Lamtumirë Dr. Llukman Halili!

Opinione

Lamtumirë Dr. Llukman Halili!

Prof.Dr.Mehdi Hyseni Nga Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më 13 qershor 2020 Në ora: 17:09
Dr. Llukman Halili!

Sot, me keqardhje mësova lajmin nga "Bota Sot" se kishte ndërruar jetë Redaktori dhe Bashkëpunëtori  i saj shumëvjeçar, Dr. Llukman Halili nga Bujanoci.

Me këtë rast pikëllues, iu shpreh ngushëllime të thella dhe të sinqerta vëllazërore për humbjen e shokut, të mikut dhe të bashkëpunëtorit të juaj të zellshëm dhe të merituar, Llukman Halili.

-Llukman Halilin e kam pasur bashkëstudent në studimet pasuniversitare "Marrëdhëniet Politike Ndërkombëtare" në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit në vitet '80 të shekullit XX. Ishte shok i sinqertë, student i shkëlqyer, djalë me dinjitet, me ndërgjegje të çiltër njerëzore, me edukatë, i emancipuar, i kulturuar dhe me virtyte  të larta patriotike shqiptare. Me një fjalë, ishte diplomat, para se të magjistronte dhe të doktoronte  shkencat e diplomacisë dhe të marrëdhënieve politike dhe juridike ndërkombëtare në Universitetin e Zagrebit.

Mirëpo, edhe pse shoku im i dashur dhe i paharruar Llukman Halili ishte me gradë shekncore në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtme ndërkombëtare, e përjetoi të njëjtin fat sikurse unë, refugjat i braktisur dhe i harruar në dhera të huaja, jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, sepse asnjëra nga  qeveritë e derisotme të këtyre dy shteteve shqiptare "nuk kishin nevojë" për kuadro  profesionale diplomatike (Dr. dhe Mr.) siç ishte Dr. Llukman Halili, por, për injorantë sui generis të mahallave, të provincave, të partive të ndryshme politike dhe të grupeve të ndryshme mafioze të interesit nepotist, latifundist, sektarist, oligarklist dhe feudal...

Mirëpo, ato qeveri (1990-2020) me derëbejët e tyre  anadollakë, miopë, obskurantistë, egocentrikë, ziliqarë, narcisoidë, provincialistë, prepotentë, hipokritë dhe  primitivë anticivilizues, të cilët qe 30 vjet me fshesë të hekurt kanë  diferencuar dhe izoluar kuadrot  akademike sikurse Dr.Llukam Halilin, duke mos e  shfrytëzuar si kuadër të merituar, profesional dhe të mireseardhur diplomatik qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, apo në përfaqësitë diplomatike a konsullore të tyre në Europë apo në shtetet e tjera të botës, ata janë dëmtuesit. mashtruesit, tradhtuesit dhe improvizuesit më të kobshëm dhe më të rrezikshëm të kombit dhe të atdheut shqiptar, sepse me urrjetjen  dhe me përbuzjen e tyre kanë diferencuar dhe margjinalizuar kuadrot më të mira profesionale akademike shqiptare, duke i detyruar që të përfundojnë dhe të vdesin në mjerimin e thellë nëpër shtete të huaja të botës (1990-2020).

Ndaj,  në këto caste të rënda pikëlluese, çfarë të them më tepër, veç dhembjes dhe pikëllimit për TY, o vëlla, o shoku dhe kolegu im i dashur dhe i  paharruar Dr. LLUKMAN HALILI, -Ike në atë botë, pa shijuar  frutat e "pemës" që mbolle me shumë sakrifica dhe me vuajtje mbinjerëzore (me bukë dhe pa bukë, me strehë dhe pa strehë...), por, mos rënko e as mos derdh lotë, se “karkalecat”  dhe “lakuriqët” që t'i kanë "hangër diplomat" dhe meritat, duke të izoluar si refugjat jashtë vatrës dhe atdheut, janë dëshmuar njësoj si Serbia, e cila me shekuj, pikësëpari ka eliminuar dhe vrarë intelektualët e arsimuar të ditur dhe patriotë shqiptar, pastaj ka bërë plojë dhe gjenocid mbi popullin dhe mbi atdheun shqiptar (1878-2020).

Pra, im vëlla i dashur Dr. Llukman Halili, pusho i qetë në botën e amshuar, i lehtë të qoftë dheu i Bujanocit të Shqipërisë Etnike, të cilat që nga fëmijëria i deshe dhe sakrifikove për to, duke mos i harruar, por, gjithmonë duke i  dashur dhe kujtuar në mendjen dhe  në librat tuaj historiko-politikë dhe kombëtarë shqiptarë, si dhe në shkrimet tuaja të botuara në gazetën "Bota Sot", e cila për shumë vjet të ndihmoi, të nderoi dhe t'i njohi meritat dhe kontributin tuaj profesional si Redaktor i Politikës së Jashtme.

-Emri dhe shembëlltyra jote qofshin kujtim i përjetshëm në zemrat.

Me këtë rast pikëllimi, shpreh ngushëllimet e mia Editorit Xhevdet Mazrekaj dhe Stafit të Redaksisë “Bota Sot”, si dhe Familjes së Dr. Llukman Halilit, të afërmeve, shokëve dhe të gjithë miqve të tij si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë Etnike.

-Emri i Llukmanit qoftë i paharruar ndër brezat shqiptarë.

-Lamtumirë Llukman, prehu në paqen e përjetshme!

-Zoti të bekoftë!

-Zoti të shpërbleftë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat