Pse nuk duhet të jap dorëheqje Presidenti Thaçi?!

Opinione

Pse nuk duhet të jap dorëheqje Presidenti Thaçi?!

Nexhmedin Saqipi Nga Nexhmedin Saqipi Më 6 korrik 2020 Në ora: 07:37
Hashim Thaçi

Kjo pyetje nxjerr një përgjigje logjike, të kapshme dhe kuptimplote. Si të dorëhiqet nga posti i të parit të shtetit të Kosovës, një President si Hashim Thaçi, kur atë e njohim për arkitekt të shtetësisë së pavarur, i dalë nga lufta çlirimtare e UÇK-së.

Në momentet delikate kur po vendoset nga fuqitë e mëdha fati i dialogut të ngrirë në mes Kosovës dhe Serbisë, ka zëra të brendshëm dhe të jashtëm, të cilat e dëshirojnë Presidentin prapa grilave të gjykatave speciale, por pavarësisht nga këto misioni i tij duhet të vazhdoj deri në fund, për ta çuar në vend procesin e shtetit të tij dhe për t’i mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare të trimave të lirisë dhe pavarësisë.

Kauza

Të ecësh plot 20 vjet në një rrugë, jo të shtruar me lule, për ta çuar në vend amanetin e atyre, që u flijuan për të mirën e Kosovës, të përballesh me situata të vështira dhe me plot të papritura në mbështetje të një populli të pambrojtur, nuk është mision i lehtë. Këtë e dinë edhe hipokritët e llojit të tyre dhe kundërshtarët politikë të Presidentit Thaçi, të cilët po mundohen t’i minimizojnë këto procese nëpër të cilat ka kaluar Kosova, një projekt i pambaruar edhe për evropianët, të cilin edhe ata janë përgjegjës për ta përmbyllur atë.

Së pari ne si shoqëri civile nuk duhet të heshtim e as nuk guxojmë t’i tolerojmë këto marrëzira naive, sepse kjo nuk ka të bëj me realitetin, me të drejtën e as me konventa të çfarëdo lloji.

Proceset demokratike nëpër të cilat ka kaluar Kosova për dy dekada rresht, nuk duhet të kthehen prapa e as të bllokohen. Në këtë drejtim ka një lëshim sa i përket krijimit të opinionit publik, në mungesë të një ligji, për t’ua ndërprerë hovin matrapazëve politik e organizatave fantome, duke mos përjashtuar edhe medieve të rrejshme, të cilat ashiqare marrin fonde për të përhapur turbulenca dhe defetizëm në shoqërinë tonë, kinse në emër të lirisë dhe demokracisë.

Sot, mjerisht, mund të paguash çfarëdo gazetari a media e të plasosh në opinion publik, lloj-lloj informata e dezinformata, të cilat janë jo tjetër veç një bombë e kurdisur kundër Kosovës dhe proceseve të saj evroatlantike.

Po ashtu, funksionimi i shumë organizatave joqeveritare nga lindja e perëndimi, kanë shërbyer si mekanizma shkatërrues kundër vlerave kulturore, arsimoreve, ligjeve dhe identitetit tonë shtetëror e kombëtar. Nga kjo që duket tani, të lë përshtypjen se disa qarqe evropiane kanë edhe gisht në këto procese destabilizuese për Kosovën dhe rajonin rreth saj.

Presioni i vazhdueshëm i Brukselit dhe neglizhimi i faktorit UÇK, për ta mbajtur peng Kosovën për lojërat e tyre.

Sakrifica

Jo më pak se 20 vjet është punuar për ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe proceseve integruese, duke favorizuar dialogun si rrugën e vetme për zgjidhjen e problemeve shqiptaro-serbe të trashëguara me shekuj. Në vend që politika dhe informimi të ecin paralel për të zhvilluar, ruajtur dhe promovuar imazhin paqësor të Kosovës, ndërkombëtarët lejojnë të trajtohen temat, të cilat e prishin imazhin për ndërtimin e paqes në Kosovë dhe rajon.

Çfarë paradoksi! Pas 20 vjet pune intensive të bërë për zhvillimin e dialogut, transparencës, stabilitetit, paqes, duke u munduar t’i bëjmë që të harrohet e të mos përsëritet historia gjenocidiale, dalin zëra që punojnë kundër, për të shembur atë që është ndërtuar me sakrificë.

Realizimi i një paqe të përhershme, të qëndrueshme dhe afatgjate shqiptaro- serbe, është një projekt kapital, i cili nuk guxon të ndërpritet dhe procesi i dialogut duhet të vazhdoj, pavarësisht disa lëvizjeve makiaveliste të kuzhinave të huaja.

Nëse politika ndërkombëtare na ka mësuar e këshilluar që mos të përmenden në politikë dhe informim masakrat dhunimet, varrezat masive, për shkak krijimit të një klime në favor të proceseve integruese, nga atëherë vjen kjo që të përhapen shkrime e opinione në bllokimin e njerëzve të ndërtimit të paqes.

Akuza

Kjo akuzë ndaj Thaçit në këtë moment pranë marrëveshjes së shumëpritur si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët, është ofendim, denigrim, fyerja dhe mashtrim sa politik aq edhe historik.

Prandaj, Thaçi nuk guxon të jep dorëheqje, pa e përmbyllur këtë kapitull historik. Pas Presidentit dr. Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi, është ai, i cili i ka vazhduar proceset deri në tavolinën e shtetit më të fortë në botë, mikut tonë tradicional Amerika.

E disa nga opinionistët dhe fb-istat mos t’i harrojnë proceset e demilarizimit të UÇK, formimit të TMK, tashmë edhe Ushtria e Kosovës, shpallja e pavarësisë etj.

Shqiptari nuk e ka në traditë dorëheqjen, dorëzimin para aktit kur duhet të kryhet obligimi, misioni, që i ka ngarkuar vetes, sepse ka marrë përgjegjësi për t’i dal atyre në krye.

Ne kështu i kuptojmë vlerat demokratike, institucionale, kanunore, kulturore dhe fetare.

Populli shqiptar do paqe, do liri, do pavarësi, do integrime, ngase e meriton atë dhe miqtë ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në këtë drejtim.

(Autori është publicist, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve "Etika" dhe Koordinator i Shoqërisë Civile nga Lugina e Preshevës)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat