Vizita e naltmadhërisë dhe goditja e Gjykatës Speciale!  - Bota Sot
Vizita e naltmadhërisë dhe goditja e Gjykatës Speciale! 

Opinione

Vizita e naltmadhërisë dhe goditja e Gjykatës Speciale! 

Nga: Dren Dushi Më: 4 korrik 2020 Në ora: 13:07
Dren Dushi

Ish Presidenti i SHBA-ve Barak Obama, në librin e tij “Guximi për të Shpresuar”, tregon disa nga çalimet e diplomacisë së SHBA-ve në vende të ndryshme të botës. Më bën përshtypje dy raste; rasti i Afrikës së Jugut dhe rasti me Indonezinë. 

Në klasifikimin dhe etiketimin e mashtruesve të politikës së Kosovës, siç u tregua Kryesia e LDK-së dhe shumica e deputetëve të tyre, Barak Obama është një anti-amerikan. Për rastin e Afrikës së Jugut, Obama tregon se si administrata e SHBA-ve kishte bashkëpunuar me një Qeveri raciste e kriminale të Afrikës së Jugut. Konkretisht, Obama kritikon Administratën Regan duke shkruar; “...si shumë demokratë ankohesha për efektin e politikës së Regan ndaj Botës së Tretë; mbështetja e e administratës së tij për regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, financimi i skuadrave të vdekjes në El Salvator...”.  Këtu po paramendoj fytyrën cinike të deputetit Arben Gashi, teksa do mendonte si ta quante anti-amerikan Barak Obamën. 

Rasti i dytë që ka të bëj me Indonezinë, vendin më të madh islamik në botë, po në këtë libër, ish Presidenti Obama kritikon qasjen e SHBA-ve ndaj këtij shteti, qasje kjo e cila kishte rëzuar një Qeveri stabile dhe demokratike, për ta zëvendësuar me një Qeveri e cila, siç thotë Obama, “është bërë një botë e huaj”, ku përmend edhe eskalimin me ekstremizëm fetar. 

Morra këta dy shembuj, të një nga njerëzit më të mirë që kishte në politikë bota, ish Presidentit Obama, meqë përmes këtyre shembujve dua t’ju bëj të ditur, sidomos mashtruesve dhe të mashtruarëve, se SHBA-të nuk kanë vlera totalitare, nuk janë kundër fjalës së lirë, nuk janë kundër kritikës dhe nuk bëhesh anti-amerikan nëse lufton për një kauzë, për demokraci dhe për interesa të drejta. Andaj, si njohës i mirë i politikës së jashtme, Presidenti Historik Rugova, kishte refuzuar idenë amerikane për pjesëmarrje në zgjedhjet e Millosheviçit, por në atë kohë, nuk kishim shumë cinikë rreth politikës, shumë profiterë e të korruptuar, që të hidheshin kundër Rugovës e ta rëzonin, meqë kështu kishin kërkuar amerikanët. Sot, për fat të keq, të tillë kemi shumë, shumë prej tyrre i kemi votuar indirekt. 

Qasja e Grenell, nuk është e tillë siç ishte ajo e administratës Regan në Afrikën e Jugut sipas Obamës, por ka disa të përbashkëta. Grenell ka vendosuar të bashkëpunoj me një nga njerëzit më të kontestuar, më të lidhur ngushtë me kapjen e shtetit të Kosovës, protagonist në aferën “pronto”, i dyshuar për krime të luftës sipas prokurorisë së Gjykatës Speciale dhe përgjegjës kryesor për mos-liberalizimin e vizave në Kosovë, Presidentin aktual Hashim Thaçi. Ky President, që “luan ko.e” me amerikanë, që rehaton dajën e Adem Grabovcit dhe që quan Presidentin Historik Rugova “pijanec”, Anton Qunin “boshkobu” e “mercenar i paguar”, ish avokatin e popullit “zvaranik”, tani gjendet në një pozitë të vështirë, meqë llogaritë e tij nuk kanë dalur siç duhet, sidomos pasi filloi të sillet me Brukselin siç u sill me shumicën e politikanëve dhe intelektualëve në Kosovë. 

Grenell, një diplomat i dobët, nuk ka marrë parasysh demokracinë në Kosovë, për të kjo është e pa rëndësishme krahasuar me një poen politik të shefit të tij, të administratës aktuale të Presidentit Trump. Një marrëveshtje e ngutshme që, e bërë për këto interesa, do të krijonte një problem në tërë Ballkanin, mbase ngjashëm me problemin në Indonezi e në Afrikën e Jugut dikur. 

Si fillim, interesi i BE-së për një stabilitet në Ballkan nuk është më i vogël se interesi i SHBA-ve. Por në një kohë fushate, dhe në një kohë kur në Kosovë u rëzua një Qeveri për t’u zëvendësuar me parti kapëse të shtetit, nuk janë zhvillime të mira dhe hasin në rezistencë politike dhe idesh nga faktorë të ndryshëm në BE e në rajon. 

Vetëm vitin e kaluar, sipas statistikave tona, Kosova ka rreth 13 mijë banorë më pak. Shumica e njerëzve që ikin, e që janë mbi 20 mijë vitin e kaluar, janë duke rënduar kryesisht sistemin social e të punës në BE. Ikja e tyre është e stimuluar nga kapja e shtetit, vrasja e meritokracisë, shkatërrimi i profesionalizmit dhe lulëzimi i arrogancës së korrupsionit. Të gjitha këto, mund të jenë të pa rëndësishme për një administratë siç ishte ajo e Regan sipas Obamas, por siç mund të klasifikohet edhe kjo e Trump sipas shumë zhvillimeve. 

Naltmadhëria e narkoshtetit

Si një pjesë e ekipës të planit Grenell, është edhe “naltmadhëria” e tij, Kryeministri i narkoshtetit të vetëm në Evropë, Edi Rama. Ky njeri me vetëbesimin e tij të madh, deri në arrogancë, buron nga fakti se populli i Shqipërisë është dorëzuar karshi politikanëve të vet, karshi mjerimit, karshi mungesës së sundimit të ligjit. 

Për të kuptuar shtetin e Shqipërisë, mjafton një vizitë në Tiranë, ku do shohësh adoleshentë me Mercedesë që harxhojnë 30 litra derivat për 100 km në këtë qytet të degraduar e ku komunikacioni nuk qarkullon përjashto të dielave. Këta adoleshentë që kanë “tatoo” e që janë shumë “kalorsiakë”, që për një fjalë të dalin me AK47, janë pjesëza më e poshtme e një sistemi të kalbur shtetror. Ky sistem shtetror i “naltmadhërisë” Rama, është i tillë që aparati i shtetit është në shërbim të narko-dillerëve, siç është dëshmuar nga përgjitmet, por siç nuk mund të dëshmohet nga një sistem i kapur i gjyqësisë në Shqipëri. 

Rama, Thaçi dhe Vuçiq, por edhe “mbreti” i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, janë Ballkani Perëndimor që do të hyjë në BE. Që të gjithë këta burra neo-feudalë, me fuqi të pa kontestueshme në aparatet shtetërore që kanë kapur, kanë të njejtën logjikë të bërjes së politikës, andaj edhe kanë bashkëpunim të mirë dhe se punët politike i bëjnë zakonisht bashkë. 

Si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit. “Naltmadhëria” e tij Edi Rama, vizitoi Kosovën për “t’ju ngrehë veshët” politikanëve “të vegjël” këtu në Kosovë. Ai erdhi me shqehtësimin e tij për prishjen e sistemit në këtë rajon, meqë miku i tij, kapësi i shtetit të vogël Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë është në telashe të mëdha me Gjykatën Speciale. 

“Naltmadhëria” e tij Edi Rama, nuk guxon të bëj anjë hap nacionalist shqiptar. Nuk guxon të shqehtësoj Vuçiqin apo të kërkoj të drejta të Shqiptarëve në Maqedoni. Këto mosguxime i ka sepse ai fare lehtë, bashkë me “socialistë” të shumë oligarkë në Shqipëri, mund të përfunojnë me ndonjë skandal tjetër siç qe ai i Ministrit të tij të Brendshëm Tahiri, që i shërbente narko-dillerëve. Por, Rama është shumë i guximshëm kur vjen puna të godasë shqiptarë, me arrogancën e tij, me vetëbesimin e madh, me një fuqi të madhe financiare e lidhjesh që kanë kapur shtetin e Shqipërisë, me një amnisti ndërkombëtare meqë ai nuk punon për ndonjë interes që cënon diçka jashtë por vetëm brenda, godet pa mëshirshëm këdo që i pret rrugën. Ne në Kosovë, na quan herë “gomerë” e herë “të verbër”. Gomerë sepse nuk e duam Thaçin, “të verbër” sepse mendojmë se çkapja e shtetit nga një bandë nuk është e mundur pa ndihmën e jashtme. 

Por, se kush është “gomar”, e “i verbër”, tregon fakti se planet e tyre, bashkë me shokët Thaçi e Vuçiq, duket se po ngecin sa herë që po duket sikur ja arritën qëllimit. Verbërinë e tyre, por edhe “gomarëllëqet” i kemi kuptuar disa herë; me minishengenin, me votimin e Gjykatës Speciale duke menduar se ajo është një humor diplomatik, me turrin që të shkohet në Shtëpinë e Bardhë anipse një Gjykatë Speciale për krime lufte është formuar pikërisht për njërin nga ta. Nëse këta “burra” do jenë në këto toka edhe për dhjetë vjetë, integrimi në Evropë do zgjatet për njëzet, andaj ata duhet të bëhen pjesë e historisë, siç është bërë Enver Hoxha, Ramiz Alia e ca diktatorë tjerë të vegjël, për këtë duhet ngritur zërin, dhe kërkuar mbështetjen edhe të demokracisë ndërkombëtare, sidomos të BE-së dhe të vlerave të SHBA-së.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat