Protestë e suksesshme e tetovarëve kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Opinione

Protestë e suksesshme e tetovarëve kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Nga: Sulejman Mehazi Më: 7 gusht 2020 Në ora: 11:56
Sulejman Mehazi

Protesta e tetovarëve kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Komisioni Rregullator për Energjetike ishte e mrekullueshme, falenderime të përzemerta për organizatorët e sektorit civil për idenë dhe qëllimin e protestës!, ishin shumë konstruktiv, fjalë pak, të qartë në kërkesa dhe kaq. Filloi fiks në ora 19 e mbaroi në 19 e 20. Protestë kundër vjedhjes e plaçkitjes së hapur energjetike nga monopolistët e qeverisë, EVN-së, MEPSO dhe ELEM.

Qytetarët e Tetovës jo se donin të protestonin në kohë rrezikshmërie pandemike, po zori e hallet e tyre i detyruan të protestojnë masovikisht duke ruajtur distancën ndaj njëri tjetrit për shkak pandemisë. E mira e protestës së sotme s'ishte e lyer me ngjyra partiake, po me aromë e ngjyrash popullore. Vetëm protestat qytetare e vetëdijësojnë popullatën e kurrsesi protestat e interesave partiake. Sot në Tetovë protestoi popullata, kur qytetarët i dalin zot vetes çdoherë suksesi është aty, sot qytetarët e Tetovës ishin bërë zot të vetëvetes, kishin marrë obligimet shtetërore mbi shpatullat e veta e jo nga partitë politike, sot Tetova kishte opozitë popullin e vet ndaj së keqes buxhetore familjare të EVN-së, MEPSO dhe ELEM, sot Tetova s'kishte parti opozitare, po popull opozitar. Vetëm me popujt e vetedijesuar nuk mund të luajë askush, nuk mund t'i mposht as pushteti e as qeveria, as EVN-të, MEOSOT e ELEMAT. Sot tetovarët ishin vetedijësuar, ishin kryelartë e të pamposhtur ndaj plaçkitjeve që ua ben EVN-ja. Se sa e fuqishme është fryma popullore opozitare e pamë dhe e dëgjuam prej Bullgarisë fqinje, gjithë popullata bullgare u çua në këmbë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike deri në përmbysje të qeverisë bullgare. Kur partitë politike qeverisëse do frikohen prej popullatës atëherë do kemi shtete të fuqishme shqiptare, për ndryshe jo.

Shtojcë:

Lusim këshillin organizativ protestues të sektorit civil  që të jenë këmbëngules në kërkesat e popullore e mos të shiten kurrsesi, se shajtanat e pushtetit dhe të Komisionit Rregullator për Energjetikë mund të ju mashtrojnë.
Suksese e mbahuni fort, këto nuk janë kërkesa tuaja interesash, po janë kërkesa popullore, juve do ju mbrojë populli e jo partia. Zoti ju ndihmoftë e qofshi faqebardhë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat