2 korriku i vitit 1990, është Dita e Republikës së idealistave të përpjekjeve të parreshtura të breznive - Bota Sot
2 korriku i vitit 1990, është Dita e Republikës së idealistave të përpjekjeve të parreshtura të breznive

Opinione

2 korriku i vitit 1990, është Dita e Republikës së idealistave të përpjekjeve të parreshtura të breznive

Nga: Haki Latifi Më: 2 korrik 2020 Në ora: 14:01
Delegatët

2 korrik 1990, është Dita kur lindi Republika e Parë e Kosovës. Është Dita e Republikës së idealistave së përpjekjeve të parreshtura të breznive. Është Dita e Republikës politike të refuzimit, kundërshtimit dhe luftimit kundër okupatorit shekullor serb. Në të njëjtën kohë, është Dita e Republikës së pjekjës sonë për të qenë vetvetja, e ngjarjeve dhe e kthesave historike për popullin shqiptar.
Ngjarja e dy korrikut të vitit 1990 shënohet si ditë e artikulimit të qartë të vizionit dhe vullnetit të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi të vendit, vullnet ky që u realizua me sakrificën, angazhimin dhe përpjekjet e pareshtura të gjeneratave të tëra.
Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb. Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në dhe nën udhëheqjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.
Në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e cila krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën. Duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror, Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Deklaratën Kushtetuese, përkatësisht, Deklaratën e Pavarësisë.
Sot themelet e Kosovës qëndrojnë mbi vendimet e 114 delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe përqafimin e vlerave të Lirisë që i gëzojmë.

Gëzuar për shumë mote Republika e Kosovës-Republika e Dardanisë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat