Lufta Çlirimtare ka qenë obligim dhe e drejtë legjitime e shqiptarëve për t’u mbrojtur dhe shpëtuar nga gjenocidi dhe masakrat barbare të ushtrisë dhe policisë kriminale të Serbisë në Kosovë..!? - Bota Sot
Lufta Çlirimtare ka qenë obligim dhe e drejtë legjitime e shqiptarëve për t’u mbrojtur dhe shpëtuar nga gjenocidi dhe masakrat barbare të ushtrisë dhe policisë kriminale të Serbisë në Kosovë..!?

Opinione

Lufta Çlirimtare ka qenë obligim dhe e drejtë legjitime e shqiptarëve për t’u mbrojtur dhe shpëtuar nga gjenocidi dhe masakrat barbare të ushtrisë dhe policisë kriminale të Serbisë në Kosovë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 10 korrik 2020 Në ora: 09:54
Rexhep Elezaj

Rezistenca dhe lufta e armatosur e popullit shqiptar të Kosovë kundër agresionit barbar ushtarak dhe policor të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të 90-ta, ka qenë legjitime, e drejtë dhe obliguese për çdo shqiptar atdhetar dhe patriot. Andaj si forcë çlirimtare e dalë nga gjiri i popullit, UÇK-ja e ka kryer detyrën e saj kushtetuese dhe lufta e saj nuk mund të njolloset, qoftë edhe nëse individë të papërgjegjshëm nga radhët e saj kanë bërë krime ose keqpërdorime të cilat bien ndesh me normat e ligjeve ndërkombëtare të luftës.

Pra, legjitimitetin e luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës e kanë pranuar botërisht qysh në vitin 1997 faktorët kyç ndërkombëtarë, siç ishte vizita historike e Richard Hoollbruk-ut në Junik, pra vetë SHBA-të bashkë me vendet kyçe të BE-së në krye me Gjermaninë, Anglinë, Francën dhe Italinë. Kështu që ka qenë krejtësisht i panevojshëm dhe i dëmshëm debati publik rreth vlerave të luftës sonë çlirimtare, e cila shqiptarëve u është imponuar me dhunë si masë mbrojtëse nga sulmet dhe krimet e regjimit kriminal të Serbisë të bëra në Kosovë deri në përfundimin e saj me fitoren tonë me 10 qershor 1999.

Kur është fjala për UÇK-në dhe bazat ideologjike, kryesisht marksiste-leniniste, mbi të cilat ajo është formuar, pa përjashtuar motivet kombëtare si dhe duke i marrë parasysh konfliktet dhe mospajtimet e brendshme midis udhëheqësve ideologë të LPK-së, Dega jashtë vendit, në Zvicër dhe Gjermani, po ashtu duke e njohur luftën e tyre të brendshme për poste komanduese politike dhe ushtarake, del se gjatë kohës së formimit të UÇK-së, sidomos pas fillimit të luftës së armatosur dhe ndarjeve në shtabe rajonale, brenda saj nuk ka pasur unitet të plotë politik dhe as ushtarak. Rrjedhimisht këto përçarje detyrimisht kanë çuar në gabime rreth mënyrës dhe përcaktimit të nivelit komandues si dhe gabime në organizimin dhe udhëheqjen profesionale të luftës në teren..!?

Pra, kur të kihen parasysh raportet e këqija midis eprorëve komandues si dhe krerëve të shtabeve politiko-ushtarake brenda Kosovës dhe në diasporë,  të publikuara në shumë libra dhe rrëfime nga autorë pjesëmarrës në luftë, mjerisht ka rezultuar se në nivel organizativ dhe komandues të luftës kanë ndodhur gabime të mëdha, të cilat kanë qenë evidente gjatë gjithë kohës së luftës (1998-99), duke mos i harruar këtu keqpërdorimet që janë bërë me armatimet si dhe me ndihmat financiare dhe materiale në miliona marka të ardhura nga mërgata jonë!

Gjithashtu, duhet theksuar me këtë rast edhe njërin ndër konfliktet më banale dhe të dëmshme që ka ndodhur gjatë kohës së luftës midis udhëheqësve të shtabit të UÇK-së dhe atyre të FARK-ut, i cili pa dyshim, do mbetet ndër njollat më të zeza në historinë e luftës sonë çlirimtare, me vet faktin, sepse një ndarje dhe polaritet i tillë ushtarak mbi baza ideologjike dhe politike midis LPK-së dhe LDK-së, përveç se kishte premisa antikombëtare, kjo armiqësi dhe ndarje e pakuptimtë e ka dëmtuar tej mase luftën dhe kauzën tonë kombëtare!

Mjerisht, hasmëria si dhe konkurrenca politike midis dy krahëve politik dhe ushtarak, në veçanti sulmet, etiketimet dhe qëndrimet agresive të LPK-istëve ndaj politikës paqësore të presidentit historik, Ibrahim Rugova, përveç se e kanë dobësuar kohezionin ushtarak në frontin e luftës kundër armikut, pa asnjë mëdyshje, se bartësit fanatik të ideologjisë majtiste i kanë bërë dëme të pariparueshme unitetit veprues në front si dhe kauzës sonë kombëtare. Përkatësisht, procesin dhe aspiratën e dy milion shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës, e kanë tundur dhe lëkundur nga njëri kënd i greminës karrieriste në këndin tjetër të dështimeve politike dhe luftarake, duke zvarritur në mënyrë të pajustifikueshme shpalljen e aktit të pavarësisë së Kosovës, e cila siç e dimë do realizohet me 8 vite vonesë pas çlirimit..!?

Se, në çdo luftë lokale dhe botërore kanë ndodhur krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës, në këtë nuk dyshon askush, sepse vetë luftërat pa marrë parasysh shkaqet, janë akte krimi gjatë të cilave vriten njerëzit, por kur lufta del jashtë normave të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, siç janë p.sh. vrasja e robërve të luftës, dhunimet seksuale, masakrimi i të vrarëve, zhdukja e kufomave, vrasja e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur, grave dhe pleqve, etj., atëherë ato  konsiderohen krime kundër njerëzimit si dhe shkelje të rënda ligjeve të luftës. Dhe, pikërisht gjitha këto krime ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-99) i ka bërë regjimi kriminal i Serbisë në krye me kasapin e Ballkanit S. Millosheviçin..!?

Se a ka pasur ndonjë krim të tillë ndaj serbëve lokalë nga ana e individëve brenda UÇK-së, këtë nuk duhet përjashtuar, por të cilat, edhe nëse kanë ndodhur, kurrë nuk mund të krahasohen me masën e krimeve monstruoze të një ushtrie me sistem komandues shtetëror, siç ka bërë regjimi kriminal i Serbisë ndaj popullatës shqiptare, duke vrarë mbi 13 mijë civilë të paarmatosur, duke dëbuar mbi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre, si dhe duke dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare..!?

Pas gjithë kësaj që u tha më lartë, pashmangshëm se shtrohen disa pyetje; pse atëherë Karla del Ponte dhe Dick Martti akuzuan dhe kërkuan që të ngritën aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, etj., e tj., pse dhe kush ishin iniciuesit dhe kërkuesit për dënimin e “krimeve kundër njerëzimit të kryera nga individë brenda UÇK-së”, kush kërkoi të formohen Dhomat speciale, gjegjësisht Gjykata speciale vetëm për Kosovën, pse dhe kush bëri presion ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë ligjin për formimin e kësaj gjykate, pse ishte i gjithë ai vrapim i Hashim Thaçit duke lobuar tek subjektet politike qe ta votojnë ligjin për Gjykatën speciale në vitin 2015, pse dhe me cilin shtet mik ishte dakorduar formimi i kësaj gjykate, apo cili funksionarë evropian ka kërkuar që me çdo kusht të formohet gjykata speciale vetëm për shqiptarët, etj., etj., pyetje këto të cilat kërkojnë përgjigje të plotë dhe meritore. Përndryshe, akuzat dhe ftesat e dërguara nga Gjykata speciale mbi 250 ish luftëtarëve të UÇK-së, duke i marrë në pyetje si të akuzuar apo si dëshmitarë, nëse të gjitha këto veprime dhe aktakuza nuk do të zbardhen deri në fund, atëherë përmbajtja e bisedave të tyre në Hagë si dhe prapavija e vet formimit të kësaj Gjykate nuk do të zbardhen kurrë..!?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat