Peshku në det, tigani në zjarr!

Opinione

Peshku në det, tigani në zjarr!

Nga: Lirim Begzati Më: 14 qershor 2020 Në ora: 15:05
Lirim Begzati

Një përshtypje e bartur nga dikush mund të interpretohet si një tentim për me dëshmuar se i paskemi zgjidhur gati se të gjitha telashet tona, dhe tani n'a paska mbetur një etapë e rëndësishme për konkretizimin e një objektivi madhor të radhës, e kjo na qenka “Kryeministri duhet të jetë shqiptar”. 

Sa i freskët është shembulli i një kandidature shqiptare për President të Maqedonisë së Veriut. Duket se u harrua pak se kjo nuk ishte në shijen e gjithsecilit, e sidomos jo në shijen e atyre që sot kërkojnë të kenë kryeministrin e tyre.

Thuhet se është gjetur edhe kandidati i kompromisit. Kurse harrohet ajo se që nga momenti kur flitet për propozime të kushtëzuara në baza nacionale apo etnike, kjo dëshmon se rregullat e kompromisit veç janë të shkelura, edhe atë para se të debatohen çështjet në momentin e duhur.

Ndërkohë, nuk u vonua as thënia “Kryeministri duhet të jetë maqedonas”.

Çdokush mundohet t’i shpalosë llogaritë e veta, kurse në këtë rrëmujë, u harrua ndoshta edhe rregulla bazë e demokracisë parlamentare, sipas së cilës, deri te zgjedhja e një Kryeministri kalohet paraprakisht përmes disa fazave të tjera. Larg jemi sot nga kjo.

Kështu, kalkulimet e tilla nuk i bëjnë nderë as demokracisë, e as parimeve konstruktive të pluralizmit politik. Ende pa pritur rezultatet e votës, flitet për ndarje përgjegjësish, bile edhe për arritjen e ambicieve tejet të larta.

Ndoshta, në thelbin e reflektimeve të tilla, e hasim nevojën e shprehjes së parakohshme të një shije për jetësimin e të ashtuquajturit “patriotizëm i llojit të vetë”! Apo një strategji elektoraliste e adaptuar me “rrethanat e krijuara”!?

Që me dekada të tëra, janë ndërruar parti, qeveri, ministra, zëvendës-ministra, e shumë të tjera të ngjashme. Dhjetëra apo qindra u ndërruan, e siç duket, ende nuk u kuptua se nuk na paska qenë problemi te gjetja e individëve, vetëm për me i mbuluar disa nga postet e përmendura, por krejtësisht diku tjetër. 

Nuk kemi nevojë për shprehjet e patriotizmave të panevojshme aty ku duhet e aty ku s’duhet, as për rivalitete interesash apo vlerash në baza nacionale, e aq më pakë as përzgjedhje të kandidateve sipas kritereve ekskluzivisht etnikë. Pavarësisht se nga vijnë tendencat e tilla që përcjellin mesazhe dhe vizione të së kaluarës, të cilave iu ka dalur “boja”. 

Duket e pashuar përballja me vazhdimësinë e një rrethi vicioz të problemeve që vështirë e kanë të marrin fund në disa mjedise tona, në disa (jo) funksionime ballkanike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat