Fraktura logjike dhe gabimi politik i Hashim Thaçit, i cili në Hagë po e identifikon veten e tij me UÇK-në si dhe me shtetin e Kosovës?

Opinione

Fraktura logjike dhe gabimi politik i Hashim Thaçit, i cili në Hagë po e identifikon veten e tij me UÇK-në si dhe me shtetin e Kosovës?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 14 korrik 2020 Në ora: 17:15
Hashim Thaçi

Ka shumë politikanë, sidomos nga radhët e shqiptarëve, të cilët injorancën dhe miopinë e tyre e konsiderojnë si vlerë kulmore personale , sepse në fakt, ata nuk kanë aftësi dhe as zgjuarsi mendore për ta bërë dallimin midis diturisë dhe injorancës! Këtë mungesë dhe frakturë në inteligjencën e tyre, zakonisht në opinion e kanë paraqitur si mençuri, aftësi, përvojë dhe njohuri politike, kryekëput përmes dredhive, hileve dhe manipulimit me faktet si dhe me ndjenjat e popullit, e që në shumicën e rasteve madje janë treguar edhe si politikanë të “suksesshëm”..!?

Mirëpo, siç e dimë nuk ka ndodhur në historinë e popujve gati asnjëherë, që një gjeneral ushtrie apo një komandant lufte i cili ka dalë fitues nga betejat, ta ketë identifikuar veten e tij me ushtrinë dhe fitoren e luftës, ngase një ndërlidhje e tillë fizike-organike, sado që ndonjë komandant lufte të ketë merita për fitore, nuk ekziston dhe nuk është as e paqëndrueshme, sepse qoftë lufta, qoftë politika nuk bëhen vetëm nga një individ dhe as nga një udhëheqës i vetëm, meqenëse lufta, paqja, liria, demokracia dhe shteti janë evenimente dhe vlera të cilat krijohen, ndërtohen dhe arrihen ekskluzivisht në mënyrë kolektive.

Andaj, në rastin kur ndonjë komandant lufte, gjeneral apo politikanë merr mbi vete lavdin dhe meritat për fitore, aty marrin fund të gjitha vlerat dhe sakrificat e përbashkëta, dhe, kjo dukuri e mbrapshtë, mjerisht, ka ndodhur në Kosovë menjëherë pas mbarimit të luftës çlirimtare, kur shumë komandant dhe eprorë të UÇK-së gjitha meritat dhe sukseset e saj i përvetësuan për vete, duke bërë diferencime dhe ndarje të popullit në klasa, gjegjësisht duke i akuzuar oponentët politikë si tradhtarë të kombit, kurse vetveten si shpëtimtarë të tij.

Dhe, kjo ndarje siç e dimë të gjithë ka pasur pasoja tragjike për një popull të vogël siç jemi ne shqiptarët e Kosovës..!?

Prandaj, nisur nga faktet dhe argumentet e cekura më lartë, por edhe nga të bëmat e shumta në këto 20 vite, përkatësisht nga gabimet dhe veprimet e dëmshme që injorantet politikë ia kanë shkaktuar shtet-ndërtimit të Kosovës, rezulton i qartë fakti, se mosdhënia dorëheqje e Hashim Thaçit para shkuarjes së tij për intervistë në Gjykatën speciale në Hagë, ishte pikërisht event i kësaj logjike të gabuar autokratike, sepse ta marrësh me vete postin dhe statusin zyrtar të presidentit të Kosovës pranë një Gjykate të drejtësisë ndërkombëtare, nënkupton hiç më pak, se identifikim të vetvetes me popullin dhe UÇK-në, e që së pari është shkelje e qartë e normave kushtetuese të vendit, dhe së dyti, është keqpërdorim flagrant i meritave kolektive të popullit dhe ushtrisë së tij, siç ishte UÇK-ja..!

Thaçi është dashur të shkojë dhe paraqitet në Gjykatën speciale si një ushtar dhe si njëri anëtarë i shtabit të UÇK-së, e jo si president i Republikës së Kosovës, gjë që me këtë vendim të tij të qëllimshëm, pa asnjë dyshim, e ka dëmtuar rënd imazhin e UÇK-së dhe atë të Republikës së Kosovës para arenës ndërkombëtare!

S.: Në deklaratën e raportuesit për Kosovën në Këshillin e Evropës, dhe koordinator i qeverisë gjermane për marrëdhëniet trans-atlantike, z. Peter Beyer, në një prononcim për DW-në lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokurori special ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndër të tjera me 26 qershor tha, se "Të gjithë duhet ta kuptojnë qartë, se nuk është UÇK-ja ajo që është vënë në bankën e të akuzuarve, por individë që ishin në pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme..”!

Pra, nga prononcimi i funksionarit të lartë gjerman, z. P. Beyer, po del se më të kujdesshëm ndaj vlerave të UÇK-së janë të huajt, se sa vetë politikanët shqiptarë në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, të cilët duke e identifikuar veten me UÇK-në, po e zhvlerësojnë rënd rolin dhe kontributin e saj të shenjët për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat