Medvegja tokë jona e mileniumeve, kërkon ndihmën tonë!

Opinione

Medvegja tokë jona e mileniumeve, kërkon ndihmën tonë!

Nga: Arif Ejupi Më: 26 qershor 2020 Në ora: 09:10
Arif Ejupi

Medvegja qysh në lashtësi njihet si vendbanim i Dardanëve autokton. Këtë të vërtetë të pakontestueshme e dëshmojnë edhe mbetjet arkitektonike të shekullit të IV – të epokës së re.

Pushtimi romak këtë Krahinë e gjeti me emrin iliro – dardan - Idimum.

Serbia, e njohur nëpër shekuj si okupuese e tokave shqiptare nga frika që të shpërngulurit shqiptarë me dhunë e gjenocid të vitit 1877 – 1878, nga 600 fshatra të Sanxhakut të Nishit, që ndryshe njihej edhe me emrin Shqipëria Verilindore, do të vendosën tek vëllezërit e tyre të një gjaku dhe gjuhe në Medvegjë, nisën kolonizimin e kësaj pjesë deri atëherë puro shqiptare, me ardhacak serbë.

Kjo provincë si entitet shqiptar me 44 fshatra, dhe me dy qendra urbane Medvegjën dhe Sijarinën, ende vazhdon të administrohet nga Serbia.

Një nga vitet më të rënda për banorët e kësaj ane konsiderohet edhe viti 1944, kur partizanë e çetnikë serbë pakurrfarë faji vranë dyqind shqiptarë autokton të këtij lokaliteti.

Nga burime të faktografuara shihet qartë që Serbia, edhe në periudhat e mëvonshme në këtë Krahinë, ka ushtëruar segregacion e diskriminim, deri tek përpjekjet e vazhdueshme për asimilim të përgjithshëm të popullit shqiptar.

Në orvatje të humbjes së gjurmëve shqiptare një numri të konsiderueshëm shqiptarësh iu kanë shëmtuar mbiemrat, me atë viçin e përlyer sllav.

Ky asimilim është evituar falë zgjuarsisë së banorëve shqiptarë të kësaj treve. Ata të gjitha martesat i kanë bërë me shqiptarët e fshatrave përreth, dhe me ata në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Ulqin e Krajë, e së fundi dhe me shtetin Amë – Shqipërinë.

Më të shpërthyer lufta frontale Serbi – Kosovë, kriminelë e piromanë serbë me urdhër nga Beogradi, vetëm gjatë viteve 1999- 2001, përzunë nga shtëpitë e tyre të shekujve 7500 shqiptarë.

Ata, nën presion e dhunë u vendosën kryesisht në Fushë- Kosovë e Prishtinë. Medvegjasët duke e ruajtur në mendje e zemër edhe tek fëmijët e tyre ëndrrën për kthim në tokën e tyre, nuk shitën as edhe një pëllëmbë të saj.

Vëllezërit, Ismet, Shaban dhe Fadil Selmani, mërgimtarë të hershëm nga Medvegja, në Gjenevë të Zvicrës, thonë që nga rënia e komunizmit, secili medvegjas mision vetvetes ia ka parashtruar kthimin me çdo kusht në tokën e stërgjyshërve të mbrojtur me gjak.

Jo vetëm banorët e këtij regjioni por të gjithë duhet të ndihemi krenarë dhe ta kujtojmë çdo stinë e mot punën kolosale të albanologut të njohur Idriz Ajeti. Ai mbi tetë dekada e pasuroi Gjuhën shqipe, me qindra trajtesa dhe studime me mjaft vlerë.

Akademik, Ajeti, edhe pse në kushte tepër të vështira krahas Eqrem Çabejt, i dha thesare të shumta Fonetikës historike, Historisë së gjuhësisë, Dialektologjisë, Leksikologjisë ,Morfologjisë dhe Sintaksës së Gjuhës shqipe.

Veç kësaj eruditi dhe dijetari nga Tupalla, që gjatë një shekulli jetë nuk u përkul nga asnjë furtunë është edhe themelues i Seminarit Ndërkombëtar mbi Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.

Prandaj, me mallin zjarr në gji për Medvegjën, si një entitet shqiptar që rrezaton humanizëm dhe kulturë një grup veprimtarësh mërgimtarë nga këto treva, në mars të vitit 1990, në qytezën Fully të kantonit Valais të Zvicrës, themeluan shoqatën bamirëse “Medvegja “.

Ata me kontributet e tyre të vazhdueshme ndihmuan të gjitha vendbanimet shqiptare në nevojë.

Veçmas bije në sy kontributi i tyre dhënë refugjatëve të ikur nga frontet e luftës në Kosovë, dhe participimi i tyre i pandërprerë me të holla në Fondin e Republikës së Kosovës.

Andaj,këtë humanizëm të medvegjasëve mbi tri decenie është koha që ta kthejmë edhe ne, - o tani -o kurrë.

Me gjithë represionet dhe shantazhet e çdoditshme në Medvegjën, tokë jona e mileniumeve sot jetojnë 600 shqiptarë.

Me kusht të vazhdimit të qëndrimit të mëtutjeshëm të tyre atje, dhe të rritjes së dëshirës për kthim në numër të atyre që me dhunë e presion braktisën këtë vend, duhen investime konkrete dhe të shpejta.

Në të kundërtën do të na përsëritet historia e hidhur, sikur ajo me tokat tona në Sanxhakun e Nishit.

Por, në rastin e Medvegjës, fajtorët do të jemi vetë. Me më shumë gatishmëri e vullnet jemi në rrethana të favorshme që ta ruajmë këtë regjion me bukurit e tij të panumërta.

Këtu përveç maleve dhe luginave me pamje magjepse gjendet edhe ilixhja e Sijarinës, e njohur me ujërat e saj termale dhe shëruese.

Shqiptarët e kësaj zone të ballafaquar me shumë halle llogarisin vetëm në mbështetjen e bashkëkombësve të tyre.

Shteti nga i cili administrohen në vend të projekteve dhe investimeve nga dita në ditë banorëve të këtushëm shqiptarë po ua bënë edhe më të padurueshme jetën.

Ata, privohen nga çdo e drejtë themelore. Shqiptarëve pakurrfarë paralajmërimi u hiqen adresat e banimit dhe shlyhen nga librat amzë si në komunën e Medvegjës, ashtu edhe në atë të Sijarinës.

Të gjithë ata që kanë sy e vesh vërejnë synimet e Serbisë, që nga ky regjion denbabaden tokë shqiptare të ndiqet edhe shqiptari i fundit.

Në përpjekje të shmangies së kësaj tendence me elemente fashisoide dhe cioniste, si nevojë urgjente është paraqitur ndërtimi i dy shtëpive për dy familje shqiptare, që rrezikojnë të mbetën nën qiellin e hapur.

Shoqata humanitare “Medvegja" duke ditur seriozitetin e problemit dhe pasojat e tij, ka paraparë takim të jashtëzakonshëm me afaristë e njerëz vullnetmirë me datën 27 qershor (e shtunë) 2020 .

Organizatorët fillojnë punën me tema të ndryshme nga Medvegja, në ora 18.30, në ambientet e Cafe- Bar “Savane" Rue de Geneve 146.

74240 Gaillard. Në rast të ndonjë paqartësie apo shpjegimi shtesë pangurrim mund të kontaktohet në këtë numër celulari: 00 41/ 79 50 266 88, edhe zoti, Fadil Selmani, sekretar ekzekutiv i shoqatës humanitare “Medvegja".

Me shpresën që kësaj ftese vëllazërore dhe humane do t'i përgjigjeni në numër të kënaqshëm u dëshirojmë shëndet dhe mirëseardhje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat