Ju, abuzues të pushtetit dhe fondeve të shtetit, ky është fundi juaj!

Opinione

Ju, abuzues të pushtetit dhe fondeve të shtetit, ky është fundi juaj!

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 15 korrik 2020 Në ora: 06:11
Ramazan Bekteshi

Sot, pas 20 vitesh akronimet e firmave tuaja PDK, LDK, AAK dhe satelitëve tuaj, neveritshëm verbojnë syrin e qytetarit që vezullojnë të ngjitura në pallate që i uzurpuat jashtëligjshëm, sepse ju abuzuat me pushtetin, sepse ju e plaçkitët Kosovën, sepse ju e vratë shpresën e qytetarit dhe zhvlerësuat shtetësinë në sytë e botës.

Ju, do të rrezoheni nga frika e revoltës, nga ndërgjegjja që s’e keni, nga përbuzja dhe neveria që ka populli për ju.

Ju, që shitët 45.000 certifikata të rrejshme luftëtarësh për para të majme, dhe s’patët turp se këto luftëtarë fiktiv do t’ia hane shpirtin shtetit, tani më të rrjepur.

Turpi qofte mbi ju, që krijuat institucione fiktive, arsim të degraduar, dhe shpërndatë diploma akademike të mbështjella me analfabetizëm dhe mashtrim, për të menaxhuar çdo institucion shtetëror nga familjarët, jo profesionistët, me spitale që vrasin në vend se të shërojnë.

Ju, që tentoni të shkaktoni fundosjen e një kombi të ri me tragjedi, dhe e mbytët me korrupsion, radhën e keni të ikni në grup, ashtu si që e bëtë edhe plaçkitjen.

Ju, që me aktet tuaja groteske pllakosët popullin, e varfëruat, e poshtëruat, shkaktuat frikë dhe pasiguri kolektive, dhe krijuat ndjenjën masive për të braktisur vendin.

Ju, që turpëruat paraardhësit dhe pasardhësit tanë, do të përmbyseni, dhe do të mbyteni, jo në gjakun që po e dëshironi, por do të ngulfateni në kurthet tuaja.

Ju, që mendoni se triumfuat në luftë dhe u pasuruat në paqe, dhe i sollët vetes dhe familjeve tuaja pasuri përrallore, përjetuat dalldisje, joshje, orgji, dhe lukset tuaja të shfrenuara, derisa luftëtari i lirisë vetëvritet nga dëshpërimi,( mbi 50) derisa familje të tëra luftëtarësh vuajnë nga skamja, uria, të pa strehë të mbetur nga lufta.

Ju, u pasuruat çmendurisht, me privatizime të tokave e ndërmarrjeve, duke vënë kontroll në korporata, në energji, aeroporte, tregti, terminale e sigurime, ndërtime, dhe paratë me thasë i transferuat në shtete të huaja, dhe tani pritni mbrojtje legale nga specialja, me paratë e shtetit që e vodhët pa ia ndal.

Ju, që harxhuat rezervat e shtetit dhe s’latë asnjë metelikë për dite të zeza si këto që po përjetojmë sot në pandemi, ju që fluturuat në klasë të parë, që fjetët në hotele me pese yje, që shpenzuat për një darke 35 mijë euro, për shopingun tuaj që e bëtë në emër të diplomacisë, dhe për çnjohjet që ia sollët vendit si dhuratë, a s’ju vjen turp?

Ju, sërish keni fytyrë te dilni para ekraneve, dhe te krekoseni edhe kur bëni grushtshtet ne kohe pandemie, edhe kur bëni gjueti votash pas mesnate jashtëligjshëm, edhe kur i kërcënoni gratë në mes të parlamentit e në sytë e të gjithë botes, dhe kur i përjashtoni gratë, edhe kur i pezulloni apo shkoni në takime e samite të papërgatitur, si diletantë pa ekip negociues.

Ju, që ende vazhdoni të flirtoni me armikun, me Serbskën në shërbim të Vuciqit e në dëm të Kosovës, hezitoni të kërkoni dëmshpërblim lufte, t’a paditni Serbinë për gjenocid, të kërkoni kursimet e qytetarëve tanë të mbetura në Beograd dhe fondin pensional peng në Serbi, derisa pensionistët tanë n ‘a rrallohen për çdo dite, nga varfëria e skajshme dhe pa kujdes shëndetësor.

Ju, sulltanët e Prishtinës, Tiranës e të Shkupit, që e përkrahët dhe ia ruajtët shpinën njeri-tjetrit, që shkaktuat skenarë dhe tradhti kombëtare, që e privuat qytetarin nga liritë elementare dhe kombëtare, që bashkëpunuat më fort me sllavin se me vëllain, koha është të ikni, ose me hatër ose me zor. Sepse, ju krijuat eksod masiv dhe mllefin kolektiv shqiptar të urrejtjes së vendit për herë të parë në historikun tonë mijëvjeçarë. Sot, do të ndjeja keqardhje për Thaçin, sikur mos të kishte bërë pazare të fshehta me Vuçiqin me tokat e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat