“Ju shqiptarët nuk kishit nevojë ta donit Titon, por as nuk duhej ta urrenit”

Opinione

“Ju shqiptarët nuk kishit nevojë ta donit Titon, por as nuk duhej ta urrenit”

Nga: Merxhan Jakupi Më: 13 qershor 2020 Në ora: 10:21
Merxhan Jakupi

Pjesa I

“I nderuari shoku im Merxhan! Lexova në një portalb shkrimin tuaj për dy liderët komunistë Tito dhe Enver Hoxha. Shkrimi ishte shumë objektiv dhe racional. Të dielën e kaluar, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Josip Bros Titos, shumë admirues dhe idhtarë vizituan dhe bënë homazhe në varrin e tij. Një ndër ata isha edhe unë. Shumica e vizitorëve dhe idhtarëve i bënë thirrje autoriteteve, qeverisë që t’ia rikthejnë emërtimet e mëparshme bulevardeve, rrugëve dhe shkollave.”

“I respektuari shoku im i ish-armatës jugosllave Mlladen! Titoja dhe Enver Hoxha i takojnë të kaluarës, një epoke të zhurmëshme të lënë mbrapa. Ne, si një gjeneratë që kemi jetuar në atë periudhë, ndoshta kemi nostalgji për atë kohë, por gjeneratat e reja as nuk dinë gjë dhe as nuk u intereson periudha komuniste. Dy liderët komunistë kanë qenë diktatorë despotikëdhe autokratë të një regjimi totalitar, ndonëse Titoja ka qenë më i moderuar, më i butë dhe më elastik se Enveri.”

“I nderuari shoku Merxhan! Ne të gjithë popujt sllavë të ish-Jugosllavisë, por dhe ju shqiptarët, kemi qenë me fat që Jugosllavia Federale u udhëhoq nga një lider komunist liberal kroat. Titoja ka zbatuar një dimension politik të barabartë për vetvendosjen e popujve.

Sipas publicistit e analistit kroat Pero Zlatar, i cili ka qenë studjues i Europës Juglindore dhe ka shkruar tre libra për Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës, po të qeverisej Jugosllavia e dytë nga një lider unitarist komunist serb, sado i moderuar e liberal të ishte, Jugosllavinë do ta dominonin serbët dhe do të vazhdonte vija politike e unitarizmit dhe hegjemonizmit serbomadh si në monarkinë jugosllave tëdikurshme, ku më së shumti do ta pësonin shqiptarët. Në këto kushte Kosova do të ngelej për 40 vite një provincë serbe me pak shqiptarë.”

“Mlladen, edhe në Jugosllavinë e Titos kur torta u nda, shqiptarëve  jo vetëm që nuk u ra gjë nëpër dhëmbë, por në vend të tortës, apo karrotës, u treguan shkopin.”

Titoja ka thënë se ‘I tradhtuam shqiptarët’

Shkrimtari dhe politikani serb Dobrica Qosiç, i cili konsderohet si babai i kombit serb, shkruante se “ne serbët më mirë të ishim në kampin komunist, ose Jugosllavia të bëhej republika e 16-të sovjetike, sepse kështu në fund do të kishim ‘Jeruzalemin’ tonë – Kosovën.” Ai fajëson Titon për humbjen e Kosovës.

“Merxhan, e them me bindje të plotë se ju shqiptarët nuk kishit nevojë që ta donit Titon, por nuk duhet ta urrenit, të paktën duhet ta respektonit.”

“Mlladen, shumica e intelektualëve dhe historianëve serbë janë shprehur haptas se qysh pas shkëputjes nga perandoria osmane, serbët kanë jetuar më mirë në Jugosllavinë e Titos. Më kujtohet që para shpërbërjes së Jugosllavisë, në mbledhjen e Kryesisë Federale nën drejtimin e Presdidentit të fundit, kroatit Stepan Mesiç, lideri nacionalist kroat Franjo Tuxhman i tha Boris Joviçit, pinjollit të Millosheviçit, se ‘ju serbët edhe në Jugosllavinë e dytë keni pasur dominancë, hegjemoni. Për shëmbull, në Radiotelevizionin e Zagrebit, nga 12 redaktorë, tre kanë qenë kroatë, një hungarez, kurse të tjerët ishin serbë’.

Mlladen, unë mbaj mend kur udhëtoja për në Zvicër, nga Gjevgjelia deri në Trigllav, ku ishte pika e fundit kufitare midis Sllovenisë e Austrisë, se të gjithë doganierët dhe inspektorët ishin serbë. Pas shpërbërjes së perandorisë osmane, ne shqiptarët na ndanë në tre shtete. Ne kemi qenë humbësit më të mëdhenj si në Jugosllavinë monarkiste ashtu dhe në Jugosllavinë e Titos.

Mlladen, Titon nuk e duan bashkëkombasit e tyre, as sllovenët dhe po ashtu as ju serbët; sigurisht, as ne shqiptarët nuk ka pse ta duam.”

“I nderuari shoku im Merxhan! Shumë tabu kanë mbetur në historiografinë ish-jugosllave. Titoja gjithnjë ka qenëskeptik dhe nuk ka pasur besim te serbët. Sipas mendimit tim, Titoja ka pasur më shumë besim tek shqiptarët dhe boshnjakët. Dëshira e tij ka qenë që dhe shqiptarët pas mbarimit të Luftës se dyte Botërore dhe çlirimit të vendit të ishin të barabartë dhe të kishin republikën e tyre si të gjithë sllavët.

Pas mbarimit të  Luftës antifashiste, Titoja në disa mbledhje kishte folur për çështjen shqiptare në Jugosllavi. Ai kishte potencuar se shqiptarët duhet të kenë republikën e tyre në kuadër të Federatës Jugosllave. Merxhan, nuk e di nëse e ke lexuar librin e ekonomistit kroat Branko Horvat “Kosovsko pitanje” (“Çështja e Kosovës”), të botuar në vitet ’90, me të cilin autori hapi ‘kutinë e Pandorës’. Sipas këtij autori, pas Luftës së dytë Botërore kishte dy skenare. Sipas njërit skenar, Titoja ka potencuar që ‘arnautët tanë të vetvendosin për t’iu bashkangjitur shtetit amë, Shqipërisë’. Skenari i dytë ishte Republika e Shtatë. Sipas disa bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Titoja ka thënë se ‘ne i tradhtuam shqiptarët’. Në fund kishte pranuar se nuk lejonin serbët. Në të ardhmen, pasi të ftohen kokat e nxehta serbe, edhe shqiptarët do të kenë republikën e tyre në Jugosllavi.”

“Mlladen, Branko Horvati shkruante në vitet ’80-të në revistën “Praxis” se po të bashkoheshin forcat e komandantëve shqiptarë Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha dhe të organizonin rezistencë, në fund si kompromis do të realizohej skenari i parë ose skenari i dytë; pra, ose shqiptarët e Kosovës do t’i bashkangjiteshin Shqipërisë, ose do të krijohej Republika e Shtatë”.

“Merxhan, sipas biznesmenit e politikanit Dragan Markoviç, Enver Hoxha ishte i lidhur më shumë me Kominternin. Markoviçi shkruan se pas Bullgarisë, si opcion Shqipëria do t’i bashkangjitet Republikave Sovjetike. Sipas Kominternit, Enver Hoxha kishte propozuar që, në qoftë se Stalini shpreh dëshirë, Shqipëria është e gatshme të bëhet republikë sovjetike pas Bullgarisë.”

“I nderuari shoku im Mlladen! Këto janë fraza boshe, spekullime e hipoteza të pabazuara. Deri para Rezolucionit të Informbyrosë, shkëputjes së Titos nga Stalini, Enver Hoxha ishte një pinjoll besnik i Titos. Partia Komuniste Shqiptare ka qenë nën axhendën e plotë të Partisë Komuniste Jugosllave. Titoja, Enveri dhe Dimitrovi, lideri komunist i Bullgarisë, kanë qenë të tre për konfederatë ballkanike.

“Urrejtja, armiqësia dhe propaganda enveriste ndaj Jugosllavisë ishte ‘bumerang’  që sillte dëme dhe pësime për kombësinë shqiptare”

“Mlladen, shqiptarët janë skeptikë; ata nuk e besojnë se Titoja nuk ka pasur dijeni për segregacionin klasik, diskriminimin, spastrimin etnik dhe shpërnguljen masive të shqiptarëve në Turqi dhe për aferën e armëve në periudhën e Aleksandër Rankoviçit. Le të marrim një shëmbull të thjeshtë. Në qoftë se një shqiptar shkruante një pamflet ose një parullë ku lëvdonte Enver Hoxhën, ose një shqiptar i dehur thërriste ‘Rroftë Enver Hoxha’, ai dënohej me 1-2 vjet burg për armiqësi e propagandë dhe konsiderohej i burgosur politik. Por në qoftë se një bullgar ose një rumun në Jugosllavi thërrisnin ‘RroftëTeodor Zhivkovi’ apo ‘Rroftë Nikolla Çaushesku’, atyre nuk u ndodhte asgjë, as nuk burgoseshin, as nuk akuzoheshin për vepër armiqësore, për agjitacion e propagandë.”

“Merxhan, mua më vjen keq, por propaganda dhe armiqësia me bullgarët e rumunët nuk ishte si me Tiranën. Tek bullgarët si minoritet nuk ka pasur organizata e grupe armiqësore. Bullgarët ishin minoritet i vogël dhe jetonin më mirë se bashkëkombasit e tyre në shtetin e tyre, në Bullgari. Gjithashtu, ata nuk e kanë dashur kurrë Presidentin e Bullgarisë Teodor Zhivkovin. Kurse pakicat rumune konsideroheshin si vlleh dhe shumica e tyre ishin të arsimuar. Vllehët shkonin shpesh në Rumani dhe shikonin që bashkëkombasit e tyre ishin të varfër dhe të vuajtur. Merxhan, ndryshe ka qenë propaganda, indoktrinimi dhe eksportimi ideologjik i Tiranës. Pas Rezolucionit te Informbyrosë më 1948 dhe deri në vitet ’60-të më shumë se 40 ushtarënëpër pikat kufitare të kufirit jugosllav janë vrarë nga ushtarët shqiptarë”.

“Mlladen, unë nuk e mbroj regjimin e Enver Hoxhës, por Shqipëria bënte pjesë në Traktatin e Varshavës në atë kohë dhe ushtarët jugosllavë janë vrarë me urdhër të gjeneralëve sovjetikë.”

“Merxhan, Radio Tirana bënte 24 orë pa ndërprerje propagandë që nxiste urrejtjen. Titoja kishte frikë nga destabilizimi i vendit, nga komplotet e kundër-revolucioni që mund të fillonte në Kosovë dhe pastaj të përhapej edhe në republikat e tjera. Shqiptarët në Jugosllavi më mirë të dilnin me parulla pro monarkisë shqiptare, pro Mbretit Ahmet Zog. Po të dilnin shqiptarët duke thirrur ‘Rroftë Mbreti Zog!’, me siguri nuk do të burgoseshin, por do të fitonin më shumë reputacion e kredibilitet nga Perëndimi dhe do të konsideroheshin lëvizje antikomuniste, disidente, si në Poloninë e viteve ’80-të. Merxhan, propaganda, agjitacioni, armiqësia ideologjike, mbyllja e kufijve, urrejtja ndaj Titos dhe burgosja e shumë të rinjve shqiptarëishte ‘kthim me të njëjtën monedhë’, ‘bumerang’ kundër shqiptatëve në Jugosllavi.”

“Mlladen, shqiptarët në Jugosllavi nuk janë burgosur e persekutuar për idealet enveriste; ata janë burgosur sepse kërkonin të drejta të barabarta me popujt e tjerë, ata kërkonin të kishin republikën e tyre si popujt sllavë, ata kërkonin të ishin Republikë e shtatë e Jugosllavisë. Që nga viti 1948 deri në vitet 1990-të shqiptarët nëdy shtete kanë qenë të ndarë fizikisht, shpirtrisht, si dy gjymtyrë të prera të një trupi duke përjetuar reprezalje, vuajtje e dhimbje”.

“Merxhan, nuk ishte as faji dhe as mëkati i Titos që kufiri shqiptar ishte i rrethuar me mina e me tela me gjëmba. Ti e njeh më mirë Shqipërinë komuniste. Pas invazionit të Çekosllovakisë nga forcat e Traktatit të Varshavës Titoja dërgoi Fadil Hoxhën për bisedime me ambasadorin shqiptar në Beograd. Titoja në mesazhin e tij e kishte bërë të qartë se po të sulmohej Shqipëria nga Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia ishte e gatshme ta ndihmonte Shqipërinë. Titoja kishte thënë hapur se ‘ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë dhe për hir të kombësisë shqiptare të kemi miqësi e bashkëpunim në të gjitha sferat.’ Në mesin e viteve 1970-të u duken sinjalet se Enver Hoxha do të fillonte hapjen dhe bashkëpunimin me Jugosllavinë. Shumë profesorë universitarë shqiptarë erdhën nga Tirana për të dhënë ligjerata në Universitetin e Prishtinës. Qëllimi i Enver Hoxhës nuk kishte qenë për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjellta dhe për të ndihmuar bashkëkombasit e vet që kishin nevojë të studjonin në universitetet shqiptare, të shkonin në bregdetin shqiptar dhe të realizohej lëvizja e lirë e shqiptarëve të Jugosllavisë. Më vonë u zbulua se të gjithë profesorët që vinin për ligjerata nëpërmjet arsimit kishinsi qëllim të bënin propagandë e agjitacion tek të rinjtë, studentët dhe t’i indoktrinonin me ideologjinë enveriste. Ambasada jugosllave në Tiranëe zbuloi se si udhëheqës e organizator i këtyre profesorëve ishte një agjent enverist me origjinë nga Kosova.”

“I nderuari Mlladen! Unë e respektoj korrespondencën, duelin intelektual dhe shkëmbimin e ideve, por në fund unë nuk pajtohem me idetë dhe mendimet tuaja. Unë mendoj se profesorët shqiptarë që vinin për ligjerata në Kosovë kanë dhënë një ndihmë shumë të çmuar për zhvillimin e arsimit të lartë të shqiptarëve të Jugosllavisë në Universitetin e ri të Prishtinës që sapo ishte themeluar dhe kishte nevojë urgjente për profesorë të lëmive të ndryshme dhe për tekste universitare. Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës kanë dërguar për ligjerata në Kosovë profesorët më të mirë. Duhet ta dini se të gjithe profesorët që vinin kalonin në filtër të imët e skanoheshin në ambasadën jugosllave në Tiranë kur dorëzonin pasaportën për vizë. Edhe në Prishtinë ata survejoheshin nga agjentë të UDB në hotel, në kafene, në universitet e kudo se me kë flisnin, kë takonin dhe çfarë thoshnin.Që nga formimi i Jugosllavisë së parë monarkiste më 1918 nga Fuqitë e Mëdha dhe në Jugosllavinë e dytë, federale, shqiptarët kanë qenë gjithnjë të robëruar. Jugosllavia e Titos për ju sllavët ka qenë ndoshta parajsë, por për ne shqiptarët ka qenë ferr. Shqiptarët e Kosovës u çliruan duke e paguar lirinë me gjak. Sot shqiptarët kanë dy shtete dhe janë faktor stabiliteti në Ballkan, siç shpresoj të jenë dhe serbët.”

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat