Si i islamizoi kryeveziri turk i etnisë serbe Mehmet Pashë Sokolloviçi arbërorët e Pejës

Opinione

Si i islamizoi kryeveziri turk i etnisë serbe Mehmet Pashë Sokolloviçi arbërorët e Pejës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 7 korrik 2020 Në ora: 17:16
Gani Mehmetaj

Kronisti papnor tregon se si popullata shqiptare nisi të kthehet në fenë myslimane, që të mbronte kokën e dinjitetin nga terrori i priftërinjve serbë, të cilët i solli Turqia, megjithëse në Pejë e Dardani, nuk pati serbë. Ndërkaq ishin marrë vesh që priftërinjtë serbë të bënin terror, kurse sundimtarët turq t’u ofronin më zemërgjerësi shqiptarëve vendës të konvertoheshin në fenë myslimane, ose të mbeteshin bujkrobër të Patrikanës.

Në Dardani, pjesë e Shqipërisë etnike, veziri i madh i Perandorisë Otomane, serbi Mehmet Pashë Sokoloviç (1506- 1579), me urdhër të Sulltanit rindërtoi Patrikanën e Pejës, caktoi të vëllanë Makarie Sokolloviç, peshkop të Patrikanës së Pejës, duke i dëbuar priftërinjtë ortodoksë arbërorë, por edhe ata bizantinë, sipas marrëveshjes me Sulltanin. Të njëjtën gjë e bëri edhe në Kishën e Deçanit, e në të gjitha kishat bizantine deri në Nish. Pakkush e di se në Kishën e Deçanit, pjesë e kishave shqiptare, Onufri e ka bërë një pikturë murale me vlerë të madhe artistike. Historianët e sotëm serbë e fshehin këtë fakt, ose e lënë në heshtje, ashtu sikurse e lënë në heshtje faktin se në Kishën e Deçanit meshat i mbanin shqiptarët ortodoksë, sepse serbë në atë krahinë të Dukagjinit nuk pati asnjë për be.

Me konsolidimin e priftërinjve serbë të caktuar nga Stambolli, raportonte një relacion i priftit katolik shqiptar nga Peja, drejtuar Vatikanit, nisi terrori i priftërinjve serbë ndaj popullatës shqiptare me ndihmën e zabitëve turq. Perandoria Osmane që e qeveriste këtë qytet më tërë Dardaninë jo vetëm nuk i mbronte fatkëqijtë, por ankesat e tyre i kthente mbrapsht, duke deklaruar se nuk përzihej në punët e brendshme të kishës. Ndërkaq ishin marrë vesh që priftërinjtë serbë të bënin terror, kurse sundimtarët turq t’u ofronin më zemërgjerësi shqiptarëve vendës të konvertoheshin në fenë myslimane, ose të mbeteshin bujkrobër të Patrikanës. Kronisti papnor tregon se si popullata shqiptare nisi të kthehet në fenë myslimane, që të mbronte kokën e dinjitetin nga terrori i priftërinjve serbë, të cilët i solli Turqia, megjithëse në Pejë e Dardani, nuk pati serbë. Kështu qeveritarët otomanë luanin lojë të dyfishtë. Ndërkaq, rugovasit, që e mbronin Patrikanën e Pejës, nisën ta braktisin këtë kishë, duke u mbyllur në gëzhojën e tyre, ose u tërhoqën në bjeshkët e mjegullta. Qyteti me rrethinë iu nënshtruan terrorit të shkombëtarizimit e konvertimit.

Image
Rugovasit në Patrikanën e Pejës

Gjendja paraqitej e rëndë edhe në territoret e tjera etnike, ku pushtetin shpirtëror e mori Patrikana e Stambollit dhe Qeveria turke, duke i detyruar shqiptarët të dëgjonin predikimet e lutjet në gjuhë të huaj. Nisi shkombëtarizimi i shqiptarëve ortodoksë ose kthimi i tyre i dhunshëm në myslimanë. Shqiptarët katolikë e mbronin gjuhën e fenë prapa maleve të mjegullta, ose në qytetet e fortifikuara.

Është cinike farsa e historianëve serbë kinse për shpërnguljen e madhe të serbëve nga Kosova në Panoni (Vojvodinën e sotme), që ishte tokë austriake. Kronistët e kohës nuk e shënojnë asnjë serb në Kosovë, ashtu sikurse nuk e shënojnë asnjë serb në Panoni. Përkundrazi, shkruajnë për arbërorë të fisit të Kelmendit që u shpërngulën në ultësirat e Panonisë (pinjollët e të cilëve ishin të pranishëm deri në luftën e fundit kroate-serbe në këtë meskufi), të cilët së bashku me shqiptarët myslimanë iu kundërvunë Perandorisë Osmane, ndërsa e pësuan keq, meqë austriakët u mundën nga kolera që e mbërtheu Ushtrinë austriake.

Në vend të Vjenës, aleate e shqiptarëve, Rusia bëhej faktor gjithnjë e më i fuqishëm. Nga presioni i Rusisë, e cila nisi të forcohej, duke e dëbuar Turqinë nga territoret e pushtuara, pozita e shqiptarëve vështirësohej, sepse ishin në mes dy të këqijave: të pranonin fenë myslimane, gjithnjë e më agresive, ose të hidheshin në kthetrat e kishës pansllaviste, që e pronësoi popullatën ortodokse, sepse gjuha shqipe, e vetmja gjuhë në Gadishullin Ilirik, ndalohej edhe me fermanë të Sulltanit.

Shqiptarët ortodoksë, që u shuan në kombet e tjera janë kaptina më e dhimbshme e historisë sonë, sepse dikur përbënin më shumë se gjysmën e popullatës në veri të Shqipërisë deri në Nish dhe në jug deri në Peleponez. Nga konvertimi i arbërorëve ortodoksë dolën pjesa dërmuese e shqiptarëve myslimanë. Natyrisht edhe arbërorët katolikë, që jetonin në rrafsh apo që nuk iu qepën maleve, i detyruan të ndërrojnë fenë. Ishim populli më tragjik jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por edhe në tërë Evropën. Nga Perëndimi nuk patën asnjë ndihmë, nga Lindja na vinin goditje të njëpasnjëshme.

Qele-Kulla dhe flijimi i shqiptarëve për pavarësinë e Serbisë: Pinjolli i fisit të Kelmendit, Gjergj Pjetri (turqisht Karagjorgji, serbisht Gjorgje Petroviq) udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin e sotëm të Serbisë. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoksë, kreu i të cilëve e udhëhoqi këtë kryengritje, ndërsa bajraktari serb, Milosh Obrenoviqi, një fshatar i pagdhendur që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turq dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Osmane. M. Obrenoviqi me serbët e vet vranë në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzuan turqve dhe e hapën rrugën për autonomi, duke u pavarësuar shkallë-shkallë.

Kështu kryengritjen kundër Turqisë në Serbinë e sotme e nisën shqiptarët, e vazhduan serbët me ndihmën e Rusisë, ndërsa e pësuan shqiptarët. Turqit bënë një masakër të paparë në qytetin e Nishit, duke vrarë mijëra shqiptarë ortodoksë dhe duke syrgjynosur mijëra të tjerë në Anadoll. Qele-Kulla, një pirg i tmerrit në qytetin e vjetër të Nishit, me 952 kafka të murosura, u bë sinjal alarmi, ndërsa Serbia e ndërtoi mitin e rezistencës me flijimet shqiptare. Shqiptarët e tjerë u kthyen në islam nga tmerri i terrorit turk, ose ia mbathën përtej Danubit.

Më shpalljen e pavarësisë së Serbisë, vala e shkombëtarizimit të shqiptarëve ortodoksë arriti kulmin, sepse ata gjendeshin në mes të dy shpatave: të vriteshin nga turqit, ose të kërkonin shpëtimin nga Rusia, e cila mori tutelën mbi ortodoksët e Ballkanit. Brenda kryeqytetit të tyre, Beogradit, serbët vranë të gjithë serbët e konvertuar në myslimanë, vranë edhe të gjithë myslimanët e kombeve të tjera, i zhbinë 200 xhami dhe i fshinë të gjitha gjurmët pesëqindvjeçare të sundimit turk. Nuk lanë asgjë nga trashëgimia e ndërtimi oriental.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat