Çfarë fshihet pas kërkesës për bisedime vetëm për marrëveshje finale me Serbinë?!

Opinione

Çfarë fshihet pas kërkesës për bisedime vetëm për marrëveshje finale me Serbinë?!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 28 korrik 2020 Në ora: 09:05
Ilustrim

Aleksandër Vuçiç tha para dy ditësh se “nëse na kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, unë nuk do ta nënshkruaj diçka të tillë”. Ndërsa Gjuriq, i ngarkuari si koordinator i Vuçiç dukej të dielën e shkuar i shqetësuar pse Gjermania dhe SHBA-të po furnizojnë me armë Kosovën. Madje këshillonte që “Më mirë do ishte të dërgohen në Kosovë libra sesa armë”, shprehje kjo që ironizon në mënyrë rraciste shqiptarët. Ndërkaq kryeministri Hoti, si dhe koordinatori i tij vijojnë të kopjojnë mashtrimet e Hashim Thaçit e të thotë se “Marrëveshja me Serbinë do të sigurojë njohjen e pavarësisë e të shtetësisë nga ana e Beogradit”!

Të dy qëndrimët që përmendëm më lart janë në kundërshti njëra me tjetrën. Udhëheqësit serbë të Beogradit deklarohen hapur dhe gati çdo dy ditë se “Kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ndërkohë që punojnë aktivisht për ç’njohet e saj nga shtete bananesh në Afrikë e Azi, por që në fund të fundit kanë një vote në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Unë personalisht as nuk habitem, as nuk i frikësohem deklaratave të Viçiç, Daçiç, Vulin apo Gjuriq. Serbia ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe kur zyrtarisht u shpall fajtore për katër luftra të padrejta kundër popujve jo serbë në ish-Federatën Jugosllave, kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Serbia ka qenë, është dhe do të jetë gjatë gjithë historisë armik i shpallur dhe i padiskutueshëm i shqiptarëve dhe disa popujve të tjerë ballkanikë, sepse ajo jeton në ëndërrën e përhershme të “supremacisë rracore e institucionale mbi kombet e tjera të Ballkanit” dhe krijimit të Serbisë së Madhe. Ajo nuk do të heqë dorë nga beteja e saj shekullore për të kontrolluar e komanduar me çdo mjet jetën e kombeve të tjera në rajon e për t’u mbështetur në ndihmën dhe aleancën strategjike të Rusisë. Ndaj dhe iluzionet se ajo “mund të jetë mike e shqiptarëve”, mbeten thjesht iluzione, siç mbetën dhe klishetë e “vëllazërim-bashkimit” të brigadave partizane dhe qeverisë së Enver Hoxhës në vitet 1944-1948.

Por ka kohë që jam dhe do të mbetem dyshues dhe pesimist kur dëgjoj deklarata jorealiste nga drejtuesit e shtetit të Kosovës. Kryeministri Hoti është një personalitet që ka krijuar raporte të ndryshme nga paraardhësit e tij me pushtetin dhe opinionin publik, gjithnjë në aspekt pozitiv. Ai nuk duket futurist dhe euforik. Ai është shembulli i pare i një udhëheqësi që shfaqet njeri e jo fantazmë faraoni në krye të institucioneve të shtetit. Kjo e bën atë sfidant serioz ndaj autoritarizmit euforik të Aleksandër Vuçiç. Dhe pikërisht për këtë shkak ve re se presidenti i Serbisë duket i frustruar dhe jo komod përballë Abdullah Hotit. Sepse modeli Hoti është i pëlqyeshëm në perendimin demokratik, ndërkohë që modeli i Vuçiç, Thaçit dhe Ramës i nervozon ata, i irriton e nëse ruajnë qetësinë, kjo ndodh për shkak të nevojës për ruajtjen e ekulibrave në dialogun midis dy vendeve.

Megjithatë Abdullah Hoti vazhdon të këmbngulë njësoj si Thaçi se “Njohja nga ana e Serbisë e shtetësisë së Kosovës është afër”! Kjo deklaratë euforike shkon në drejtimin e kundërt me atë që përshkrova më lart për personalitetin e tij. Sa për Skënder Hysenin, ai është politikan i shkollës dhe modelit të Thaçit, mendjemadh e fodull deri në tavan, dhe askush nuk e ka zili! Prandaj prej tij pritet gjithçka,. Ai mund të thotë lloj-lloj budallallëqesh. Sepse jeton në ekstazën e ëndërrave të Hashim Thaçit. Sot presidenti i Republikës e priti në takim të posaçëm koordinatorin për bisedimet Kosovë-Serbi, Skënder Hysenin. Në takim zoti Thaçi i tha zotit Hyseni se “E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”.

Në këtë fjali nuk gjejmë vetëm entuziasmin e presidentit për koordinatorin e ri, por edhe sigurinë që ai shpreh për çuarjen në vend të projektit Vuçiç - Thaçi - Rama - Haxhiu! Ndërsa qasja gjithëpërfshirëse duket se është shashka tymuese pas të cilës fshihet aventura e realizimit të interesave serbe në Kosovë. Kjo aventurë shprehet në gatishmërinë e zotit Hyseni për të zbatuar pikë për pikë rekomandimin (urdhërin) e zotit Thaçi për të mos biseduar për asgjë tjetër përveç marrëveshjes finale.

Shkuarja direkt te marrëveshja finale, pa stacione të ndërmjetëme, është në fakt mënyra për të pranuar me duar në xhepa e sy të mbyllur projektin e Hashim Thaçit për ndarjen e territorit dhe cënimin e sigurisë e të paqes në Kosovë e në rajon. Me këtë kërkesë presidenti i Kosovës vetëm sa nuk i thotë publikisht Abdullah Hotit dhe Skënder Hysenit se "Ju e keni tashmë të gatshme marrëveshjen. Eshtë e njëjta që do të nënshkruhej në Uashington. Dhe ju nuk keni pse diskutoni për një marrëveshje të re, të ndryshme nga ajo. Thjesht firmoseni këtë marrëveshje", të cilën e kishin përgatitur Vuçiç dhe Thaçi sipas këshillave të Edi Ramës dhe Baton Haxhiut. Me këtë intrigë Thaçi i kundërvihet dhe hakmerret gjithashtu ndaj Brukselit.

E di se ka të tjerë që besojnë se presidenti i Kosovës ka ndërruar qëndrim. Por të gjitha shenjat sinjalizuese të çojnë në përfundimin se rekomandimet e Hashim Thaçit përputhen me marrëveshjen e vjetër e shkëmbimit të territoreve. Kjo është arsyeja pse Skënder Hyseni është koordinator. Kjo është arsyeja pse Thaçi, Hyseni dhe madje zoti Hoti flasin për marrëveshje finale me përfundim njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, pa folur dhe duke anashkaluar koston me të cilën Beogradi është i gatshëm ta pranojë këtë logjikë. Por këtë kosto na e bëjnë me dije Vuçiç, Gjuriq, Daçiç e të tjerë liderë serbë e kundërshtojnë hapur nënshkrimin e një marrëveshjeje që nuk parasheh shkëmbimin e territoreve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat