Pse kërcënon Rama dhe jo Basha? - Bota Sot
Pse kërcënon Rama dhe jo Basha?

Opinione

Pse kërcënon Rama dhe jo Basha?

Nga: Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më: 12 korrik 2020 Në ora: 11:51
Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Të shtunën e kaluar kryeministri Rama ka dhënë përmes Twiter një ultimatum për kreun e opozitës duke shkruar se "Ne s'donim e s'duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos provokoni se…" Ndërkaq në atë Tëiter ai ka akuzuar zotin Basha se po e kërkcënon kreun e mazhorances, kur thoshte se "Lerëni sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne"! Ultimatumi brenda të njëjtit Tëiter shprehet qartë në fjalinë "Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju, po na lini ta votojmë…!

Aty ku zoti Rama kërcënon ka shënuar në secilin rast tri pikat (…) me qëllim që pritësi i mesazhit (opozita dhe kreu i saj) të nënkuptojnë se do të përballen me zemrimin e "Zeusit" mbi tokën shqiptare dhe më pas do të pendohen për kritikat që opozitarët ia bëjnë qeverisë dhe qeverisjes së Edi Ramës. Por ato tri pikat dhe kërcënimi i zotit Rama lidhen me një deklaratë të mëparshme të zotit Basha, kur ky i fundit njoftoi publikun shqiptar se kryeministri i vendit i kishte dërguar atij emisarë, të cilët i kërkonin pazarin politik, sipas të cilit "Lulzim Basha kryeministër, Edi Rama president"!

Komunikimi politik në këtë rast është i drejtpërdrejtë, pa nënkuptime e metafora. Duket se denoncimi i propozim-marrëveshjes si formë kompromisi i Edi Ramës dhe denoncimi i kësaj tentative nga Lulzim Basha e ka nervozuar kreun e mazhorancës. Nervozizmi i tij shprehet me mënyrën e drejtpërdrejtë kërcënuese e njëkohësisht pozicionin e vështirë politik të atij që në gati tetë vite është mësuar të kërcënojë dhe të veprojë në mënyrë autoritative kundër demokracisë e veçmas kundër opozitës në këtë vend.

Afera e pazarit politik e ofruar për Bashën dhe publikimi i saj nga kreu i opozitës  e ka bërë Edi Ramën shumë nervoz. Nervoziteti i tij nuk lidhet shumë pse kjo aferë u bë publike, sa lidhet me mesazhin që zoti Basha i dha atij dhe publikut shqiptar, duke ia prerë shpresat zotit Rama se mund të negociojë ndryshimin dhe rrotacionin e pushtetit.

I bindur se humbja e tij në zgjedhjet e ardhshme elektorale është e pashmangshme, i degraduar plotësisht me qeverisjen e blerë e të masakruar të shtatë viteve, i zhytur në mëkatet personale anti-ligjore përballë qytetarëve shqiptarë, Edi Rama në shënimet e tij të fundit në Tëiter na dëshmon një njeri të dëshpruar, të zhgënjyer me veten e tij, të pashpresë dhe pa të ardhme. Ndaj ai vihet në kërkim të komppromiseve jo demokratike.

Rama është i dëshpruar dhe i pashpresë edhe për faktin se ai bashkë me Vuçiç dhe Thaçin u dogjën gjithashtu në lojën e raporteve gjeopolitike për rajonin. Përfundimisht ai ka kuptuar se duhet të negociojë jetën e tij, që të evitojë përballjen me drejtësinë. Ndaj kërkon postin e kreut të shtetit. Edhe Hashim Thaçi hoqi dorë nga pozicioni i kryeministrit të Kosovës për t'u bërë president i vendit, në momentin kur pa se po rrezikohej nga Gjykata Speciale. Fenomeni përsëritet, madje te politikanët e të njëjtit soj e model!

Duket se arma e fundit që Edi Ramës i ka ngelë tashmë ka të bëjë me kërcënime të llojit tri pikësh me qëllim që të bëjë presion ndaj opozitës dhe Lulzim Bashës për të pranuar një kompromis. Por çdo lloj kompromisi do të zgjaste periudhën e tranzicionit. Lulzim Basha u ka premtuar shqiptarëve se tranzicioni do të marrë fund në qeverisjen e tij. Nëse nuk ndëshkohet krimi qeveritar i Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, tranzicioni do të vazhdojë edhe 30 vite të tjera dhe Shqipëria nuk mund të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Vendi ynë pret që të fillojë dhe vazhdojë pa ndërprerje negociatat e pranimit në BE. Kjo nuk mund të ndodhë ndryshe, përveçse krijimit dhe respektimit të shtetit të së drejtës. Shteti i së drejtës nuk ka lidhje me shtetin që mbulon dhe justifikon krimet e paraardhësve. Nga ana tjetër ndëshkimi i korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin i qeverisë së Edi Ramës do të shërbejë si mësim për qeveritë që vijnë pas saj. Askush nuk do të guxojë të korruptohet dhe të shpërdorojë paratë publike siç ka bërë Rama dhe qeveria e tij. Nëse do ndodhte kjo, atëherë ndëshkimi do të ishte faktik dhe jo hipotetik!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat