Me fabrikime nuk shkruhet historia, as nuk kushtëzohet e ardhmja

Opinione

Me fabrikime nuk shkruhet historia, as nuk kushtëzohet e ardhmja

Nga: Fetnete Ramosaj Më: 10 korrik 2020 Në ora: 17:18
Fetnete Ramosaj

Para më shumë se gjashtë dekadave përpara Gjykatës ndërkombëtare të Nurembergut parakaloi tmerri i Luftës së Dytë Botërore: furrat e Aushvicit, gjenocidi, vrasjet e shkatërrimet në masë. Njerëzimi pa të ndëshkohen përgjegjësit dhe shkaktarët e luftërave dhe disi mori frymë më lirshëm. Por, gjashtëdhjetë vjet më vonë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ndodhi e kundërta.

Në këtë gjykatë nuk u trajtuan vetëm përgjegjësit dhe shkaktarët e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, por mbizotëruan tendencat e hapëta të drejtësisë ndërkombëtare për barazimin e krimeve, u trajtuan njëjtë xhelatët dhe viktimat!

E bërja bashkë e xhelatëve dhe viktimave është e papresedan në historinë e ndarjes së drejtësisë, qoftë ajo edhe drejtësi ndërkombëtare.

Image
KRIMINELËT UA VRANË FËMIJËRINË: Në foto një pjesë e fëmijëve të komunës së Gjakovës, të vrarë, të masakruar e të zhdukur gjatë luftës nga forcat pushtuese serbe.

Për habinë e opinionit shqiptar dhe të atij botëror, përpara Gjykatës së Hagës, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përballën me të njëjtat akuza për të cilat gjykohej deri para vdekjes famëkeqi Sllobodan Millosheviq. Kjo është njësoj sikur në Gjykatën e Nurembergut, përkrah Rudolf Hesit, Albert Shpirit, Herman Geringut e të tjerëve, të gjendej edhe ndonjë luftëtar hebre që nuk kishte pranuar fatalitetin e shfarosjes, por që kishte marrë guximin të rrëmbejë armët për të luftuar kundër nazistëve.

Dihet botërisht se Serbia trashëgoi gjithë infrastrukturën ushtarake të ish-Jugosllavisë, që përbënte forcën e tretë ushtarake në Europë. Me të gjitha trupat e rregullta ushtarake, policore e paraushtarake, të pajisura me mjetet më moderne, përfshirë edhe arsenalin luftarak të ndaluar me konventa ndërkombëtare, Serbia e sulmoi Kosovën për ta pushtuar, duke synuar zhbërjen e një populli të tërë dhe spastrimin etnik të saj, duke bërë krime e gjenocid të pashembullt mbi popullin shqiptar. Në anën tjetër, në këtë luftë tejet të padrejtë e të pabarabartë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u organizua prej zeros, duke bërë përpjekje mbinjerëzore për mbrojtjen e popullit dhe vendit të vet nga invadimet shfarosëse serbe. Përkrah liribërësve të Kosovës, për të ndërprerë spastrimin etnik, gjenocidin dhe masakrat e vazhdueshme të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, me të drejtë pasoi ndërhyrja ajrore e Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s (24 mars 1999 – 10 qershor 1999).

Edhe pse Serbia luftënxitëse për gati një dekadë e lau në gjak gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke i shkaktuar katër luftëra gjenocidiale, megjithatë kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq, falë zvarritjeve të kryeprokurores Del Ponte nuk u dënua fare nga Tribunali i Hagës. As Serbia nuk u gjykua për gjenocid.

Kemi parë se në rastin e Kosovës, gjatë dy proceseve gjyqësore, kryeprokurorja Del Ponte, vazhdimisht ka cituar shpifjet e zyrtarëve serbë, tamam si të ishte një kryeprokurore e Serbisë e jo e një Tribunali Ndërkombëtar. Më vonë zyrtarët serbë filluan të citojnë Del Ponten. Aq lëmsh i bënë punët sa nuk dihet më kush kë citon, nuk dihet ku fillojnë e ku mbarojnë shpifjet e gënjeshtrat e Beogradit, as ku fillojnë e ku mbarojnë shpifjet e Del Pontes, janë bërë një. Mbase këto qëndrime të koordinuara vijnë pas marrëveshjes së fshehtë të ish-kryeprokurores Carla del Ponte, të bërë me ministrin e jashtëm të Serbisë, Goran Svilanoviq, në maj të vitit 2003, për të fshehur krimet që do të dëshmonin gjenocidin shtetëror të Serbisë. Lidhur me këtë marrëveshje, pos tjerësh, ka shkruar gjerësisht gazeta “New York Times” në maj të vitit 2007.
Ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Del Pontes (siç është rasti me prokurorin në procesin kundër Millosheviqit, Geoffrey Nice), dëshmojnë se Carla del Ponte krye në vete i ka ngritur aktakuzat kundër shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë pse ka pasur fakte, por për të tërhequr paralele për barazimin e krimeve, për t’ia bërë qejfin Serbisë apo “për të mos iu hidhëruar Millosheviqi”. Dhe për këtë i ka pasur duart e lira, pa mbikëqyrje as nga Haga as nga Nju Jorku. “Carla Del Ponte ka ndihmuar për t’i fshehur implikimet e shtetit serb në krimet e luftës. Punën e saj nuk e ka kontrolluar askush, as në Hagë as në Nju Jork, që është diçka e paimagjinueshme për drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë ish-prokurori Nice.

Është e çuditshme se si Carla del Ponte, në mungesë të provave e të fakteve, ka tentuar së tepërmi ta fyejë dhe ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ta njollosë popullin shqiptar përgjithësisht. Në vitin 2008, vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e ditur dështimin e turpshëm e të pashmangshëm në rastin “Haradinaj dhe të tjerët”, njëkohësisht me paralajmërimin për shpalljen e verdiktit të trupit gjykues, për të tërhequr vëmendjen mediale, Del Ponte, tashmë kur nuk ishte më kryeprokurore në Hagë, doli me librin e saj skandaloz e me prirje raciste, “Gjahu: Unë dhe kriminelët e luftës”, të shkruar në bashkëautorësi me Chuck Sudetiqin, ku shpif tmerrësisht rrejshëm kundër UÇK-së. Dhe, për një person, si Del Ponte, që gjithë profesionin e vet ia ka kushtuar gjetjes së dëshmive, është skajshmërisht e çuditshme se në librin e saj, ajo nuk ofron asnjë dëshmi për pohimet e saj, vetëm merret me thashetheme e fabrikime.

Shpifjet e tmerrshme të Carla Del Pontes “për tregtinë e shqiptarëve me organet e serbëve të rrëmbyer”, proserbët nxituan t’i materializojnë. Kështu, të njëjtën ditë, Televizioni Shtetëror Rus, në terminin qendror të lajmeve (më 6 prill 2008), shpifjet e Del Pontes i ilustroi madje edhe me pamje televizive! Por, pamjet ishin nga kampi i përqendrimit në Prijedor të Bosnjës, kurse boshnjakët nga Bosnja e Hercegovina që mbaheshin në këtë kamp, u prezantuan si serbë nga Kosova!

Në atë kohë, akuzat kurrë të argumentuara të ish-kryeprokurores së dështuar të Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, se shqiptarët e Kosovës kanë nxjerrë dhe trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë, ish-bashkëpunëtorja e saj e afërt, Florence Hartmann i ka quajtur “të papërgjegjshme dhe jodinjitoze”. “Del Ponte nuk ka as provën më të vogël për një trafik të mundshëm organesh që u janë marrë të burgosurve nga luftëtarët e Kosovës. Ajo po na zhyt sot në orët më të errëta të propagandës”, ka nënvizuar Hartmann, për gazetën zvicerane “Le Temps”, të datës 16 prill 2008.

Njëkohësisht edhe Haga zyrtare menjëherë nxitoi të shkëpusë çdo qëndrim të vetin nga deklaratat e papërgjegjshme të Del Pontes, duke nënvizuar se edhe për këtë institucion hamendësimet e saj janë krejt të pabaza.

Përderisa Del Ponte, në njërën anë, merret me pohime absurde dhe me shpifje ekstremisht të paqëndrueshme kundër shqiptarëve, në anën tjetër, derisa ishte në postin e kryeprokurores, çuditërisht, i mënjanoi, i injoroi dhe i shkatërroi dëshmitë akute të krimeve të tmerrshme që bënë forcat serbe mbi shqiptarët, të cilat dokumentonin krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Del  Ponte i amnistoi kriminelët serbë, mbi të cilët rëndojnë qindra vrasje e masakra kolektive, djegie e dhunime, plaçkitje e shkatërrime në masë, gjoja në këmbim të dhënies së deklaratave kundër luftëtarëve të UÇK-së!

Ideologu serbomadh Dobrica Qosiq, vite më parë do të konstatonte: “Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, inventive”. Dhe këtë konstatim, krahas krimeve e gjenocidit të tmerrshëm e dëshmuan katërcipërisht edhe gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe luftërave të tjera në ish-Jugosllavi.

Derisa ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme, për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar dhe të Del Pontes, në qershor të vitit 2009, në Çagllavicë, Policia e Kosovës, në një rast, arrestoi në flagrancë tre oficerë të shërbimit sekret serb BIA: Igor Juçinac, ish-pjesëtar i SHPK-së deri në vitin 2007, Millutin Radanoviq dhe Predrag Zhelkoviq.

Më pas ishte arrestuar edhe vëllai i njërit nga tre të arrestuarit (vëllai i Igor Juçinacit), Gligor Juçinac, zyrtar i lartë i stacionit policor të Shtimes, për shkak se e kishte kërcënuar me vdekje njërin nga dëshmitarët e këtij rasti (të kombësisë boshnjake).

Siç dihet, këta pjesëtarë të BIA-s serbe u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të bërë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë. Agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, deklaruan se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti. Në “dëshmi” të tilla thirret Dick Marty.

Mirëpo edhe përkundër provave të shumta kundër këtyre oficerëve të BIA-s, të mbledhura me kujdes gjatë disa muajve nga Policia e Kosovës, më 12 shkurt 2010, në seancën kur aktakuza ndaj tyre duhej të merrte formën e prerë, që të katërt u liruan pa zhurmë mediale nga një gjykatës i EULEX-it.

Ngjashëm ndodhi edhe në rastin e serbit Goran Vuçkoviq, nga fshati Gorosellë i komunës së Prizrenit, i arrestuar në gusht të vitit 2009, sipas dyshimit të bazuar në dëshmi të shumta të bashkëvendësve të tij (të kombësisë boshnjake) se gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte dhe ka qenë pjesëtar i grupit terrorist serb “Dora e Zezë” dhe njëri ndër personat kryesorë që kanë shkatërruar muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, Vuçkoviq, vetëm disa ditë pasi u dërgua në paraburgim, përkundër dëshmive, u lirua nga EULEX-i. Atë para hyrjes së burgut të Prizrenit, e priti të dalë nga paraburgimi ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Sllavisha Petkoviq, i cili e shoqëroi deri në Serbi.

Paramendojeni, vetëm një person është dënuar për masakrën e Raçakut, dhe atë vetëm për një vrasje dhe dy tentim-vrasje. Ai është polici serb, Zoran Stanojeviq, nga fshati Gracë e Vjetër i Lipjanit, i dënuar me 15 vjet burgim. Stanojeviq, sapo u transferua nga Kosova në burgjet e Serbisë, u lirua nga burgu me dekret të veçantë të presidentit serb Boris Tadiq. E të mos flasim për dhjetëra raste të ikjes së kriminelëve serbë, në mënyrë të organizuar nga burgu, apo mosdënimin e dhjetëra të tjerëve edhe përkundër dëshmive të shumta.

Del Ponte, Marty e ndonjë tjetër si ata, nuk është se nuk e dinë adresën e vërtetë të kriminelëve, por është e habitshme se si tentojnë t’i ngatërrojnë ato. E dinë mirë adresën e trafikantëve të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, e dinë se viktima të këtij krimi ishin ekskluzivisht shqiptarët. Ka dëshmi të bollshme, të ofruara madje edhe nga ata që ishin pjesëmarrës në këto krime të tmerrshme se gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, vetëm në Spitalin e Prishtinës, dhjetëra pacientë shqiptarë (kryesisht fëmijë e të rinj), pasi u janë nxjerrë organet e brendshme janë zhdukur pa gjurmë. Madje, Del Ponte ka dëshmi se me automjetet e Kryqit të Kuq të cilit shtet mik të Serbisë janë transportuar organet e shqiptarëve nga Spitali i Prishtinës. Ajo e di edhe destinacionin e tyre. Del Ponte dhe Prokuroria e Hagës posedon dëshmi të mjaftueshme për eksperimentet e bëra me civilët shqiptarë në vend të minjve, në bodrumet nëntokësore të VMA-së në Beograd, ku robërve shqiptarë u janë marrë edhe organet e brendshme.

Gani Shala nga Ruhoti i Pejës, është vetëm njëri nga ata që kaloi nëpër rrathët e ferrit serb. I plagosur rëndë, u zu rob nga policia serbe, në Bishtazhin të Gjakovës, më 28 janar 1999. Sapo e zunë, policët serbë e qëlluan edhe me tre plumba në këmbë. Maltretimet dhe torturat çnjerëzore që ushtroi policia serbe mbi Gani Shalën në spitalin e Gjakovës, edhe në prani të vëzhguesve të OSBE-së, atëbotë tronditën mbarë opinionin vendor e ndërkombëtar. Ganiu u torturua sërish në Burgun e Pejës, të Pozharevcit, të Dubravës, por torturat më mizore iu bënë në Spitalin e Burgut Qendror (CZ) në Beograd, ku, së pari e konvertuan me dhunë në fenë ortodokse dhe e pagëzuan me emrin “Llazar”. Dymbëdhjetë muaj e gjysmë e kanë detyruar me dhunë të bartë kryqin sllav. Kryqin ia kishin vizatuar edhe në gjoks. Ndërkaq në gusht të vitit 1999, tentojnë t’ia marrin njërën veshkë, njëherë duke i thënë t’ua japë veshkën në këmbim të shërimit, por pasi nuk pranoi, për më shumë se dy javë e rrahin e maltretojnë derisa detyrohet me dhunë të pranojë kërkesën e tyre, madje siç thotë, të japë jo njërën por të dyja veç t’u japë fund torturave. Por, çuditërisht, Ganiu shpëton pa ia marrë veshkën vetëm pse ishte pjesëtar i UÇK-së! Shpëton falë këmbënguljes së gruas së pacientit serb, e cila e kishte marrë vesh në momentet e fundit nga Ganiu se kishte qenë pjesëtar i UÇK-së. Ajo nuk pranoi që burri i saj, një gjeneral serb i plagosur gjatë luftimeve në Mitrovicë, të bartte veshkën e një pjesëtari të UÇK-së!

Është e pamohueshme se gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Dihet botërisht se forcat pushtuese serbe në përpjekje për të zhdukur dëshmitë dhe gjurmët e krimeve të luftës, qindra shtëpi anekënd Kosovës i shndërruan në krematoriume, ku i dogjën trupat e shqiptarëve të vrarë, e disa edhe për së gjalli. Veç tjerash, qindra trupa të burrave, pleqve, grave e të fëmijëve, pasi i thërrmuan në mullinjtë që përdoreshin për të thërrmuar mineralet i dogjën në shkritoret e Trepçës, të tjerët i dogjën edhe në termocentralet e Obiliqit. Djegie të organizuar të trupave të shqiptarëve të vrarë pati edhe në shkritoren e Borit, në hekuranën e Smederevës e të Maçkaticës në Serbi. Një gjë e tillë u bë pasi që dy kamionë frigoriferikë përplot me kufoma të shqiptarëve (prej fëmijëve 3-muajsh deri te pleqtë 90-vjeçarë) u zbuluan në ujërat e Danubit e të Peruçacit në Serbi. Mu në zemër të Serbisë në disa varreza masive në Batajnicë e Petrovo Sello, u gjetën qindra mbetje të trupave të copëtuar të shqiptarëve, nën poligonet e njësive speciale të policisë dhe ushtrisë serbe.

Varreza të tjera masive me trupa shqiptarësh vazhdojnë të gjenden në Serbi, e Beogradi zyrtar vazhdon të tallet. Do të përmendim këtu varrezën masive në Rudnicë, në afërsi të Rashkës, ku ka dëshmi se gjenden trupat e mbi 250 shqiptarëve të Kosovës. Keni parë si tallet Serbia tash tri vjet me këtë rast? Keni parë se si nuk lejojnë gërmimin tamam në vendin e saktë të varrezës? Keni parë si tallen me varrezën masive me trupa shqiptarësh në Medvegjë? Keni parë si e ndaloi presidenti serb Tadiq, procesin e hetimit të dy varrezave masive në Maqedoni, afër lumit Lepenc në afërsi të Bllacës? Keni parë se si vitin e kaluar kaloi në heshtje gjetja e varrezës masive në Dobërqan, bri magjistrales Gjilan-Bujanoc, pikërisht në vendin ku gjatë luftës ishte postblloku i Ushtrisë Jugosllave, e shumica ishin eshtra fëmijësh?

Masakra në Burgun e Dubravës

Kur bëhet fjalë për krime e gjenocid, nuk mund të lihet pa përmendur Masakra në Burgun e Dubravës, e kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Në vitin 2006, lënda e masakrës së Dubravës, kinse për “thjeshtësim procesi” (edhe ashtu vetëm shkarazi ishte përmendur në aktakuzë) u hoq fare nga aktakuza e Tribunalit të Hagës kundër ish-zyrtarëve të lartë të Serbisë, Millan Millutinoviq, Nikolla Shainoviq, Dragolub Ojdaniq, Vlladimir Llazareviq, Nebojsha Pavkoviq dhe Sreten Llukiq, të akuzuar për krime lufte në Kosovë . Ngjashëm ndodhi edhe me lëndën e masakrës së Raçakut dhe atë të Padalishtës, që janë dëshmitë më të prekshme të gjenocidit shtetëror serb në Kosovë. Heqja e këtyre masakrave nga aktakuza e Tribunalit të Hagës kundër zyrtarëve të lartë serbë dhe mostrajtimi i një varg masakrave të tjera, që i kryen forcat serbe në Kosovë, lë hapësirë për dyshim të bazuar të përdorimit të kuteve të ndryshme për “ndarjen” e drejtësisë dhe njëanshmëri të shprehur dukshëm në favor të Serbisë kriminale nga ky institucion ndërkombëtar.

Janë të identifikuar 184 të burgosur shqiptarë të vrarë në Burgun e Dubravës dhe rreth 200 të tjerë të plagosur rëndë, në mesin e mbi 1 000 të burgosurve shqiptarë, të cilët Qeveria e Serbisë i solli në Dubravë nga të gjitha burgjet e Serbisë. Po në këtë burg, me urdhër të qeverisë serbe, përkatësisht të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, një javë para masakrës, u zhduk pa gjurmë mr. Ukshin Hoti, që tashmë kishte përfunduar vuajtjen e dënimit në tërësi.

Pos kësaj, familjarëve të të burgosurve të ekzekutuar në Burgun e Dubravës, kufomat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rakosh, jo larg lokalitetit të burgut, në dëshmitë përcjellëse që u janë dhënë nga UNMIK-u bashkë me kufomat e të vrarëve të identifikuar, si vend i vrasjes figuron emërvendi “Rakosh”, e si datë e vrasjes muaji “gusht 1999”. Si të tilla këto fletëdëshmi janë të pavlefshme për ngritjen e çfarëdo akuze. Po ashtu u zhdukën dhunshëm edhe gjurmët e masakrës brenda lokalitetit të burgut.

Çuditërisht, më 15 tetor 2010, edhe Prokuroria serbe për krime lufte në Beograd, pranoi se masakra mbi të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës është kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Bazuar në dokumentet zyrtare, Prokuroria serbe thotë se masakra është bërë me urdhër të ministrit të atëhershëm serb të drejtësisë, Dragolub Jankoviq, dhe zëvendëskryeministrit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Është shumë e çuditshme se si një fakt i tillë, për një masakër kaq të tmerrshme siç ishte masakra në Burgun e Dubravës, kaloi në heshtje, duke mos e zgjuar as interesimin e Prishtinës zyrtare as të institucioneve ndërkombëtare. Vetëm rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Me përgjegjësi e them se asnjë qeveri jona në Kosovën e pasluftës, nuk e ka bërë detyrën e vet sa u përket zhvillimeve gjatë luftës, nuk ka ndërmarrë asgjë për dokumentimin e krimeve të luftës. Asnjë prej tyre në këtë drejtim nuk ka bërë përpjekje t’i mbrojë interesat e vendit dhe të qytetarëve të vet, qofshin ata të gjallë apo të vdekur, gjë që e kanë obligim shtetëror e kushtetues.

Personat e pagjetur nga Kosova padrejtësisht u lanë të trajtohen si “çështje teknike” e Beogradi edhe më tutje vazhdon t’i përdorë për presione politike, edhe pse mbi pesë mijë të zhdukur janë gjetur në territorin e Serbisë. Serbia duhet ta dijë se nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve, qofshin ato fabrikime të përsëritura edhe nga Del Ponte apo Marty. Familjarëve të të vrarëve serbë, Serbia duhet t’ua thotë të vërtetën për rrethanat, kohën dhe numrin e pjesëtarëve të forcave serbe, të vrarë në frontet e luftës në Kosovë, pasi që deri më tani, asnjëherë para opinionit serb nuk e ka bërë publike të vërtetën për Kosovën, nuk i ka bërë publike humbjet reale që pësoi gjatë luftës në Kosovë. Asnjëherë nuk e ka dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Dhe nuk është larg mendsh se një numër jo i vogël kriminelësh serbë, që figurojnë në listat e të zhdukurve pas luftës, duke qenë të njoftuar saktë me dëshmitë e dhëna në UNMIK kundër tyre dhe duke e ditur se një ditë mund të ndiqen penalisht si të dyshuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, sapo janë vendosur diku në Serbi, e kanë ndërruar identitetin dhe janë shpallur të zhdukur në Kosovë.

Përderisa kriminelët serbë me çdo kusht tentojnë t’i shmangen ndëshkimit, në anën tjetër, zërat e mijëra të vrarëve e të masakruarve shqiptarë kërkojnë drejtësi. Nëse krimet mbi popullin shqiptar për dhjetë vjet “i ka harruar” bota, ne si shqiptarë nuk kemi guxuar t’i harrojmë. Sepse, nuk janë thjeshtë statistika të parëndësishme, janë njerëz të vrarë e të masakruar, të djegur e të bërë shkrumb, janë njerëz me varre e pa varre…, janë njerëz që u është marrë jeta padrejtësisht, janë njerëz që kërkojnë shpagim e jo hakmarrje, që historia e dhimbshme të mos na përsëritet. Janë njerëz që nuk harrohen!

Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë.

Ushtaraku norvegjez Josef Martinsen, autor i dy librave për luftën në Kosovë (“Puset e Vdekjes”  dhe “Çka ngjau në Kosovë, 1998-1999”), që menjëherë pas luftës në kuadër të misionit ndërkombëtar (UNMIK) ka asistuar në projektin e nxjerrjes së kufomave të shqiptarëve nga puset (bunaret), është njëri nga ata që dëshmon me fakte se Serbia kreu gjenocid në Kosovë, por UNMIK-u, arriti t’ia heqë këtë njollë Serbisë, duke i fshehur gjurmët e krimeve masive dhe individuale ndaj shqiptarëve. Shumë prova u fshehën dhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u. Ai deklaron se shqiptarët nga dikur viktima, propaganda serbe dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë askush nuk kërkoi llogari deri më sot.

Askush më shumë se shpifjet e Del Pontes dhe Dick Martyt s’e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve

Askush më shumë se shpifjet e Del Pontes (që janë kryekëput shpifje të Beogradit) nuk e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në këto tri vitet e fundit. Institucionet zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë bërë gabim të pafalshëm që për këto shpifje të rënda nuk e quan në gjyq Del Ponten. Por, kanë bërë gabim të pafalshëm edhe që nuk janë përpjekur fare për dokumentimin e krimeve të tmerrshme dhe të gjenocidit që kryen forcat serbe në Kosovë.

Njëkohësisht, gati tri vjet më vonë edhe anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zviceranit Dick Marty, i njohur tradicionalisht për përcaktimet e tij antishqiptare, i njohur si kundërshtar i haptë ndaj fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë e kundërshtar i haptë i pavarësisë së Kosovës, iu dha hapësirë që edhe njëherë, jo në bazë të fakteve e të dëshmive, por të shpifjeve e fabrikimeve të Beogradit, të shokojë opinionin ndërkombëtar me riciklimin që u bën shpifjeve të Beogradit e të Del Pontes, duke na e dëmtuar rëndë imazhin si popull.

Dik Marty para se të shkonte në Rusi për të trajtuar hapat e mëtejmë rreth raportit të tij tendencioz, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag” doli e tha se “nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën”.

Në praktikën më se dhjetëvjeçare institucionet ndërkombëtare, qoftë edhe nëpërmjet tipave të Martyt, në njërën anë kanë tentuar të la e shlyejnë kujtesën, të na bëjnë të harrojmë krimet e gjenocidin serb, por në anën tjetër kanë tentuar të na damkosin si popull pa të drejtë, dhunshëm kanë tentuar të barazojnë xhelatët e viktimat. Ta sqarojmë njëherë e përgjithmonë historinë e luftës çlirimtare (1998-1999). Nuk guxojmë ta lëmë edhe më tej të na përcjellë si damkë njolla që na e vunë pa të drejtë Del Ponte e Marty. Nuk guxojmë t’i lëmë në harresë krimet dhe gjenocidin serb.

Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e vendit duhet të rishqyrtojë qëndrimin e deritashëm kundrejt Serbisë, duhet t’ia bëjë të qartë se jo gjithmonë krimet që i bëjnë mbi popujt tjerë shpërblehen me territore të reja. Qeveria e Kosovës duhet t’u thotë jo bisedimeve me Beogradin, derisa Serbia të mos i pranojë krimet dhe gjenocidin që e bëri mbi shqiptarët, derisa Serbia të mos pranojë të përgjigjet për krimet dhe dëmet e luftës, derisa Serbia vazhdon të mos na njohë si shtet të pavarur.

Sa i përket njerëzisë dhe humanitetit nuk ka asnjë popull në botë që mund të krahasohet me ne shqiptarët. Historikisht nuk është shënuar asnjë rast kur shqiptarët të kenë bërë krime të organizuara ndaj popujve të tjerë, kushdo qofshin ata. Si popull vetëm jemi tkurrur, jo në fatkeqësinë e të tjerëve, por gjithmonë në fatkeqësinë tonë. Po të përmendim një fakt: gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët ishin i vetmi popull që i mbrojtën e ndihmuan hebrenjtë. Kosova dhe Shqipëria janë shembull unikat, ku jo vetëm që nuk u vra asnjë hebre, por numri i tyre u dyfishua. E sa i përket nxjerrjes apo trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, edhe miopët më të mëdhenj e dinë se për një gjë të tillë nuk kanë ekzistuar gjasat minimale, as teorike, as praktike.

Dhjetor 2010

(Autorja është autore e dy vëllimeve të librave “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve (shqip/anglisht), botuar më 2005 e 2008).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat