U tha gëzimi në buzë

Opinione

U tha gëzimi në buzë

Nga: Alpin Ollogu Më: 16 korrik 2020 Në ora: 15:37
Alpin Ollogu

U tha gëzimi në buzë. Zotërinj të nderuar të kampit politik maqedonas, tharja e buzëve nga spërkatjet e belbëzimeve të pretendimeve monopolizuese qeverisëse të forcave tuaja politike, u thanë me zgjedhjet e 15 korrikut. Shqiptarët dëshmuan mobizilim për ti tharë përfundimisht këto bëlbëzime. Treguan pjekuri politike me dalje të konsiderueshme në votime, marrë parasysh mosprezencën e mërgimtarëve. Një reaksion më shumë për t’ju thënë: “kadal beg se ka hendek”.

Mund të konsiderohet me plotë të drejtë fitore historike e bllokut politik shqiptar, jo për nga numri i deputetëve dhe cilësia e tyre, por për nga mesazhi politik dhe udhëheqësia e paraqitur. Për herë të parë mbas 2001-shit, kemi të formuar dy kampe politike shqiptare konkuruese dhe të shëndetshme për interesat shqiptare. Shtuar edhe deputetët e partisë Besa, të cilët në të ardhmen mund ti bashkangjiten bllokut shqiptar. Në këto kushte, secila parti politike maqedonase bashkëqeverisëse me shqiptarët, do ta ketë shumë të vështirë të intrigojë dhe shantazhojë partnerin qeverisës shqiptar, me partinë e cila do të ndodhet në opozitë. Kushdo qoftë opozita e nesërme shqiptare, mes dy kampeve që sot kanë marrë  nga 15 parlamentarë njëra dhe 12 parlamentarë tjetra (sipas kalkulimeve jo-përfundimtare), të dëshmuar në tre vitet e kaluara, me të gjitha gjasat, do të jetë opozitë e mirëfilltë e interesit kombëtar.  

Parlamentari i vetëm i zgjedhur nga Partia Demokratike Shqiptare, mbetet një relikë përkujtuese se si tkurret dhe shkon drejt zhdukjes përfundimtare një parti politike që sillej rrejshëm si “gangster” i mbrotjes së interesit kombëtar shqiptar. Relikë, shëmbëlltyrë se si nuk duhet të veprojë një parti shqiptare, në opozitë apo qeverisje. Kjo do t’ju shërbejë si mësim në të ardhmen partive tjera të skenës politike shqiptare. Jo rastësisht, partia e Ahmetit u rikthye më e fuqishme në këto zgjedhje, sepse në trevjeçarin e fundit qeverisës, reflektoi nga gabimet e qeverisë së mëparshme. Edhe opozita shqiptare u bë më e fuqishme pikërisht edhe nga ajo se mbrojti integritetin  për të mos u bërë pjesë e qeverisë, pasi i’u shkel marrëveshja paraprake bashkëqeverisëse me partinë maqedonase në pushtet, të Zaevit.

Ju tha gëzimi në buzë zotëri Zaev, paralajmëm ky i liderit politik Ali Ahmeti. Partitë politike maqedonase kurrënjëherë nuk mund të përcaktojnë dhe propagandojnë se cila parti politike shqiptare do të shkojë në opozitë, ngase atë të drejtë e kanë vetëm partitë politike shqiptare dhe vetëm sovrani shqiptar. Nuk mund të fitohet kjo e drejtë, as në emër të konceptit të rrejshëm shoqëri për të gjithë, e as në emër të koalicionimeve me parti të vogla shqiptare.

Nuk mund tju përcaktohen dhe kufizohen shqiptarëve se mundet të kenë vetëm këtë apo atë post shtetëror, sepse shqiptarët janë komb i barabartë dhe shtetformues në ekzistimin e çdo qeverisjeje të mundshme në këtë shtet.  Kështu e do fati rrethanor. Ne jemi komb i madh në këto hapësira ballkanike, por siç dihet botërisht, copëtuar padrejtësisht në shumë shtete ballkanike, të ndajmë qeverisjet dhe mundimet nga këto qeverisje me të tjerët, duke sakrifikuar edhe jetët në përballjet e armatosura. Ashtu edhe partitë maqedonase duhet ta kuptojnë përfundimisht se ky është fati, të gjithë deputetët e tyre janë të barabartë me deputët shqiptarë në forcën vendimarëse. Në rastin tonë, rrethanat asgjesojnë logjikën e numrave!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat