Me zullumqarë, me rezila e me hajna të BFI-së nuk fitohet “kryeministri” shqiptar - Bota Sot
Me zullumqarë, me rezila e me hajna të BFI-së nuk fitohet “kryeministri” shqiptar

Opinione

Me zullumqarë, me rezila e me hajna të BFI-së nuk fitohet “kryeministri” shqiptar

Nga: Mr. Eset Shaqiri Më: 10 korrik 2020 Në ora: 09:58
Mr. Eset Shaqiri

Na ishte një traditë që, qoftë edhe formalisht, siguronte një “non paper” të nënshkruar nga liderët fetar se, gjatë zgjedhjeve, pavarësisht nëse kanë qenë lokale apo parlamentare, institucionet fetare nuk do të lejojnë që të bëhen pjesë e fushatave partiake. Kësisoj, deklaronin se do ta ruajtur autonominë e plotë të institucionit fetar dhe se nuk do të përzihen dhe nuk do të pozicionohen si institucione fetare në krah të partive politike nacionale apo edhe qytetare

Bota demokratike, partitë me taban demokratik e qytetar, Institucionet fetare i konceptojnë si “shtëpi të shenjta”, të cilat nuk bën dhe nuk guxon të përdhosen nga asnjë subjekt politik. Në momentin kur do të ndodhë kjo, atëherë do të kemi celula ekstremiste me vizione politike-radikaliste të cilat mund ta rrezikojnë demokracinë si fjalë e fundit e mirëqenies dhe kulturës së shoqërisë së shëndoshë.

Së këndejmi, që nga pluralizmi politik në vend e këndej, pothuajse në të gjitha zgjedhjet politike, partitë e vendit kanë insistuar që nga liderët fetar të ketë një kodeks të nënshkruar sipas të cilit komunitetet fetare do të rrinin larg e më larg fushatave politike, aq më pak agjitimeve dhe bashkëpunimeve me partitë politike.

Ky rregull gjithnjë është thyer ekskluzivisht nga Bashkësia Islame derisa mbahej e uzurpuar nga Sulejman Rexhepi me myhybët e vet, të cilët, ku me hatër e ku me dhunë, publikisht e materialisht viheshin në shërbim dhe në ndihmë të Bashkimit Demokratik për Integrim! Nën çatinë e kësaj partie Sulejman Rexhepi i kriminalizuar gjente premtime se nuk do të prekej dhe se do të përkrahej deri në amshim që të jetë drejtues i BFI-së, dhe se, pavarësisht aktiviteteve kriminale, kurrë nuk do të përndiqej, ndaj dhe, tërë Institucioni vihej në shërbim të fitoreve “të garantuara” të BDI-së.

Sot, në krye të BFI-së nuk gjendet më okupatori i deridjeshëm i këtij Institucioni, Sulejman Rexhepi, ai u eliminua me marifete partiake dhe në vend të tij “e vunë një pis edhe dhjetë herë më BDI se të gjithë BDI-stat, Shaqir Fetain”! – siç u shpreh një kryetar i njërës nga partitë shqiptare të vendit.
Shaqir Fetai u dëshmua se është karrierist i verbuar, se është i dhënur deri në çmendi pas postit “kryetar”, se si provincialist është i zhveshur tërësisht nga dinjiteti dhe nga morali njerëzor, vetëm e vetëm që ta ketë të garantuar këtë post, qoftë edhe për nja dy-tre muaj! Këtë sëmundje ia kanë kuptuar këta të BDI-së së sëmurë kësaj radhe deri në gjunjëzim politik, ndaj dhe e kanë caktuar si patericë partiake, duke shpresuar se, sado pak, do të arrijë të mbajë në këmbë ndonjë degë a nëndegë nëpër territore të myftinive të caktuar!

Disa “myfti ilegjitim”, të cilët ligji dhe aktet normative të BFI-së i njohin vetëm si koordinatorë të myftinive të caktuar (!!!), duke pritur garanci ligjore për shkak të manipulimeve në “emërtime profesionale”, janë lëshuar haptazi nëpër fushata partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Myftiu ilegjitim i Shtipit, i cili këtë territor nuk e viziton me muaj, madje as për Ramazan, kësaj radhe është në terren dhe kërkon prej hoxhallarëve të shpërndajnë materiale propagandistike të BDI-së nëpër xhematet e tyre, ndryshe, i kërcënohet me largim nga puna! Po kështu veprojnë edhe të delegjitimuarit dhe të ashtuquajturit Myftiu i Strugës, ai i Ohrit, i Manastirit, i Prilepit, i Velesit etj.

Që nga Shaqir Fetai, e deri te i fundit, që të gjithë janë të njohur dhe me “myhyr në ballë” janë të njohur si bashkëvjedhës dhe bashkëtuhajësues të vakëfit, janë të njohur si bashkëshitës të vizave të haxhit dhe të kurbanëve. Thjesht, janë të njohur dhe të pranueshëm si zullumqarë po aq sa Sulejman Rexhepi!
Tani, BDI-ja pret që të zgjedhë “kryeministër” shqiptar me këta hajna e me këta zullumqarë, të cilëve, si kundërshpërblim u ka garantuar siguri ligjore!
Nuk ka Ali Ahmet në botë që mund t’ia garantojë Shaqir Fetait postin e kryetarit të BFI-së si dhe të tjerëve zhveshjen nga epiteti i njerëzve të kriminalizuar. Fuqia e popullatës myslimane kundër këtyre synimeve antiislame e antishqiptare është e barasvlefshme sa fuqia atomike. Kështu që, përzierja e BDI-së në BFI (por edhe e partive të tjera) si dhe dorëzimi i autoritetit dhe autonomisë së BFI-së në duar të BDI-së është gjesti më fatal që mund t’i ndodhë kësaj shoqërie dhe këtij shteti!

“Një shoqëri për të gjithë” do të thotë të drejta dhe mirëqenie shtetërore për të gjithë, por edhe obligime dhe detyrime shoqërore për shtetin. Ky do të ishte një shtet i së drejtës i cili do të funksiononte drejtë për të gjithë e jo sipas tekeve të honxho-bonxhove dhe dallkaukëve.

BFI-ja duhet të jetë apolitike dhe nuk guxon të pozicionohet në prehëra partiake. Partitë politike duhet të dridhen para autoritetit të BFI-së, të cilin, mjerisht, e kriminalizoi duke e dhënë për fajde. Dihet se cili është definicioni islam për fajdexhinjtë, për këta pazarxhinjë të autoritetit të Institucionit shekullor islam në RMV!
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat