Me UÇK-në kanë udhëhequr “komandantë” të pa përvojë ushtarake, andaj Specialja iu kthehet sot si bumerang politik..!?

Opinione

Me UÇK-në kanë udhëhequr “komandantë” të pa përvojë ushtarake, andaj Specialja iu kthehet sot si bumerang politik..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 1 korrik 2020 Në ora: 09:04
Rexhep Elezaj

Rrëfimi mbi zanafillën e hapave të parë vendimmarrës për t’ia kthyer pushkën armikut shekullore serb, si dhe përcaktimi ideologjik-kombëtar për organizim ushtarak si dhe mobilizim gjithë popullor në frontin e rezistencës kundër sulmeve barbare të regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989 – 1999), shikuar pa subjektivizëm dhe anime politike, duhet pranuar, sado që ky fakt është i dhimbshëm, se masat e para të vetorganizimit luftarak janë përcjellë me mungesë të qartë të konceptit ushtarak-luftarak, qoftë nga LPK-ja, qoftë më vonë edhe nga LDK-ja, e që nuk ishin fare në harmoni me mundësitë materiale si dhe me doktrinën ushtarake për organizim të mirëfilltë për të hyrë në luftë kundër një Serbie së armatosur deri në dhëmb..!?

Kosova në fillim-vitet e 90-ta nuk kishte fare ushtri, përveç disa grupeve guerile-luftarake të cilat deri në vitin 1997 nga faktorët ndërkombëtarë quheshin, madje “grupe terroriste”, e që ky status faktikisht iu pamundësonte forcave atdhetare që të formonin ushtri të rregullt për t’iu kundërvënë si duhet makinerisë vrastare të regjimit kriminal serb të instaluar në Kosovë me tankse dhe mijëra policë dhe ushtarë të armatosur rënd..!?

Nuk ka shqiptar që dyshon në përkushtimin patriotik të grupeve të para guerile të cilat ia kthyen pushkën shkjaut, por fjalën këtu e kemi, se pse ne si Kosovë dhe si popull me gjithë atë potencial njerëzor dhe financiar nuk arritëm që ta formojmë ushtrinë e rregullt në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, kur dihet se në prapavijë kishim një terren të lirë që të themelonim ushtri moderne si dhe mirë të organizuar. E kishim pra nënën Shqipëri, ku mund të bënim çdo lloj organizimi luftarak si dhe ushtri me komandë dhe disciplinë ushtarake, dhe ashtu të organizuar fuqishëm të hynim në luftë kundër një armiku zemër-lepur, siç ishte ushtria e Serbisë, por siç dihet me një arsenal të madh armatimi të grabitur nga ushtria ish jugosllave..!?

Mirëpo, pa hyrë në detaje se pse ndodhën gjitha ato përçarje dhe mos-unitet midis faktorëve të atëhershëm politik e më vonë edhe ushtarak, siç ishin UÇK-ja e formuar nga LPK-ja dhe Ministria e mbrojtjes-FARK-u nga qeveria “Bukoshi” në ekzil, dy krah të kundërt politik, të cilët mjerisht nuk arritën kurrë që të bashkohen për formimin e ushtrisë së përbashkët, shkaqet të cilit dështim janë trajtuar dhe shpjeguar në forma të ndryshme në këto 20 vitet e fundit, siç ishin konfliktet ideologjike dhe politike midis udhëheqësve të LPK-së, në njërën, dhe LDK-së, në anën tjetër.

Pra, nisur nga këto dy këndvështrime të kundërta do të fillon konkurrenca e dëmshme, “se kush do ta nisë luftën i pari”, e deri tek vendimet ndryshe rreth organizimit ushtarak; duhet apo nuk duhet filluar luftën e armatosur kundër ushtrisë kriminale të Serbisë, tash ose më vonë etj., e them me bindje të plotë si dëshmitar i kohës dhe pjesëtar aktiv i ngjarjeve, se po të përfundonte me sukses takimi i Oslos midis përfaqësuesve të UÇK-së të prirë nga Adem Demaçi, Xh. Haliti, etj., dhe atyre të qeverisë në ekzil, të përfaqësuar nga kol. Ahmet Krasniqi, Agim Mehmeti, etj., (21-23 maj 1998) duke u marrë vesh për unifikimin e qëndrimeve politike për formimin e ushtrisë së mirëfilltë me komandant profesionist ushtarak, jam gati i sigurt se Kosovën do ta çlironim edhe pa ndihmën e NATO-s.

Është kështu për faktin, sepse sado të kenë qenë patriotë dhe atdhetarë grupet rajonale ushtarake, apo siç quheshin zonat dhe shtabet rajonale të UÇK-së, atyre pa dyshim, u ka munguar përvoja luftarake, komanda unike, strategjia ushtarake për organizim të sulmeve efektive kundër ushtrisë armike, dhe këtë fakt më së miri e ka dëshmuar beteja e suksesshme Loxhës, posaçërisht lufta në Koshare, ku armikut kriminal serb i janë shkaktuar humbje të mëdha në ushtarë dhe armatim, të cilën betejë serbët nuk do ta harrojë kurrë !

Pra, nuk ka asnjë dyshim se ushtria jonë çlirimtare ka pasur mungesë të madhe të oficerëve profesionist të cilët do ta udhëheqnin luftën çlirimtare me kompetencë të lartë ushtarake, mungesë kjo e cila Kosovës i ka kushtuar me vrasjen masive të civilëve shqiptarë nga makineria kriminale ushtarake e Serbisë, meqenëse komandantët e papërvojë, as nuk kanë ditur dhe as nuk kanë mundur që ta mobilizojnë dhe rekrutojnë rininë në ushtri të rregullt, por as popullin ta shpëtojnë nga masakrat barbare të paramilitarëve çetnik si dhe ushtrisë kriminale të Serbisë, sepse thjeshtë nuk e kanë njohur mirë artin e luftës dhe as strategjinë e mbrojtjes civile, etj.

Nisur nga këto fakte që kanë qenë evidente gjatë gjithë kohës së luftës, këtu nuk duhet përjashtuar mundësinë se ndonjë “komandant” i pa përvojë ka mundur, gjatë, ashtu edhe pas përfundimit të luftës, të ketë bërë ndonjë shkelje të ligjeve të luftës, kuptohet nga mllefi dhe si hakmarrje ndaj masakrave të kriminelëve serbë që i bënin popullatës shqiptare, sepse sikur t’i kishin njohur mirë ligjet e luftës, jam i sigurt se individë brenda UÇK-së sot nuk do akuzoheshin për shkelje të konventave të Gjenevës (1949) dhe as për “krime të luftës kundër njerëzimit”, siç ishte akuza e rënd e Dick Marttit e ngritur në Asamblenë e përgjithshme në Këshillin e Evropës kundër disa udhëheqësve të UÇK-së në janar të vitit 2011..!?

Dhe tani, kur vetë ish udhëheqësit e UÇK-së, H. Thaçi, K. Veseli, Xh. Haliti, A. Syla, F. Limaj, R. Haradinaj, S. Lushtaku, J. Krasniqi, A. Çeku dhe disa të tjerë, e pranuan formimin e Gjykatës speciale për krimet e mundshme të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, kur vet H. Thaçi nuk ka lënë gurë pa lëvizur derisa i bindi deputet e Parlamentit të Kosovës që ta miratojnë ligjin për formimin e Gjykatës Speciale (03.08. 2015), ata sot nuk duhet të tregohen frikacakë, ngase janë vetë autorë të formimit të kësaj Gjykate. Pra duhet ta pranojnë si burra verdiktin e kësaj gjykate, sepse sikur ta kishin udhëhequr deri në çlirim të plotë luftën çlirimtare oficerët dhe komandantët ushtarak me përvojë, siç ishin ushtarakët e vrarë gjatë luftës, kol. Ahmet Krasniqi, kol. Tahir Zemaj, kol. Agim Qelaj, pastaj ushtarakët dhe oficerët e shumtë nga Gjermania, Zvicra dhe në SHBA-të,  Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk do të akuzohej sot për krime lufte dhe as për ndonjë veprim antiligjor, e që luftën e saj për liri dhe mbrojtje të pragut të shtëpisë nuk do ta kualifikonin si krim kundër njerëzimit..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat