Zgjedhje të parakohshme

Opinione

Zgjedhje të parakohshme

Nga: Skender Musliu Më: 7 korrik 2020 Në ora: 19:45
Skender Musliu

Në rrethanat e degrduara aktuale, të shkaktuara nga kastat e inkriminuara politike të Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi është i pamundur dhe i papranueshëm. Kjo nga se këtë dialog gjer më tani, skajshmërisht njëanshëm dhe pa transparencë, e ka udhëhequr Hashim Thaqi, në cilësinë e presidentit të Kosovës, edhe pse kjo ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Tani, që kundër Hashim Thaqit Prokurori Special i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, ka ngritur aktakuzë ende të pakonfirmuar, ai është nxjerrë jashtë loje nga ky dialog.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot në Paris u takua me presidentin e Francës, Emanuel Macron lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë që do të çonte drejt një Marrëveshje eventuale me Serbinë.

Nëse marrim parasysh faktin se në dialogun e gjertanishëm Kosovë - Serbi nuk ka marrë pjesë asnjë politikan Kosovar, rrjedhimisht as Avdullah Hoti, i cili kurrë nuk ka patur qasje se çka është biseduar dhe negociaur, parashtrohet pyetja se çka do të bisedoj dhe çka do të propozojë ai në takimin e Paris-it ?!

Avdullah Hoti deklaron se kryeministri është ai që e përfaqëson Kosovën në dialog, që është fakt, por jo Hoti si kryetar i kësaj qeverie, sepse kjo Qeveri u formuar përmes një grusht shteti që e bëri Hashim Thaqi me Isa Mustafën për t’a realizuar Projektin e ndarjes së Kosovës. Bëhet fjalë për njër Qeveri të formuar ekskluzivisht me partitë politike humbëse, që sovrani në zgjedhjet e 6 Tetorit të vitit të kaluar i çoi në opozitë, qeveri kjo e formuar në kundërshtim me Kushtetutën duke keqpërdorur dhe kontrabanduar votat e qytetarit dhe duke lënë anash LVV si fituese të zgjedhjeve.

Se vërtetë bëhet fjalë për Qeveri të pazareve dhe manipulimit të vullnetit të popullit, tregon menagjimi amatoresk dhe i dobët i pandemisë, ku vetëm gjatë fundjavës patë shumë vdekje eligmatike. Kjo Qeveri sikurse ajo e qeverisë Haradinaj, në mënyrë të papërgjegjshme ka rritur numrin e zëvendës ministrave, që është afër 50, si rrjedhojë e apetiteve, kërkesave dhe shantazheve nga partitë e koalicionit që t’i punësojnë militantët dhe familiarët e tyre. Është jashtë çdo logjike që një ministër të ketë 6 zëvendës ministra, tjetra ministri 5, tjetra 4 e tj. Vlenë të përmendim që Zvicra, shteti më i pasur në Europë ka 7 ministra, njeni nga të cilët është kryeministër, kurse Kosova shteti më i varfur në Europë bënë punësime pa kritere që paguhen nga taksapaguesit, duke keqpërdorur pozitën zyrtare,kjo është jashtë çdo logjike dhe politikisht e pamoralshme.

Qeveria Hoti nuk ka kredibilitet për të qeverisur vendin, sepse legjitimitetin ia ka siguruar Hashim Thaqi duke kontrabanduar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ditëve të fundit po flitet për një Qeveri gjithëpërfshirëse duke përfshirë në Qeveri edhe PDK-ën, kurse duke lënë anash LVV-ën, që do të ishte e papranueshme dhe shumë e dëmshme. Mirëpo kjo është një strategji e binomit Thaqi-Mustafa, sepse me hyrjen në koalicion të PDK-ës, do të krijohen numrat për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, i cili do të jet në funksion të kësaj Qeverie. Këto kalkuluime të ndyra politike me prapaskena, manipulime dhe mashtrimin e elektoratit do të kenë jetë të shkurtër.

Duke patur parasysh kushtet e krijuara, zgjidhja e vetme, që nuk ka alternativë, janë zgjedhjet e parakohshme, madje sa më shpejt aq më mirë për Kosovën.

Po ashtu, pa humbur kohë, Kosova duhet t’a suspendojë dialogun me Serbinë deri në zgjedhjet e parakohshme, sepse vetëm një legjislaturë dhe Qeveri e re e dalur nga votat e sovranit mund t’a ketë legjitimitetin dhe kredibilitetin që t’i ecë proçeset te para.

Në këto zgjedhje duhet bërë filtrimin e personave në mënyrë që në legjislacionin e ardhshëm mos të ketë deputet dhe zyrtarë me precedente kriminale, që do t’i shërbente dekriminalizimit të institucioneve të ardhshme.

Pas këtyre zgjedhjeve Qeveria e ardhshme duhet t’a përgatitë një Platformë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, sepse mënyra se si është dialoguar gjer më tani, ishte një histori e hidhur që duhet harruar sa më shpejt.

Me këtë Platformë, përveç tjerash, duhet të parashihet delegacioni negociues i përfaqësuar nga i gjithë spektri politik, grupe të ekspertëve të fushave të ndryshme, si dhe kërkesa apo kushtëzime konkrete ndaj Serbisë, sikurse : kërkim-falja, Serbia t’a pranojë gjenocidin, të pagjeturit, masakrat, dhunimet, deportimet, dëmet e luftës, kthimin e artifakteve dhe dokumentacionit dhe shumë kërkesa tjera legjitime.

Bisedimet e ardhshme duhen të jenë transparente, serioze, mirë të organizuara dhe rregullisht të informohet Parlamenti i Kosovës.

Në bisedimet e ardhshme, përveç përfaqësuesve të Bashkimit Europian, është mase e domosdoshme edhe prania e SHBA-ve, sepse pa pjesmarrjen e saj nuk mund të ketë rezultate të pritshme.

Shkurt, formula e vetme e daljes nga kjo pandemi institucionale, janë zgjedhjet e parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat