Kujdes Kosovën!

Opinione

Kujdes Kosovën!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 27 qershor 2020 Në ora: 14:04
Hashim Thaçi, Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama

Shfaqja publike e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, si dhe qetësia e Aleksandër Vuçiç paralajmërojnë furtunë. Gjithmonë ndodh që i mbyturi për ta shpëtuar veten merr pas tij gjithkënd. Duke e ditur këtë skemë, pra duke e paramenduar se Thaçi, Rama dhe të tjerë, të dëshpruar që historia po ju rezervon palavdinë në vend të lavdisë së fantazuar, po bëjnë çmos që ta tensionojnë situatën në Kosovë, në Shqipëri dhe në rajon. Si shenjë dëshprimi dhe si shenjë hakmarrjeje.

Rama më së shumti inatin e hakmarrjes e ka me Bashkimin Europian, në parlamentin e të cilit para pak ditësh u artikuluan akuza kundër kryeministrit të Shqipërisë, të cilat nuk ishin adresuar kurrë më parë kundër asnjë diktatori në botë! Po ashtu Thaçi do donte t'i hakmerrej Europës, sidomos Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, sepse këto dy vende, me qëllim parandalimin e një marrëveshjeje destabilizuese të ndarjes së Kosovës, ia përgatitën presidentit të Kosovës qelinë në burgun e Gjykatës Speciale në Hagë.

Në këto kushte ka nevojë që aktorët dhe faktorët politikë në Kosovë dhe në Shqipëri të bëhen bashkë më shumë se kurrë. Të ulen dhe të diskutojnë si ta shpëtojnë Kosovën dhe rajonin nga aktet e dhunës e të destabilizimit. Politika shqiptare nuk e ka luksin të qëndrojë indiferente dhe të shohë nga larg se si do të rrënohet fati i kombit shqiptar nga bashkëpunëtorët e Serbisë, përkatësisht Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Këta të dy e rehabilituan Serbinë në arenën ndërkombëtare. Këta të dy punuan me mish e me shpirt për t'i dhënë Serbisë territoret më të pasura të Kosovës. Këta të dy u kujdesën që Vuçiç, një kriminel lufte shumë herë më i rrezikshëm se Thaçi, të pranohet në kancelaritë e Europës dhe SHBA-ve, duke e vënë madje në krye të oxhakut! Tani këta të dy qahen se akt-akuza kundër Thaçit na qenka përgatit nga prokurori special i Beogradit!

Qëllimi është që të nxiten grupe të caktuara interesi për ta destabilizuar fillimisht Kosovën e më pas edhe Shqipërinë, Maqedoninë e deri te Bosnjë-Hercegovina. Ndërsa presidenti i Serbisë vetëm se nuk e tha hapur se "Beogradi do të ngrohë duart në zjarrin që mund të ndezin Hashim Thaçi dhe Edi Rama". Konflikti nxitet duke e artikuluar akuzën ndaj Thaçit si akuzë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është loja më e rrezikshme që po ndodh! Prandaj Kujdes! Duhet bashkim, duhet analizë dhe ekspertizë e thellë, duhet të merren vendime historike për Kosovën. Duhen larguar Hashimi dhe Edi me mijëra km larg nga vendimmarrja! Ata e urrejnë suksesin e gjithkujt që vjen pas tyre! Eshtë momenti pra, që Kosova të çlirohet jo vetëm prej tiranisë së grabiqarëve, por edhe prej kasapëve të hartës së saj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat