A është i rrezikshëm ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe çka nënkupton ai?!

Opinione

A është i rrezikshëm ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe çka nënkupton ai?!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 7 gusht 2020 Në ora: 13:16
UÇK

Kuvendi i Kosovës, së shpejti mund t’a sjellë para deputetëve për shqyrtim dhe votim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kjo pasi qeveria e Kosovës, më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fillimisht në prill të vitit 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.

Më 30 prill 2020, Partia Demokratike e Kosovës, sërish i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të njëjtin projektligj, pa ndonjë ndryshim në përmbajtje.

Çka nënkupton ky ligj?

Nëse ky ligj miratohet në Kuvendit e Kosovës, as mediat e as politikanët, madje as qytetarët e Kosovës nuk do të kenë të drejtë të shprehin mendimin e lirë për individë të caktuar të UÇK-së, për luftën e tyre.

Një deklaratë si e ish këshilltarit të Albin Kurtit, Shkelzen Gashit, do të ishte shkelje e ligjit, me ç’rast do të mund të pasonte ndonjë dënim sipas rregullave të parapara nëse ligji aprovohet dhe miratohet.

Pra, edhe nëse dikush flet për individë të UÇK-së, apo edhe për UÇK-në përgjithësi, sigurisht në aspektin negativ, do të ishte shkelje e ligjit.

Këtë ligj e kanë refuzuar dhe kanë bërë thirrje për mosvotim ambasadat e huaja në Kosovë, duke filluar nga ajo e SHBA-ve, pastaj e Gjermanisë dhe e Zvicrës.

Por çka nëse ndonjë individë i UÇK-së dënohet për krime lufte nga Gjykata Speciale?

Nëse ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së miratohet, atëherë do të ishte paksa e komplikuar fakti nëse (hipotetikisht) dikush nga pjesëmarrësit e UÇK-së do të dënohej për krime lufte, qoftë komandantë apo edhe ushtar i thjeshtë. Madje, edhe një i tillë i logjistikës.

Një dënim i tillë do të zhvlerësonte jozyrtarisht ligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. Kjo do të ndodhte nëse ligji miratohet sipas kërkesës së kahershme, pa ndryshime amendamentuese.

Ky ligj do të funksiononte nëse ndryshimet do të bëheshin që UÇK-në në përgjithësi, të mos e kritikojë apo fyej askush, por jo edhe individët.

Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, pa ndryshime, do të ishte funksional nëse Gjykata Speciale e përfundon mandatin e saj, pa asnjë të dënuar të vetëm.

Gjithsesi, ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së do të ishte i domosdoshëm nëse ajo ndodh (dënimi i individëve nga Specialja), ndonëse ky ligj vetëm për UÇK-në në përgjithësi do të duhej të miratohej menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerës e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat