OVL të UÇK jashtë misionit statutar të saj - Bota Sot
OVL të UÇK jashtë misionit statutar të saj

Opinione

OVL të UÇK jashtë misionit statutar të saj

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 8 korrik 2020 Në ora: 06:49
Foto ilustrim

Kudo në botë veteranët, me simbolet e tyre, ish-luftëtarë për liri, nderohen dhe respektohen, për shërbimin e bërë ndaj Atdheut. Për misionin e tyre , të pas luftës, ata kanë një statut, që përcakton detyrat dhe sjelljen e tyre si veteranë.

Krejt ndryshe është sjellur dhe vazhdon të sillet OVL e UÇK-së! Që nga themelimi, misioni i kësaj Organizate është jo statutar. Qasja e saj është tërësisht e gabuar. Në vend të mendimit dhe veprimit racional, ajo ka manifestuar mujëshi dhe arrogancë, deri në rrugaçëri të hapur. Ajo është "xhandar" rezervë, "për të futur hundët" kudo, madje, duke kulmuar me hyrjen dhunshëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, për ta bërë ligjin e të fortit!

Krerët e OVL të UÇK-së, pa dallim, secili ka qenë më "betër" se tjetri. Kanë pushtuar sheshe e bulevarde, kinse, në mbrojtje të "luftetëtarve", të "komandantëve çlirimtarë", të "gjeneralëve të lavdishëm", edhe pse ata janë dënuar për krime faktike, nga më të ndryshmet. Nuk ka krim politik, ekonomik apo ordinier, ku të mos jenë pjesë anëtarë të kësaj Organizate, tashmë, namkeqe në Kosovë.

Është i njohur roli i eksponentëve të OVL të UÇK-së, në përçarjen e popullit të Kosovës, duke e ndarë atë në "krahun e luftës" dhe "krahu i paqës". Sipas krerëve të kësaj Organizate dhe të disa militantëve të saj, "krahu i luftës", që nënkupton PAN-in e sotëm, ndërsa "i paqës" LDK-ja!

E vërteta është se, pikërisht, LDK-ja, kryetari i saj Dr. Ibrahim Rugova, Ai që nismoi përgaditjen për luftë, si opsion rezervë, nëse dështon paqja, qysh në vitet `90-a. Dërgimi i djemëve të Kosovës, për përgaditje ushtarake në Shqipri; krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Por, Shtetet e Quintit, u përcaktuan që Kosova të bëjë politikë paqësore. Rugovës, si përfaqësues legjitim i popullit të Kosovës, i thanë prerazi: "Nëse vazhdoni përgaditjen për luftë dhe krisma armësh, rruga e mbarë pa ne!" Dhe, kjo nuk ishte as lutje, as këshillë, por, thjeshtë, urdhër. Këtë e dëshmojnë edhe të pranishmit tjerë, që nuk janë hiç më pak se Akademikë.

LDK-ja mbajti në organizim oficerët e karrierës dhe kuadrin nga LDK-ja, duke përtërirë edhe FARK-un. Dihet pjesëmarrja në luftë "e krahut të paqës". Komandantët: Fatmir Limaj e pranon, pothuaj se, të gjithë ushtarët na vinin nga LDK-ja; Ramush Haradinaj thotë 98 % të angazhuarëve në luftë, ishin të LDK-së". 

Kaq shumë e kanë përsëritur gënjeshtrën "e krahut të paqës", sa në një emision - Debati -, në TV Dukagjin, moderatori ia përmendi këtë kuadrit të LDK-së, Gazmend Muhaxherit. Por, Gazi iu përgjigj se "luftën e kemi bërë ne, LDK-ja". Ai ishte njëri nga kuadrot e FARK-ut dhe i burgosur në vitet `90-a. Ndëkohë që, në shumë raste, kuadrot e kësaj partie i heshtin faktet, të vërtetën.

Shantazhi, kërcënimi i krerëve të OVL të UÇK-së ndaj institucioneve, popullit të Kosovës, ka qenë dhe mbetet aktiv, sa herë që PAN-i i tyre ua kërkon.

Ishte turp kombëtar, pranimi i këmbimit të territorit tokësor të Kosovës, për liberalizimin e vizave! Presioni i protestave të OVL të UÇK-së, frikësoi Isa Mustafën për humbjen e postit të kryeministrit dhe bashkë me Hashimin falën mijëra hektarë tokë. 

Në popull koalicioni qeverisës LDK-PDK, ngjallë frikë të bazuar dhe neveri të skajshme. LDK-së, si parti, i faturohen rrejshëm marrëveshjet sekrete, sepse ato i bënë klani brenda Kryesisë Qendrore dhe i legjitimon, me shantazh e dhunë politike, Këshilli i Përgjithshëm, me votimin aklamativ, të tufëzuar, blegtoral! Me këtë koalicion, plus minoritetet, janë realizuar të gjitha marrëveshjet konspirative, të pista:

1) "Zajednica" (pavarësisht se kundërshtoi Gjykata Kushtetuese); 

2) zgjedhja e Hashimit president; 

3) demarkacioni "me betë e rrëfetë" e Isës dhe Hashimit se "Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë";

4) shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahut, pse nismoi hetimin për diplomat e Prof. Dr. të SHIK-ut në Universitet, i realizuar nga anëtarët e Komisionit të PAN-it dhe dy anëtarë të KP të LDK-së, të "zgjedhur" nga Isa kryetari; 

5) pagesa e shumë mijëra "veteranëve" të rremë, të propozuar nga komisioni i OVL të UÇK-së (PAN) dhe të aprovuar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa dhe të tjera pisllëqe, për të cilat, kryekrerët klanorë, me sejmenët e tyre, të LDK-PDK, kanë një "ujdi", për mbrojtjen reciproke të interesave biznesore individuale e grupore.

Ju, manipulatorë të OVL të UÇK-së, abuzuat me besimin e dhënë, për të hartuar listat e veteranëve dhe nga 12.700, sa e pranon shefi i SHP të UÇK-së dhe komandantët kryesorë të Drenicës dhe të FARK-ut, i shumëzuat në 76.000 kërkesa, duke shpërdoruar dhjetra miliona euro të buxhetit shtetëror! Kërcënuat me protesta për paratë e ngutshme dhe kryeministri Isa Mustafa bëri fajin fatal, pa bërë asnjë verifikim të vërtetësisë të "dëshmive të veteranëve", nën presionin tuaj, filloi lëvrimin, dhënien e parave të shtetit të varfër të Kosovës dhe po të vazhdohet ligjësimi i mëtejmë i këtij makro-falsifikimi, shifrat shpërdoruese do të jenë miliardshe!

Kryetari i OVL të UÇK-së në Shqipëri, gjeneral Spiro Butka, ngulmon se nga Shqipëria janë, gjithsejt, 186 veteranë, pjesë e luftës së Kosovës. Por, manipulimi ka qenë enorme dhe vazhdojnë të paguhen 3.000 "veteranë", madje numri, tashmë, është rritur përtej kësaj shifre! Ai akuzon me emër e mbiemër një ish-kryetar të OVL të UÇK-së, se ka shitur "Dëshmi të Veteranit" dhe në bashkëpunim me miqtë e tij në Shqipëri, ka hapur dyqane e biznese.

Hipokrizia dhe cinizmi i kritikëve të Specialës

Të gjithë ata individë apo parti politike, të cilët akuzojnë Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pse ngulmonin që Gjykata Speciale të aprovohet nga Parlamenti i Kosovës, janë hipokritë dhe amoralë politikë. Kishte dy arsye bazike, që krijimi i kësaj Gjykate ishte domosdo:

1) Krimi kishte ndodhur gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Janë ekzekutuar, të listuar e ngeshëm, ushtarakët luftëbërës, përfshi edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolone Tahir Zemaj, me shumë shokë. Janë vrarë në pusira, ditën me diell dhe natën me hënë e pa hënë, bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës, kryetarë të komunave, veprimtarë të LDK-së, gazetarë me kurajo profesionale e qytetare. Janë vrarë kuadro dhe luftëtarë të LPK-së. Dhe, vërtetësia nuk ka nevojë për dëshmitarë, sepse varret e tyre janë anekënd Kosovës. Madje, nuk janë as 100 dhe as 200, por, disa qindra, përfshi edhe ata që nuk kanë as varre. Janë edhe shumë të dajakosur dhe të plagosur, të cilët "robi i ka vrarë, por Zoti i ka mëshiruar, shpëtuar", për ta vazhduar jetën me plagë trupi dhe shpirti - njëherësh.

 2) Bota Demokratike, e angazhuar politikisht, ushtarakisht, materialisht, që ka derdhur miliarda euro, për ta shpëtuar dhe mbijetuar popullin e Kosovës, nga genocidi vrastar, ekzodi i dhunshëm, me qëllim të mohimit të përjetshëm të Atdheut stërgjyshor, nuk mund të mbyllë sytë, kur krimet vrastare i vazhdojnë bandat shqip-folëse, edhe pas dëbimit nga NATO-pakti të soldateskës serbo-sllave. 

Edhe nëse Parlamenti i Kosovës, do ta refuzonte kërkesën për krijimin e Gjykatës Speciale, atë do ta bënte OKB-ja. Sepse, misioni i Botës Demokratike, i kryesuar nga SHBA dhe Evropa e Bashkuar, është i shënjtë. Ajo nuk njeh kufi, komb, racë, fe, kur cënohen të drejtat e njeriut. Ajo nuk merr leje nga sadamër e kadafër me shokët e tyre kriminelë, por, vepron me zjarr e hekur, për t`i mposhtur, duke sjellur lirinë për popujtë e shtypur, nga kriminelët, qofshin ata edhe vendorë.

Pafytyrësia nuk ka kufi. Shkaktarët potencialë, që kanë detërminuar krijimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës, janë më të zëshmit që "kjo gjykatë duhet të jetë në Kosovë, sepse ne i kemi kapacitetet e mjaftueshme, për t`i hetuar, gjykuar dhe dënuar kriminelët, qofshin ata gjatë luftës apo të pas luftës!?" Për këtë, përgjigje sa të saktë, aq edhe të drejtëpërdrejtë, ka dhënë Hashim Thaçi, qoftë nga pozita e zëvendëskryeministrit, qoftë nga ajo e presidentit: "Është shantazhi, kërcënimi, deri në vrasjen e dëshmitarëve, që ka bindur Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, që Gjykata Speciale të funksionojë jashtë Kosovës". Ai ka adresuar dyshimin e bazuar edhe tek një subjekt politik, i cili u ka kushtuar vëmendje të përhershme pakësimit të dëshmive të mundshme. Këtë të vërtetë e faktojnë edhe 22 dëshmitarët potencialë të kësaj Gjykate, të ekzekutuar ndër vite.

Drejtësia në Kosovë është e betonuar, e dështuar. Kishte kohë të mjaftueshme, tej dy dekadave për të parandaluar dhe ndëshkuar krimin e organizuar vrastar në Kosovë. I heshti krimet, njësoj siç bëri UNMIK-u dhe krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, të dy palët pjesë e këtyre krimeve makabre. Kurti u vet-demantua se kjo Gjykatë duhet të vendoset në Kosovë, kur dështoi në organizimin e Vettingut për personelin e drejtësisë, prokurorët dhe gjykatësit. Ata refuzuan dhe e bojkotuan me prepotencë, mujëshi dhe arrogancë, deri në mospërfillje dhe rrugaçëri. Rrjedhimisht, e dështuan nismën e ministrës profesionale e simpatike të drejtësisë, për Vettingun, si alfa nismore e çkapjes të drejtësisë, të shtetit.

Të apostrofuarit e parë të Gjykatës Speciale, presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli, vazhdojnë të kenë qasje të dinjitetshme, edhe për pritjen e mundshme të ballafaqimit me drejtësinë. Këtë e dëshmon edhe reagimi mospajtues i kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për protestën e paralajmëruar të OVL të UÇK-së. Arsyetimi i kryetarit Veseli është veprim i duhur dhe racional. Si i tillë është mirë të respektohet edhe nga organizatorët e rrëmujshëm dhe kontravers. Sepse protestat do ta justifikonin palën akuzuese, për mënyrën e nxituar të akuzës publike, ende pa e miratuar gjykatësi i çështjes,

 Thirrja e OVL të UÇK-së, në emër të popullit, paushall e falsifikueshëm, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ngaqë të gjitha sondazhet e dëshmojnë se 70 % e popullit të Kosovës aprovon drejtësinë e kësaj Gjykate, pa paragjykuar fajësinë e emrave të veçantë. Disa syrësh janë intervistuar dhe mund të pasojnë edhe akuzat për krimin e vrasjes, kryesisht, të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Andaj, me protesta duan t`i bëjnë pjesë aprovuese të krimeve të tyre edhe veteranët e pafajshëm, të cilët janë angazhuar në luftë kundër pushtuesit, me përkushtim atdhetar, pa menduar për interesa dhe përfitime personale.

 Zhurma e OVL të UÇK-së, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, është një mision i pamundur dhe vetëdiskreditues për organizatorët. Si Organizatë kurrë nuk ka ngritur zërin, aq më pak protestuar, për viktimat e pafajshme, për fëmijtë jetimër, që i shtohen Kosovës edhe pas çlirimit të Kosovës. Përkundrazi, ka fakte të pademantueshme, se disa nga organizatorët e sotëm, dje kanë festuar ekzekutimet politike.

Më në fund, është koha për reflektim dhe pendesë të sinqertë. OVL të UÇK-së ka nevojë të maturohet, të mos përsërisë marrëzirat, që dëmtojnë edhe më tej reputacionin e saj. Kam bindjen se në radhët e kësaj Organizate, ka veteranë të devotshëm, të cilët, assesi, nuk pajtohen me aventurat të krerëve të handakosur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat