Dorëheqja si një akt patriotik dhe njerëzor!

Opinione

Dorëheqja si një akt patriotik dhe njerëzor!

Nga: Frank Shkreli Më: 7 korrik 2020 Në ora: 07:00
Frank Shkreli

Para nja 10-ditësh botova artikullin me titull “Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë”, në kujtim të një miku të madh të shqiptarëve, ish-diplomatit, ish anëtarit të Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, më shumë se një shekull më parë, njëkohsisht edhe mik i Presidentit Woodrow Wilson -- Xhorxh Fred Uilliams.

Gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 1914, Ambasadori Williams u bë dëshmitar i disa tmereve se çfarë po bënin të huajt përball Kombit shqiptar në atë kohë, një fat tragjik për të cilin ai, në rolin e ambasadorit amerikan, kishte njoftuar Washingtonin. Ndoshta ishte periudha më tragjike për shqiptarët, sipas disa historianëve. Si dëshmitar i situatës së mjeruar, ku fqinjtë e Shqipërisë, të përkrahur nga fuqitë e mëdha evropiane të saj kohe, donin veç të kafshonin pjesë të tokës shqiptare nga veriu në jug, nga lindja e deri në perëndim të territorit të Kombit shqiptar. Si përfundim, në protestë për krimet që kishte parë gjatë një vizite në Shqipëri, ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra e ambasadorit amerikan në Greqi dhe në Malin e Zi, me qëllim për të ngritur zërin ndaj asaj “çnjerëzie të vërtetë”, siç e ka quajtur ai gjëndjen tepër të rëndë, me të cilën përballej në atë kohë Kombi shqiptar, sepse ishte i bindur, moralisht dhe politikisht, se “kështu duhej të veproja”, i ka komunikuar ai Washingtonit pas dorëheqjes së tij për shkak të tmereve që po bëheshin kundër shqiptarëve, sidomos nga ana e Greqisë e cila kish shpërgulur dhjetëra mijëra shqiptarë me dhunë dhe kishte bërë masakra të tmershme kundër shqiptarëve -- e për të cilat kishte qenë vet dëshmitar.

Duket se historia po përsëritet, megjithëse në një nivel tjetër dhe me aktorë të tjerë, natyrisht. Një-qind vjet më vonë, ende në Ballkan flitet për “shkëmbime territoresh”, “korigjim kufijsh” e ku ta di unë, midis Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në kurriz të interesave shqiptare, por kësaj radhe –jo nga të huajt, historikisht, mbështetës të interesave anti-shqiptare të fqinjëve, por nga të vetët, nga udhëheqsit e votuar nga votuesit shqiptarë.

Le të kujtojmë se para nja një viti ose më shumë, ideatorët e idesë së “shkëmbimit” ose “ndarkes” të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës – siç i quan ata John Bolton, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë -- donin t’ia “shisnin” botës idenë se nuk ishin ata baballarët e këtij projekti, por ishte Amerika që donte një gjë të tillë, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Gjatë një konferencë shtypi në Ukrainë pothuaj një vit më parë, John Bolton ishte shprehur në lidhje me këtë temë duke thenë se, "Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial.” Kjo nuk është një deklaratë që mund të quhet “ideatore” e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, për të justifikuar planet e tyre absurde, ideatorët e vërtetë të kësaj ideje donin t’ia veshnin Boltonit dhe Shteteve të Bashkuara se shkëmbimi ose korigjimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ishte një ide që, jo vetëm mbështetej por vinte nga Washingtoni. Për një kohë, kjo gënjeshtër, në të vërtetë, edhe besohej nga disa.

Ky debat u ri-ndez ditët e fundit nga deklarata e ish-Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili u shpreh se ideatorët e vërtetë për “shkëmbimin e territoreve” ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. “Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë udhëheqsit e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar”, një gjë të tillë. Ndërkaq, John Bolton nuk e përmendi me emër Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si njërin prej ideatorëve të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por kjo ide ka filluar moti, të pakën katër vjet më parë në takimin e parë në Nish midis Vuçiqit dhe Ramës, pa pjesëmarrjen e Kosovës, dhe ka vazhduar të diskutohet edhe në takimin në Nish midis këtyre dy udhëhëqsve, dy vjet më parë, siç shkruan edhe aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko.

Kryeministri Rama mund të mohojë se bënte pjesë në këtë projekt – megjithëse nuk jam i sigurt nëse mund të bindë njeri me mohimin e tij. Nuk besoj se ai mund të mohojë se -- në minimum -- Kryeministri shqiptar i kishte dhenë bekimin e tij këtij projekti për shkëmbimin e territoreve shqiptare midis Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, nuk është e qartë se çfarë roli ka luajtur në këto bisedime edhe këshilltari i Z. Rama, ish-Kryeministri britanik Tony Blair.

Pika e parë e 14 pikave të Woodrow Wilsonit kërkon që, “Pasi të jenë arrijtur marrveshjet publike për paqë, në mënyrë trasparente, nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje private ose ndërkombëtare, por vetëm duhet të vazhdojë gjithmonë diplomacia e sinqertë dhe në syrin e publikut”. Ideatorët e shekullit XXI për shkëmbim të territoreve shqiptare midis Serbisë dhe Kosovës, janë gjithashtu në kundërshtim edhe me pikën 11 të 14 pikave të Wilsonit për pavarësinë e kombeve, ku thuhet se, “…marrëveshjet midis vendeve të Ballkanit dhe me njëra tjetrën, duhet të vendosen në bazë të marrëdhënieve miqësore dhe në përputhje me kufijtë e caktuar historikisht, sipas kombësisë dhe identifikimit si dhe në bazë të garancive ndërkombëtare për pavarësi politiko-ekonomike dhe integritet territorial të disa shteteve ballkanike”.

Siç dihet, bisedimet midis aktorëve të lartë-përmendur, për shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, nuk janë mbajtur as në publik, as nuk ishin transparente. Në të vërtetë, ishin një shkelje flagrante e garancive ndërkombëtare për të drejtat “ekonomiko-politike dhe për sovranitetin territorial” të Republikës së Kosovës. Prandaj, ato bisedime të fshehta anti-shqiptare përfunduan kështu si përfunduan – në dështim të plotë dhe në dem afatgjatë të Republikës së Kosovës në veçanti dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, pasojat e të cilave është tepër heret të llogariten.

Kur e pa situatën tragjike që po pësonte Kombi shqiptare një shekull më parë, ambasadori amerikan George Fred Williams, i shtyrë nga ndjenjat morale dhe njerëzore, vendosë të jepte dorëheqjen nga posti i tij lartë diplomatik, vetëm e vetëm, për të ngritur zërin e tij dhe për të njoftuar Amerikën dhe botën për tmerret dhe për tragjeditë që fqinjtë po u shkaktonin shqiptarëve. Por, jo vetëm kaq. Ai ka dhenë dorëheqjen duke e justifikuar ketë akt personal, si jo vetëm “një detyrë njerëzore”, por edhe “për t’i nxjerr maskën diplomacisë evropiane dhe të zbuloj faqen e saj me gjak të kësaj race heroike, shqiptarëve”.

Prej ideatorëve të vërtetë të shekullit XXI dhe mbështetësve të tyre në Prishtinë dhe Tiranë -- për shkëmbim ose ndarje territoresh midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë -- nuk pritet asgjë më pak se dorëheqja e tyre – si një akt patriotik dhe njerëzor. Mjaft me “punët e liga” ndaj këtij Kombi, ta nxjerrim njëherë e mirë, “Shqipërinë dhe shqiptarët nga vuajtjet dhe të mbytur në gjak”, do të ngulte këmbë ambasadori i dikurshëm amerikan George Scott Williams, i cili me dorëheqjen e tij, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, më shumë se një shekull më parë, na jep një mësim të vyer edhe sot se si duhet të mbrohen të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve. “Kështu duhet të veproni”, do u porosiste ambasadori George Scott Williams, ëngjëlli mbrojtës i interesave të shqiptarëve nga grabitësit e huaj, në fillim të shekullit të kaluar. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një ëngjëll mbrojtës, jo nga të huajt, por, fatkeqësisht, nga të vetët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat