“Bota sot”, tribunë fisnikërie

Opinione

“Bota sot”, tribunë fisnikërie

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 qershor 2020 Në ora: 14:08
Gazeta kombëtare “Bota sot”

Gazeta kombëtare “Bota sot” lindi në një kohë të kthesave të mëdha historike kur Kosova kishte nevojë për shtyp alternativ, kritik dhe me koncepte profesioniste. Opsionin alternativ, e plotësoi qysh në fillim. Frymën kritike, e vazhdoi në rrethanat vendimtare, ku populli shqiptarë kishte nevojë për një gazetë kombëtare e drejtë-informuese. Ndonëse qarqet antikombëtare kishin përpjekje të pareshtura, gazeta “Bota sot” nuk u ndal dhe vazhdimisht ngriti zërin deri te përmasat e një alarmi, edhe pse në këtë drejtim mbeti e vetmuar shpeshherë.

“Bota sot” ishte dhe vazhdon të mbetet ndryshe nga të tjerat, gjithmonë e pavarur dhe stoike, kritike ndaj fenomeneve antikombëtare e gjithashtu edhe kritike e madhe ndaj vrasjeve të personaliteteve publike të pasluftës.

Arsyeja ishte se gazeta kombëtare “Bota sot” mblodhi në gjirin e vet të gjithë ata të cilët ishin profesionistë, ata të cilët mbronin çështjen kombëtare dhe ata të cilët kishin vizion për bashkimin kombëtar. Pra ishte një gazetë e cila dha frymë të re, jo vetëm gazetarisë në Kosovë, por edhe në Ballkan.

Simbolika e kësaj gazete është, se, botën jetësore të shqiptarëve e bashkon në një, të kaluarën në të sotmen dhe të ardhmen shqiptare në të sotmen. Pra, kur bota e kaluar historike dhe bota e ardhme shoqërore lidhet me "Bota sot" atëherë krijohet përjetësia e gazetës "Bota sot".

Si gjithmonë, gazeta “Bota sot” mbeti dritare informimi djathtiste dhe asnjëherë e zëvendësueshme sa i përket mendimit ndryshe, duke mbajtur gjithmonë të njëjtën ideologji së bashku me angazhimin maksimal për një informim mbarë kombëtar.

Duke iu bërë ballë të gjitha sfidave të kohës, profesionalizmi dhe objektivi i vlerave të verifikuara të gazetës ka qenë dhe mbetet kriteri kryesor i “Bota sot”. Puna e jashtëzakonshme e informimit të drejtë dhe objektiv të lexuesit, e bën këtë gazetë si të vetmen në pasqyrimin real të ngjarjeve dhe zhvillimeve në vendin tonë.

Nuk duhet harruar se gazeta “Bota sot” ruhet edhe si dritare e vetme e pavarur dhe e pandikuar gjatë regjimit okupues të Millosheviqit, i cili në atë kohë kishte futur në terr informativ tërë Kosovën, por ai nuk mundi ta ndalë asnjëherë gazetën “Bota sot”, e cila ishte padyshim informuesja e vetme në tërë diasporën. Gjatë Betejës së Koshares, gazeta “Bota sot” arriti shtypjen e 50.000 ekzemplarëve në ditë, e cila pasqyroi drejtë dhe haptas luftën e drejtë të UÇK-së, e në anën tjetër nxorri në shesh krimet e serbëve.

Si gjithmonë e vetme, gazeta “Bota sot” nuk u përkrahë asnjëherë kur iu vranë gazetarët: Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti. Mbeti e vetme së bashku me guximin, e gjithmonë me krenarinë e angazhimin.

Gazeta “Bota sot” asnjëherë nuk do të ndalen, madje shumë shpejt me projekte të reja, pa dalë asnjëherë nga korniza ideologjike dhe të informimit të drejtë. Dritare informimi fisnikërie e krenarie kombëtare, urë e brezave për liri, pavarësi e shtet bërje, gazeta “Bota sot” do vazhdojë qëllimin e saj në të gjitha trevat ku flitet shqip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat