Alfa dhe omega e Ardian Kastratit që ishin në konflikt gjatë luftës me familjen Jashari

Opinione

Alfa dhe omega e Ardian Kastratit që ishin në konflikt gjatë luftës me familjen Jashari

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 korrik 2020 Në ora: 12:34
Ardian Kastrati

Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë alfa dhe omega e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vlerësuar një profesor.

Ky profesor është Ardian Kastrati, i njohur për të gjithë se si është bërë profesor dhe se sa i afërt është me PDK-në.

Po të thuash që Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shumë fyerja për heronjtë dhe për të gjithë ushtarët e vërtetë, të cilët kanë luftuar për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë pa marrë urdhra e ndoshta edhe pa i njohur këta dy emra të cilët i ka cekur Kastrati.

Ky profesori i nderuar, e ndoshta jo edhe shumë i respektuar nga studentët dhe ata që po e njohin si opinionist në televizionin publik, po harron, apo ndoshta nuk po dëshiron të tregoj faktin se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në konflikt me familjen legjendare nga Prekazi, familjen e heronjve të lirisë Jashari.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe vet Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se dera e familjes Jashari ishte e mbyllur me të drejtë edhe në kohë lufte.

“…po këta kanë qenë në armiqësi me Adem Jasharin. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Raportet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit pas luftës dhe gjatë luftës unë i kam balancuar. Përndryshe ata as atëherë nuk do t’i kishin pranuar në familje dhe me të drejtë. Ata sot nuk munden me shku”, ka thënë Jakup Krasniqi ndër tjera gjatë një interviste për media në Kosovë.

Pra në luftë, sa ishin gjallë Ademi dhe familja e tij, këta bosat që po i përmend Kastrati kanë pas konflikte mes vete.

Kjo padyshim që nuk duhet harruar, dhe duhet përkujtuar ditë e natë. Madje duhet me ua kujtu edhe fëmijëve, ashtu siç kërkoi Kastrati nga opinionisti tjetër që nuk i pëlqeu profesorit që fëmijëve të ua tregon të vërtetën e luftës, në debatin e zhvilluar mbrëmë në televizionin publik.

Fëmijëve dhe gjithë kombit shqiptar duhet me ua përkujtu faktin që edhe pasluftës dera e madhe e familjes heroike nga Prekazi, ishte e mbyllur për alfan dhe omegën e Kastratit. Pra për Thaçin e Veselin, të cilët gjithçka fituan në emër të luftës.

Të vërtetën duhet ta themi që të gjithë, përfshirë këtu edhe Kastratin.

Lufta e UÇK-së, ka filluar me Adem Jasharin, me Zahir Pajazitin dhe me gjithë ata ushtarë të cilët e deshën Kosovën dhe luftuan e dhanë gjithçka për ta. E jo nga disa individë që përfituan nga lufta dhe tash kur i kanë punët ngushtë, po duan të mbrohen në vlerat e arta të UÇK-së, pas shumë tradhtive që i janë bërë ushtarëve të vërtetë, invalidëve të luftës dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për Kosovën e pavarur.

Për fund, tallja që po u bëhet vlerave të luftës është shumë e madhe. Andaj edhe nuk duhet që të tallemi me UÇK-në.

Në qoftëse, lufta e UÇK-së, identifikohet me alfan dhe omegën dhe me disa multimilionera në Kosovë, që u pasuruan me çlirimin e Kosovës, duke uzurpuar pallate, toka e shtëpi, nën emrin e UÇK-së, është fyerja më e madhe për ushtrinë.

UÇK-ja ka luftua në Kosovë dhe jo në hotelet e Tiranës.

Mos harroni as sloganin e milionerëve që u pasuruan në emër të UÇK-së, “E nxane – UÇK”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat