Kërkesa e përgjegjësisë për Thaçin, Mustafën, Kurtin, e domosdoshme

Opinione

Kërkesa e përgjegjësisë për Thaçin, Mustafën, Kurtin, e domosdoshme

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 qershor 2020 Në ora: 11:21
Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Është mbushur kupa e mëkateve e binomit  Thaçi-Mustafa. Së fundi, edhe Kurti e huqi, e djallosi keqas, me foshnjërinë menaxhuese të një fitoreje meritore. Hashimi ishte mëkatosur tepërueshëm, ende pa u bërë president. Dhe, assesi nuk përmbushte as minimalen e normës, për t`u bërë i pari i vendit. Megjithatë, ia arriti këtij misioni, që dukej tërësisht i pamundur. Pazaret e pista Isa-Haihim, duke i ngulur thikën prapa shpine LDK-së, e bënë Hashimin president!  E, megjithatë, Isa kokërrosh e në ballë të LDK-së. E tmerrshme! Ja, ku është katandisur Partia e Presidentit Rugova?!

1) Pse është akute përgjgegjësia, deri në shkarkim, e Hashimit president?

Së pari, ai asnjëherë nuk ka qenë faktor uniteti të popullit, si kusht i parë, për t`u ulur në karrikën e presidentit; 

u thirrë se është udhëheqës i UÇK-së për luftë e çlirim. Në të kundërtën, rezultoi se ishte drejtues i bandave vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Rrjedhimisht, është sabotuesi numër një i luftës për çlirim. Dhe, faktikisht, pamundësoi rezistencën e organizuar luftarake kundër pushtuesit, deri në dështim të luftës.

Hashim presidenti është i akuzuari i parë vendor e ndërkombëtar, për krime lufte. Premtoi se do të ngrisë padi për shpifje kundër Dick Martit. Nuk guxoi ta bëjë atë, sepse, nëse transplanti i organeve nuk ishte i besueshëm, akuzat tjera për krime ndaj bashkëkombasëve ishin faktike, sepse varret numerike janë dëshmi, që nuk demantohen dot. Hashim presidenti është i shantazhuar i shumëfishtë: nga ndërkombëtarët, Serbia dhe familjet e viktimave.

Duke qenë në cilësinë e kryeministrit e, më vonë, të presidentit të vendit, ka aprovuar të gjitha marrëveshjet e dëmshme, të propozuara nga Serbia, përfshi këtu edhe korrigjimin e kufinjëve me Serbinë, përkatësisht, ndarjen e Kosovës. Së fundi, ka shtuar edhe kompromisin e dhimbshëm - zhbërjen e Gjykatës Speciale, faljen e krimeve dhe të kriminelëve të ndërsjelltë, përfshi edhe vehtën e tij!

E gjithë kjo synohet të bëhet në këmbim të paprekshmërisë së tij peresonale e grupore, të lirisë individuale e grupore, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, për krimet makabre të luftës dhe pas saj, me sadizmin, për t`ia pasur zili edhe ideologjitë, sistemet e egra fashiste dhe komuniste.

Për këto qëllime të errëta, është bashkuar PAN-i, sepse aleatët përbërës të tij i bashkon krimi. Kjo shpjegohet me heshtjen e Haradinaj dhe Limaj, sepse kanë besim në dallaveret, intrigat, konspiracionet kriminale të Hashim presidentit, nga të cilat presin shpëtim edhe ata. 

Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka besuar në drejtësinë e deritashme, qoftë vendore apo ndërkombëtare, sepse gjykimet e tyre kanë qenë të blera dhe politike. Për qëllime pafajësie, janë dhënë milionat, nga paratë e popullit, në rrugë zyrtare, vullnetare, por, më shumë të dhunshme, nëpërmjet haraçit të përgjakshëm.

Shqiptarët, përtej dekadës, jetojnë me ankthin e frikës të ligjshme, për matrapazllqet e frikshme, që Hashim presidenti vazhdon të bëjë në kurriz të popullit të Kosovës. Andaj, shkarkimi i tij, duhet bërë, madje, pa pritur ndonjë gjëmë më të madhe që mund t`ia bëjë vendit.

2) Pse duhet kërkuar përgjegjësi nga kreu i LDK-së Isa Mustafa?

Betimi në fëmijtë e tij i ish-presidentit Fatmir Sejdiu se "Isa Mustafa është pjellë e SHIK-ut, sa vjen e bëhet më lëndore, më i besueshëm. Katapultimin e tij në krye të LDK-së, pa qenë kurrë anëtar i saj, shënon dyshimin e parë, ndërkohë që LDK-ja kishte armatën e kuadrove të saj, të sprovuar në përballjen me pushtetin represiv të Millosheviçit dhe të hafijeve të tij brenda LPK-së, të mbështetur edhe nga social-komunistët e Tiranës zyrtare.

Isa Mustafa treshëgoi një klan nga paraardhësi i tij. Me përvojen moniste që kishte, u kujdes për ta konsoliduar, deri në robotizëm, për ta bërë pronë të tij. Së fundi, e ka begatuar klanin, duke sjellur militantë klanorë të rinj, në këmbim të shpërblimit të shpejtë me poste. Këta, të joshur nga privilegjet, harruan idealet reformiste, madje, zellshëm luftojnë bashkëmendimtarët e tyre të djeshëm, me një kundërvënie të porositur, gjithnjë në shërbim, qorrazi, të kryetarit Mustafa.

Pa përsëritur "të bëmat" e Isa Mustafës, të cilat, tashmë, janë thënë e stërthënë, ai, që nga kontrabandimi në krye të LDK-së, i aprovoi, përkrahu të gjitha nismat e Hashim kryeministrit, më vonë, të Hashim presidentit, të cilat, pamëdyshje, ishin fatale për Kosovën dhe popullin e saj, madje, deri të bërja e tij president!

Isa Mustafa ka abuzuar me postin e kryetarit, i mbështetur nga klani i tij, për përfitime reciproke, përkatësisht,, mbajtjen e posteve partiake, duke shmangur provimin me votën e fshehtë demokratike. Rrjedhimisht, duke bërë edhe ndryshime statutare, përfshi edhe nenin 50+1, për t`u bërë kandidat për kryetar, i cili është i turpshëm dhe kriminal. Më tej, dëgjeneroi të gjithë procesin zgjedhor partiak, duke e bartur nga qendra në bazë, si: ndalimin e debatit, shmangien e konkurrencës së ndershme, heqjen e votimit të fshehtë demokratik dhe zëvendësimin me aklamacionin fiktiv.

Preferenca për koalicion, me PAN-in kriminal, në raport me WW-në, dëshmon për mungesë morali të Isa Mustafës me klanin e tij dhe lidhjen e drejtëpërdrejtë me krimin.

Intrigimet e fundit të kreut të LDK-së, në konspiracion të plotë me Hashimin, me role të ndara: Hashimi lufton Albinin, Isa Vjosën. Ndërkohë që, hipokrizisht, akuzon Vjosën se koordinon me Albinin, për mungesën në seancën e Qeverisë Hoti, më saktësisht, qeverinë Hashimi-Isa, ku mungoi edhe Albini i WW-së.

Presioni, shantazhi, deri në kërcënim me përjashtim nga LDK-ja të Vjosë Osmanit, Haxhi Avdylit, Fatmir Rexhepi nga Isa Mustafa, duke përdorur strukturat e partisë, është jo vetëm kriminale, por, edhe thellësisht rrugaçërore. Citojmë:.."uniteti dhe solidarizimi i brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste", - hakërrohet i frustruari Isa Mustafa.

Strukturat e LDK-së, në vend që të distancohen nga Isa Mustafa dhe klani i tij, disa tellallë nga këto struktura, janë bërë logjistikë e kryetarit dhe rrethit të tij vicioz, duke mashtruar e gënjyer turpshëm se "në LDK-e lejohet e respektohet mendimi ndryshe, se kryetari i LDK-së është zgjedhur konform rregullave statutare nga Kuvendi i LDK-së dhe përrallisje tjera imaxhinare.

Ndërkohë, nga impulisime të tilla marroqe, Isa trimërohet dhe mbledh, në takimet e ndara, Kryesinë, kryetarët e komunave, Këshillin e Përgjithshëm, për ta shtuar numrin e lakejve kritikues e linçues të Vjosës me shokë. Kësaj praktike të ndyrë e kriminale, tipike të regjimeve rankoviçiane e millosheviçianeve, të diferncimit politik dhe dajakut praktik, ndaj qendesëtarëve shqiptarë, duhet dhënë fund. Isa Mustafa, me klanin e tij, kanë përgjgegjësinë faktike, për të gjithë katrahurën aktuale, sepse janë vënë, tërësisht, në shërbim të Hashimit. Aktivizimi i treshës famëkeqe Hashim-Isa-Skënder Hyseni, për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke u fshehur pas një shteti mik, për t`i hapur rrugë ndarjes të Kosovës, është një ogur i keq për shqiptarët.

Shërbimin e fundit që mund t`i bëjë Isa Mustafa LDK-së dhe Kosovës është "una gentile retirata" (një tërheqje e mençur), siç thoë italianët, njëherësh, duke marrë përgjegjësinë, për fajet në vijimësi në dëmtimn e LDK-së dhe të Kosovës, në kolaborim konspirativ me Hashim Thaçin.

3) Stop lidërshipit revanshist, vetëjak të Albin Kurtit!

Lideri i WW-së, Albin Kurti, me Lëvizjen Vetëvendosje të tij, për një dekadë e gjysmë radhazi, bëri një opozitë aktive, duke u konsideruar si e vetme në mbrojtje të Republikës. Duke e qenë e vetme, në misionin e shenjtë të mbrojtjes të Republikës, i është imponuar edhe vrazhdësia opozitare. Arriti të bëhet shpresa e popullit, natyrisht, në koalicion me LDK-në. Por, Albin Kurti, me vetëjakësinë tij egoiste, me prepotencën, mujëshinë unike, shpërfilli aktivistët e WW-së, shkeli mbi përpjekjet, mundimet, sakrificat e tyre, deri në përgjakje.

Rrjedhimisht, Kurti abuzoi me liderizmin e tij dhe zhgënjeu shumë, duke mos pyetur askënd për veprimet e tij të rrëmujshme, duke mos ditur ta menaxhojë fitoren meritore në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për ta humbur atë në tavolinë. Andaj, përgjegjësia e Kurtit është domosdo, për ta disiplinuar, që të mësohet të punojë e vendosë, në dakordim me udhëheqjen kolegjiale. Pësimi lë të bëhet mësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat