Kuajtë e Trojës në mes të Kosovës

Opinione

Kuajtë e Trojës në mes të Kosovës

Nga: Rexhep Torte Më: 6 korrik 2020 Në ora: 10:55
Rexhep Torte

Erdhën si shpëtimtarë dhe u bënë shkatërrimtarë

Turp dhe mëkat i madh për lidershipet e derisotëm të Kosovës, te cilet në 21 vitet e lirisë dhe të pavarësisië penguan që Kosova të jetë shtet model dhe shembull pozitiv per forcim të shtetit, të ekonomisë, të ligjit dhe të lumturisë për popullin e shumëvuajtur të Kosovës.

Turp dhe mëkat i madh për lidershipet e derisotëm të Kosovës, të cilët për 21 vitet e lirisë dhe pavarësisë në vend që ta bëjnë Kosovën vend të lumtur për të punuar dhe jetuar, ata lejuan që rinia e shkëlqyeshme e Kosovës, duke mos pasur perpektivë në vendlindje të merr rrugën e mërgimit drejt shteteve të huaja për të siguruar bukën e gojës.

Turp dhe mekat i madh për lidershipet e derisotëm të Kosovës, të cilët në 21 vitet e lirisë dhe të pavarësisë të Kosovës përkundër mijëra e mijëra fakteve të krimeve të Serbisë në Kosovë në vitet 1998/99, lejuan që Serbia agresore gjenocidale me gënjeshtra të avancojë në rafshin diplomatik ndërkombëtar karshi Kosovës viktimë e këtij agresioni gjenocidal.

Ne shumë herë me shkrimet tona sugjeruam që librat, repotazhet, fotografitë dhe storiet filmike më të efektshme që flasin për vrasjet, masakrat, dhunimet dhe shkatërrimet që Serbia i bëri në Kosovë gjatë agresionit gjenocidal, të përkëthehen në gjuhë të huaja dhe tu shpërndahen ambasadorëve në OKB, BE dhe në të gjitha takimet që do të kenë udhëheqësit e Kosovës me homologët e tyre.

Kjo do të kishte një efekt vendimtar dhe do të ishte një barierë e fuqishme kundwr propagandës gënjeshtare të Serbisë ndaj Kosovës.

Për fat të keq lidershipet e Kosovës në këtë drejtim nuk bënë asnjë hap konkret, dhe lejuan që Serbia me gjepura të depërtojë nëpër botë.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli dhe Behgjet Pacolli, na u dukën se janë engjuj kur erdhën të udhëheqin, por u shndërruan në djaj të rrezikhëm për Kosovën dhe popullin e saj.

U gëzuam së tepërmi kur në Kosovë pas shumë vuajtjesh dhe viktimash, më në fund erdhi liria e shumëpritur.

U gëzuam shumë kur Kosova shpalli pavarësinë dhe miratoi kushtetutën e saj.

U gëzuam shumë kur u krijuan institucionet qeverisëse dhe shtetërore të Kosovës.

U gëzuam shumë kur në krye të këtyre institucioneve erdhën ish komandantë të UÇK-së, sepse kishim krijuar një imazh të ndritur për këta luftëtarë për liri e pavarësi.

Por për fat të keq këto imazhe dhe shpresa u tretën shpejt, kur këtyre ish komantëve të UÇK-së, udheqës institucionesh, u ranë brekët e puplat, u doli boja dhe u zbulua turpi, kur për 21 vite në liri, i harruan bashkëluftëtarët e tyre të rënë në luftë, i harruan më shumë se 13 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar nga ushtria, paramilitarët dhe policët e Serbisë në agresionin gjenocidal 1998/99.

I harruan 1333 fëmijët e frarë e të masakruar shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmijë duke pi qumësht në gjoksin e nënës.

I harruan 20 mijë femrat shqiptare të dhunuara në mënyrën më poshtëruese, më shtazarake e makabëre.

I harruan 1650 shqiptarët të të gjitha moshave e gjinive që i rrëmbeu Serbia, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Harruan që Serbia e bëri shkrumb e hi Kosovën dhe i detyroi më shumë se 1 milion shqiptarë të marrin rrugën e eksodit për në Shqipëri, Maqedoni e gjetiu për të shpëtuar nga vdekja.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli dhe Behgjet Pacolli u dhanë pas luftës për pushtet, pasurimit të paligjshëm, korrupsionit dhe nepotizmit, me përjashtim të këtij të fundit, i cili në vend që të merret vetëm me biznesin e tij dhe ekonominë, po bëhet shkop xhehenemi dhe rrotë rezervë me partitë politike kosovare në dëm të Kosovës.

Hashim Thaçi i harroi të gjitha këto tmerre të Kosovës dhe shkoi vite me radhë në dialogun Kosovë-Serbi, pa kërkuar Serbia falje publike për krimet e kryera në Kosovë, pa i vënë para drejtësisë kriminelët serbë për krimet e kryera në Kosovë dhe pa u zbardhur fati i 1650 shqiptarëve të rrëmbyer nga Serbia.

Hashim Thaçi shkoi në dialogun Kosovë- Serbi pa patur një konsensus brendakosovar, dhe pa patur një platformë të unifikuar kosovare.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmit Limaj dhe Behgjet Pacolli, ishin protagonistët e grushtshtetit, duke e shkarkuar Qeverinë e Albin Kurtit, qeverinë më të pastër dhe më shpresëdhënëse për Kosovën.

Këta gjashtë udhëheqës të derisotën të Kosovës, me papërgjegjësinë udhëheqëse i shkaktuan dëme të mëdha Kosovës dhe popullit të saj të shumëvuajtur.

Këta gjashtë udhëheqës të derisotëm të Kosovës pas puçit ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, po mundohen të jenë udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse në dëm të Kosovës, sepse në rrethanat ekzistuese më shumë është e favorizuar Serbia agresore gjenocidale se sa Kosova viktimë.

Këta gjashtë udhëheqës të derisotëm të Kosovës i ka kapluar narcizmi dhe po përdorin lloj loj skenarësh për të mbetur në pushtet.

Këta gjashtë udhëheqës të Kosovës vuajnë nga sindromi patologjik i lakmisë për pushtet, sindrom tepër i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën dhe popullin e saj.

Këto gjashtë udhëheqës të derisotëm të Kosovës nuk janë gjë tjetër veçse kuaj të Trojës në mes të Kosovës.

Këta gjashtë udhëheqës të derisotëm të Kosovës duhet të shporren sa më parë nga jeta udhëheqëse e politike, sepse sa më gjatë që të jenë të pranishëm, aqë më shumë dëme do ti shkatojnë Kosovës dhe popullit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat