Çka pas shkarkimit

Opinione

Çka pas shkarkimit

Nga: Skender Musliu Më: 23 qershor 2020 Në ora: 18:34
Skender Musliu

Me iniciativën e Isa Muistafës, me 06 Qershor 2020, pas një votimi on line, në mënyrën më mizore u shkarkua një nga figurat më pragmatike, më parimore, më të përtgatitura, me orientime Euro-Atlantike, Zonja Vjosa Osmani nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë të LDK-ës. Ky votim erdhi si rezultat i disa fërkimeve dhe mospajtimeve të Zonjës Osmani me një pjesë të Kryesisë së LDK-ës dhe Isa Mustafës.

Mirëpo shkarkimi i saj është bërë në kundërshtim me dispozitat statutare të partisë, sepse fillimisht me këtë çështje është dashur të merret Komisioni Disciplinor, i cili do t’i propozonte organeve vendimarrëse të partisë masat, eventualisht duke respektuar procedurat e shkarkimit. Kjo don të thot se mënyra se si është organizuar dhe orkestruar ky shkarkim nuk janë konform Statutit, si akt juridik më i lartë i partisë. Ky fakt tregon edhe për ngutësinë e shkarkimit pa i lënë mundësi që vendimi i organeve të brendshme të ankimohet.

Zonja Osmani u shkarkua me pretekstin se nuk respektoi vendimet dhe qëndrimet e partisë, në fakt ky është një mashtrim dhe manipulim i ulët nga Isa Mustafa dhe argatët e tij me opinionin, sepse ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Në realitet Zonja Osmani është bërë viktimë e mbajtjes së premtimeve zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 të cilat më vonë u bënë pjesë përbërëse e Marrëveshjes për bashkqeverisje me LVV dhe pjesë e  Programit qeverisës. Pikërisht këta që po shkarkojnë Zonjën Osmani kanë shkelur rëndë këto dy Programme, sepse në ato ishte paraparë  që pas tarifës 100% të vendoset reciprociteti, se Qeveria e ardhshme nuk do të mvarej nga Lista Srpska, se nuk do të ketë koalicion me AAK, Nismën dhe AKR-ës që Avdullah Hoti i kishte quajtur « bandë mafioze », se nuk do të kishte pazare për territore, e tjera.

 Fatkeqësisht LDK-ja dhe Qeveria Hoti bëri të kundërtën, shkeli dhe manipuloi premtimet elektorale, uzurpoi, dhunoi dhe keqpërdori votat e sovranit për pazare politike dhe interesa të ulta personale.

Vlenë të theksohet se në të kaluarën ka patur raste kur nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë të LDK-ës po ashtu nuk kanë respektuar vendimet e partisë. Kështu ka patur vendime të LDK-ës që të vototohet pro zgjedhjes së Thaqit për kryetar, pro Demarkacionin, pro « Zajednicën » dhe shumë raste tjera, kurse  anëtarët e LDK-ës kanë votuar kundër këtyre vendimeve të partisë, por Isa Mustafa dhe skuadra e tij nuk kanë ndërmarrë ekspidita ndëshkuese ndaj tyre, sikurse ndaj Zonjës Osmani, madje ajo ka kaluar në heshtje.

Pse ndaj Zonjës Osmani u veprua ndryshe !?

Sepse Zonja Osmani me parimet dhe qëndrimet e saj konsistente është bërë pengesë për

zbatitimin e proçeseve retrograde për Kosovës, është bërë pengesë për zbatimin e Projektit tradhtues të Thaqit për ndarjen e Kosovës, është pengesë që Hashim Thaqit mos ti mundësohet një mandat i dytë dhe që në pushtet të kthehet kasta e vjetër e korruptuar  politike e lidhur me krimin e organizuar dhe nëntokën e Kosovës.

Qëndrimet e Zonjës Osmani nuk janë kundër LDK-ës, por ato janë kundër disa të koruptuarve, pazargjinjëve dhe matrapazëve politik në Kryesinë e LDK-ës, që kanë uzurpuar dhe manipuluar votën e sovranit për interesa të ulta dhe të ndyta personale.  

Në LDK-ës janë dy rryma, rryma « e të mirës « dhe ajo « e të keqes ». Në rrymën e të mirës bëjnë pjesë forcat progresive, sikurse Vjosa Osmani,Haxhi Avdyli, Lumir  Abdixhiku, Xhafer Tahiri,Vehbi Miftari, F. Peci, Fatmir Rexhepi, H. Borovci dhe shumë të tjerë që janë për demokratizim, jo vetëm të LDK-ës, por edhe të skenës politike të Kosovës, është shpresa që punon për qeverisja ndryshe me parime perëndimore, dhe rryma « e të keqës » ku bënë pjesë klika regresive që përfaqëson të kaluarën e inkriminuar politike, e ku bëjnë pjesë, Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Skender Hyseni, Arben Gashi, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Naser Rugova dhe disa piuna që lëpijnë sahanat e tyre.

Çka pas shkarkimit të Zonjës Osmani !?

Ditëve të fundit, nëpër rrjetet sociale po qarkullojnë disa sondazhe me pyetjen se a duhet Zonja Osmani të kalojë në LVV, duke aluduar se ajo duhet t’a bëje një veprim të tillë.

Mendoj se një veprim i tillë, do të ishte një gabim monumental sepse  kështu do t’a vuloste fundin e karierës së saj politike.Në këtë mënyrë ajo  do t’ia bënte një shërbim shumë të rëndësishëm rrymës regresive dhe të inkriminuarve të LDK-ës, do t’a fuqizonte sjelljen autokratike të Isa Mustafës dhe do të ngulfateshin proçeset demokratike të partisë.

Duke patur parasysh faktin se një pjesë e madhe nuk kanë votuar, ose kanë abstenuar apo kanë qenë kundër shkarkimit të Zonjës Osmani, kjo mund të shfrytëzohet si bazë e mirë që t’a organizojë këtë potencial njerëzor rreth saj, sepse bëhet fjalë për një anëtarësi relativisht të re për nga mosha, intelektual të përkushtuar, me orientime proeuropiane, me një elan të ri duke u bërë pjesë e proçeseve që e presin Kosovën.

Vetëm me një angazhim brenda LDK-ës, Zonja Osmani do të mund t’i bëjë ndryshimet që i pritë elektorati i LDK-ës. Ditëve në vijim do të jemi dëshmitarë të zhvillimeve të reja brenda LDK-ës, duke parë reagimet dhe pakënaqësitë e Degëve dhe Nëndegëve të LDK-ës kundër një pjese të inkriminuar të Kryesisë që ka keqpërdorur partinë për qëllime të veta.

Zonja Osmani, në kushtet dhe rrethanat aktuale duhet të qëndrojë në LDK, kurse më vonë proçeset do t’a përcaktojnë të ardhmen e saj, por kursesi në LVV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat