikurse kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë edhe sot historiografitë e disa vendeve fqinjë. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti ndërkombëtar, por për hir të kushteve në të cilat i vendosi historia, “shqiptarët, sikurse shprehej atëherë Abdyl Frashëri, një nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes, nuk kishin ushqyer atëherë aspirata pushtuese ndaj popujve të tjerë”.

Në aktet e Lidhjes dhe në ato të të gjithë periudhës të Rilindjes, Shqipëria përmendej si një njisi administrative dhe etnike e përcaktuar qartë, si atdhe i shqiptarëve, i banuar historikisht e pa ndërprerje prej tyre, por në asnjë nga këto akte nuk zihej në gojë emri “Shqipëria e Madhe”, i cili është një trill qëllimkeq i propagandës së qarqeve politike të shteteve fqinjë, që u hodh në qarkullim në fundin e shek.XIX, për t’ia kundërvënë synimeve të natyrshme e të ligjshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar. Togfjalëshi ”Shqipëri e Madhe”, që po dëgjohet më shpesh edhe në ditët tona në qarqer diplomatike e në media, e që për fat të keq artikulohet edhe nga personalitete zyrtare evropiane që janë miq të shqiptarëve, dhe jo vetëm nga këta, por edhe nga disa shqiptarë, e ka prejardhjen e tij jo te shqiptarët, por nga qarqet politike të atyre shteteve ballkanike që kanë sot në kufijtë e tyre territore me popullsi shqiptare.

Lidhja e Prizrenit ndërmori edhe hapa konkret për të vënë në jetë kërkesën e shndrimit të Shqipërisë në një shtet të bashkuar autonom. Shpallja në Prizren, në janar të vitit 1881 e qeverisë së përkohshme , të drejtuar nga kryetari i lidhjes, personaliteti i shquar Kosovar Ymer Prizreni, shënoi pikën më të lartë në luftë për formimin e shtetit kombëtar në periudhën e Lidhjes së Prizrenit.

Pra, dorëzimi i Ulqinit Malit të Zi dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në trojet Shqiptare dhe i acaruan në kulm marëdhënjet e shqiptarëve me sunduesit osmanë. Qysh në dhjetor të vitit 1880, në Kosovë filluan veprimet e armatosura kundër administratës osmane. Atdhetarët menduan se tani kishte ardhur çasti i përshtatshëm për të vënë në jetë Programin për autonomi. Në këto rrethana, ata organizuan aty ka mesi i muajit janar 1881 në Prizren një kuvend të jashtzakonshëm të Lidhjes Shqiptare. Në të morën pjesë vetëm përkrahësit e autonomis. Kuvendi përjashtoi nga organet drejtuese të Lidhjes kundërshtarët e autonomisë dhe Komitetin Kombëtar e shpalli qeveri të parakohshme, kryesuar nga Ymer Prizreni (krytar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj. Qeveria e Përkohshme e Prizrenit organizoi mënjëher forcat e rregullta ushtarake dhe ngriti administratën e re shqiptare në viset që po çliroheshin. Repartet e qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi dhe të përkrahura nga populli, gjatë muajit janar 1881 e çliruan gjithë Kosovën, si dhe Shkupin dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni.

Udhëheqësit e Lidhjes e vlerësuan kërkesën e autonomisë së Shqipërisë dhe të shkëputjes të saj në të ardhmen nga Perandoria Osmane, si”një e drejtë e popullit shqiptar për të hyrë në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës i përkiste nga raca dhe gjinia”. Në peticionin e saj të fundit, dërguar ambasadorve të Fuqive të Mëdha në Stanboll, më 15 prill të vitit 1881, kur ushtria osmane e Dervish Pashës po shtypnin Lëvizjen Shqiptare, Lidhja duke këmbëngulur në kërkesën e autonomis, theksonte se kjo e drejt i takon Shqipërisë, si një vend evropian. Siç theksonin konsujt e huaj, në këtë peticion shprehej synimi i Lidhjes për të ngritur në Shqipëri një administratë të tillë autonome, që të ishte e aftë të përhapte të gjitha sistemet përparimtare dhe qytetëruese të kontinentit evropian, në të cilin bënte pjesë.

Megjithëse u shtyp, vepra që la Lidhja e Prizrenit, kreu në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, si një faktor vendimtar në luftën për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut dhe për formimin e një shteti shqiptar, ruan vlerën e vet, jo vetëm në planin historik-shkencor, por edhe në atë politik kombëtar. Vepra e saj ka hyrë në ndërgjegjen e kombit shqiptar si një ngjarje gjithnë e gjallë dhe e freskët, që u kujton shqiptarëve të kaluarën dhe përbën njëherazi një udhërrëfyes, një pikë referimi për të tashmen e të ardhmen e tyre. Për ne jan plot kuptim, frymëzuese dhe aktuale, fjalët plot optimizëm dhe besim në forcat e popullit që shprehu Abdyl Frashëri, kur ju drejtua armiqëve të popullit shqiptar: “Puna juaj me Traktatin e Berlinit mbaroi, puna jonë si shqiptarë nga kjo ditë fillon”

Shqiponja që nisi flamurin e saj ato ditë të stuhishme në Prizren, nuk u ndal më kurrë. Vepra e Lidhjes së Prizrenit u plotësua më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë-me gjithë atentatet e komplotet, luftën grabitqare që kurdisi kundër popullit tonë, një botë e tërë armiqësh, të cilët më 1913 vazhduan e plotësuan veprën e filluar me Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, me copëtimin e pashoq të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorve në Londër.

Megjithëse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe dhe zë një vend  të rëndësishëm në historin e popullit shqiptar. Ajo është organizata e parë patriotike që mori përsipër ta zbatonte Programin madhor të Rilindjes Kombëtare shqiptare, çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar; ajo ishte e para organizatë që grumbulloi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore; e para organizatë që kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik; e para organizatë patriotike që shkriu në një front të vetëm qendresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinj për të mbrojtur tërësin tokësore të atdheut dhe për ta realizuar autonomin e Shqipërisë. Dhe si e till, ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të dhjetëvjeçareve të mëvonshëm e deri në ditët tona.

Pra , Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe vendosmërin për ti mbrojtur të drejtat dhe për ta krijuar shtetin kombëtar.Në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar ndër shekuj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat