Aktakuza kundër Thacit e parakohshme, apo në kohën e duhur?

Opinione

Aktakuza kundër Thacit e parakohshme, apo në kohën e duhur?

Prof. Lisen BASHKURTI Nga Prof. Lisen BASHKURTI Më 2 korrik 2020 Në ora: 13:54
Hashim Thaçi

Vetëm pak ditë përpara organizimit në Shtëpinë e Bardhë të samitit midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Richard Grenellit, u bë publike nga Prokurori Special për Kosovën aktakuza për Presidentin Thaci dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Veseli. Të dy akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, lidhur me 100 vrasje të serbëve, shqiptarëve, kundërshtarëve politikë dhe romëve në periudhën fundi i 1998 deri në fillim 2000.

Prokurori Special e kishte paraqitur dosjen e aktakuzës te gjykatësi i Gjykatës Speciale me 24 prill 2020. Sipas procedurës penale gjykatësi e shqyrton dosjen brënda 6 muajsh, kohë në cilën ose e konfirmon pranimin në ngarkim të Thacit dhe Veselit, ose e kthen atë për vijimin, thellimin dhe plotësimin e hetimeve sërish tek Prokurori Special. Sipas procedurës, në këtë periudhe 6 mujore, emrat e të akuzuarve mbeten konfidencial. Ndërkohë, Prokurori Special dhe zyra e tij për informimin e bënë publike aktakuzën pothuajse dy muaj pas dorëzimit, katër muaj përpara afatit të shqyrtimit nga gjykatësi dhe vetëm dy ditë përpara samitit në Shtëpi të Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjithë diskursi i këtyre ditëve është rreth pyetjeve: përse u bë publike përpara kohe aktakuza kundër Presidentit të Kosovës, Thaci? A ishte kjo si pasojë e diferencave midis BE dhe ShBA për samitin e Uashingtonit? A lidhej ky informim publik me “Specialen’ dhe parandalimin e copëtimit të Kosovës në Uashington? A kishte të bënte me përpjekjen për amnisti penale reciproke Kosovë-Serbi? Bazuar në gjithcka që është bërë publike, si dhe në analizat e të dhënave të ndryshme të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mendoj ka dy arsye kryesore që aktakuza u bë publike përpara kohe dhe vetëm pak dite përpara samitit të Uashingtonit Vucic-Thaci të organizuar nga Richard Grenell. Fillimisht është e nevojshme të dimë dicka mbi ‘Specialen’ në Kosovë, sepse vërehet që flitet shumë, por dihet pak.

Si dhe përse u krijua ‘Specialja” në Kosovë

Pas luftës së vitit 1999, Kosova kaloi nën administrimin e UNMIK në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB. Nga 1999 deri në 2008 në Kosovë drejtësia kaloi në duart e UNMIK. Nga viti 2008 në Kosovë u krijua misioni i EULEX i BE për drejtësinë dhe ligjin. Ndërkohë, në Kosovë kishte edhe organe të drejtësisë vëndore. Për një periudhë rreth 15 vjecare të tre këto struktura drejtësie të UNMIK, të EULEX dhe të Kosovës nuk arritën dot që të merrnin përsipër të hetonin dhe të gjykonin rastet e dyshimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të periudhës para dhe pas luftës 1998-2000 në Kosovë.

Për këtë arsye Kosova filloi të akuzohej ndërkombëtarisht si vendi i mos ndëshkueshmërisë dhe i mungesës së sundimit të ligjit të brëndshëm dhe ndërkombëtar. Nisi rënia e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Midis këtij sensibilizimi të lartë ndërkombëtare për dyshime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për disa individëve të lartë të UCK dhe dështimit të UNMIK, të EULEX dhe drejtësisë vendore të Kosovës për t’i hetuar dhe gjykuar këto raste të dyshuara, u krijua një vakum i cili nxiti BE dhe ShBA në iniciativën për themelimin e një trupe speciale në 2015.

Në Kosovë pati debate dhe dilema të mëdha për këtë trupë speciale. Por, për Kosovën alternativat ishin dy: ose të krijohej Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës, me përbërje nga BE dhe ShBA si dhe me financim nga BE me qëndër në Hagë, ose t’i lihej iniciativa KS të OKB të krijonte një prokurori dhe gjykatë ad hoc për Kosovën. Alternativa e dytë, do të përfshinte në këtë proces edhe Rusinë dhe Kinën, gjë që do ishte shumë e rrezikshme për vetë pozicionin e tyre kundër Kosovës.

Midis këtyre dy alternativave bazuar në një marrëveshje ndërkombëtare Kuvendi i Kosovës në 2015 miratoi një amendament kushtetutës si dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Ata janë institucione të përkohëshme, me mandate dhe juriksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë. Dhomat e Specializuara si dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë me seli në Hagë të Hollandës. Personeli i tyre është ndërkombëtarë, nga BE dhe ShBA. Financimi është nga BE.

Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale. Risia e trajtimit të rasteve të dyshuara, tani qëndron te fakti se Dhomat e Specializuara edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë funksionojnë me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Dhomat janë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë dhe i bashkëngjiten Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht Zyra e Prokurorit Special u ka dërguar ftesa për intervista dhe dëshmi disa personave, kryesisht ish-pjesëtarë të UÇK-së. Por, të gjitha aktakuzat, duke përfshirë edhe ato kundër Presidentin Thaci dhe ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Veseli, janë akuza krejtesisht individuale dhe absolutisht jo kundër UCK-së. Dhe tani, le t'i kthehemi pyetjes se përse u bë publike përpara kohe aktakuza kundër Thacit.

Arsyeja I: Rreziku i zhbërja e ‘Speciales’ me vendim parlamenti në Kosovë

Kur nga kanale të shumta burimesh informacioni, duke përfshirë edhe thirrjet e dëshmitarëve dhe të akuzuarve për intervistime në Hagë filloi të kuptohej qartësisht se “Specialja’ për Kosovën filloi seriozisht punë, në Kosovë nisën përpjekje të caktuara nga qarqe politike dhe persona të lartë që të zhbënin Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale. Një lobim i organizuar dhe iniciativa të ndryshme filluan të përgatisnin një peticion edhe në Kuvendin e Kosovës. Ishte ky një proces retrogradë shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën, drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Kundër këtyre përpjekjeve menjëherë reagoi Ambasadori i ShBA në Kosovë, Delawi. Në një event me 22 dhjetor 2018 Delawi deklaronte… “Jam këtu për të folur për përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë dhe të ardhmes së saj si vend demokratik dhe evropian.

Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar ligjin që autorizon Gjykatën Speciale”…”Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet”… “deputetët që e mbështesin këtë nismë - dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre - do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses”...”Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që e kanë në fuqi për të siguruar që Gjykata të ketë mundësi ta përfundojë mandatin e saj”…”Kosova nuk mund të jetë vend ku pandëshkueshmëria është norme”. Më tej ambasadori Delawi shtron pyetjet: “A dëshironi që Kosova të jetë vend ku sundimi i ligjit nuk zbatohet për ata që kanë pushtet ose miq politikë? A dëshironi që Kosova të jetë vend ku kriminelët nuk përballen me kurrfarë pasojash për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të jetë vendi i lënë prapa kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian? Apo mos dëshironi që Kosova të jetë vend ku respektohet sundimi i ligjit, që mbron të drejtat e viktimave dhe që e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe aleate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?” (Fjala e ambasadorit Delawie lidhur me Gjykatën Speciale, 17.01.2018, https://xk.usembassy.gov/…/fjala-e-ambasadorit-delaëie-lid…/)

Duke i bërë jehonë të drejtpërdrejtë fjalës së Ambasadorit të ShBA në Kosovë, Delawi, Washington Post, me 22 dhjetor 2018 botonte shkrimin “US warns Kosovo against the Law on Special Court”, ku citohej ambasadori amerikan në Kosovë si më poshtë…“Më duhet ta them se jam shumë i zhgënjyer që kjo gjë erdhi nga askund në këto ditët e fundit, pa kurrfarë debati publik për këtë çështje thellësisht të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Kjo është e turpshme nga këndvështrimi im...Nëse kjo iniciativë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Europës. Do të konsiderohet nga SHBA si thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin, në vend të bashkëpunimit dhe e urrej ta them se do të kthehet ora prapa për Kosovën”.
(https://www.washingtonpost.com/…/cdf111a4-e73c-11e7-927a-e7…)

Arsyeja II: Rreziku i zhbërjes së ‘Speciales’ në këmbin të coptimit territorial

Kur përpjekja për zhbërje të “Speciales’ nga brënda Kosovës, prej deputetëve dhe politikanëve të interesuar për këtë dështoi, athere u hodh hapi dytë, për ta zhbërë atë me marrëveshje ndërkombëtare, pra përmes të drejtës ndërkombëtare. Për këtë u shfrytëzuan negociatat Kosovë-Serbi. Ishte kjo asryeja qe negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, prej dy vitesh u futën në rrugë konspirative. Asnjë lloj transparence, gjithëpërfshirje dhe përgjegjshmërie nuk pati lidhur me to. Gjithcka u mor vesh më vonë, në mënyrë të paqartë dhe konfuze. Por, gjithsesi u mor vesh. Një pazar i vërtetë është bërë midis Thacit, Vucicit dhe Ramës. Këtë pazar e ka lehtësuar, mesa duket, edhe konfuzioni i misionarëve diplomatik Bolton-Grenell nga Shtëpia e Bardhë.

Në negociata ky proces pazar njihet si ‘tit-for-tat’, ose e thënë ndryshe ’unë të jap këtë, që ti të më japësh atë’…dhe kështu pazari vazhdon derisa palët dakordohen për marrëveshjen. Në rastin e bisedimeve konspirative Kosovë-Serbi midis Thacit, Vucicit dhe Ramës procesi ‘tit for tat’ ka qënë i lidhur edhe me zhbërjen e Gjykatës Speciale për Kosovën. Me terma direkte synimi ka qënë që të bëhej ‘shkëmbimi i shpërbërjes se Speciales me lëshime territoriale për Serbinë’.

Ky shkëmbim, që kërcënonte njëherazi ekzistencën e ‘Speciales’ dhe integritetin territorial të Kosovës, mendohet se është një prej arsyeve themelore që Prokurori Special ngriti zërin për aktakuzën e tij për Presidentin Thaci dy muaj pasi ia kishte dorëzuar dosjen gjyqtarin special dhe fare pak ditë përpara samitit konfuz midis Thacit dhe Vucicit në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Richard Grenell.

Momenti ka përputhur interesat e “Speciales’ me ato të mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës. Pikërisht këtë fakt e vë në dukje publikisht këto ditë prestigjiozja ‘Der Standard’. Në një artikull të posaqëm, shkruar nga Adelheid Woelfl, ‘Der Standard’ thekson se “Thacit iu ofrua shpërbërja e “Speciales’, në këmbim do i lëshonte pe Serbisë”. Duke analizuar fjalimin e Thacit në daljen e parë publike mbas aktakuzës, autorja vëren se “Thaci u përpoq që të fshihej pas UCK-së edhe pse po akuzohej personalisht”.

Më tej, autorja e tekstit Adelheid Woelfl, pretendon se “marrëveshja e Uashingtonit parashikonte shpërbërjen e Gjykatës Speciale, në këmbim të lëshimeve që Thaçi do të bënte për Serbinë”. Por, ajo që gazetarja e quan si “marrëveshje e ndyrë” nuk u arrit.

Më tutje, në shkrim autorja në fjalë citon Komisionerin për Çështjet Transatlantike në Qeverinë Gjermane dhe anëtarin e Bundestagut Gjerman, Peter Beyer, i cili e komentoi kështu aktakuzën ndaj Thacit: “Për mua është e rëndësishme që të theksoj se nuk është UÇK në bankën e të akuzuarve këtu, por individët që ishin në pozicione drejtuesve në UÇK në atë kohë. Pajtimi fillon me ballafaqimin me të kaluarën e luftës. Kjo mund të funksionojë vetëm nëse krimet e luftës- nga kushdo që janë kryer- identifikohen dhe trajtohen me ligj”.Më tej Breyer, është cituar nga autorja, të jetë shprehur se, “Gjykata e Posaçme dhe prokuroria publike luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë drejtim dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët europianë,”. “I dërguari i Trump-konkludon Der Standard-Richard Grenell ‘kopsiti’ marrëveshjen, e cila ka dështuar tani”. (https://dosja.al/der-standard-godet-presidentin-e-kosoves-…/)

Nga disa burime të tërthorta, gjithashtu është theksuar, se në bisedimet konspirative ‘tit-for-tat’ është bërë fjalë për një lloj ‘amnistie penale për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit’, kryesisht për Thacin, amnisti që do e ofronte Vucic në përfitim të territoreve të

Kosovës. E që kjo amnisti të mund të realizohej, duhej të zhbëhej ‘Specialja’ në Kosovë.
Juridikisht kjo do të mund të bëhej përmes marrëveshjes së draftuar, e cila pas firmosjes në Shtëpinë e Bardhë, do të kalohej për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. E nëse marrëveshja do ratifikohej, si një akt i të drejtës ndërkombëtare, bazuar mbi parimet e së drejtës, ajo do prevalonte mbi gjitha aktet e të drejtës së brëndshme, duke përfshirë edhe amendamentin kushtetues dhe ligjin për ‘Specialen’ në Kosovë. Analiza logjike të shpie se kjo ishte skema e zhbërjes se ‘Speciales’, përmes së cilës do bëhej shkëmbimi i amnistisë së Thacit me dhënie territoresh Kosovare për Serbinë.

Publikimi parakohe i aktakuzës për Thacin e Veselin nga Prokurori Special, duke mbrojtur në fakt ekzistencën dhe funksionimin e “Speciales’ në Kosovë, ka parandaluar arritjen e marrëveshjes së pistë për shkëmbimin e zhbërjes së ‘Speciales’ dhe amnistisë së Thacit me dhënie territoresh të Kosovës për Serbinë.

Bërja publike e parakohëshme e aktakuzës ka qënë pikërisht momenti që ka përputhur plotësisht interesat e mbrojtjes se ‘Speciales’ me mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. E tani shtrohet pyetja e titullit të këtij artikulli: aktakuza kundër Thacit është e parakohëshme, apo në kohën e duhur? Bazuar në analizën e mësipërme publikimi i aktakuzës kundër Thacit u bë bash në momentin e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat