Administrata publike në funksion të Administratës shtetërore

Opinione

Administrata publike në funksion të Administratës shtetërore

Nga: Shpend Salihu Më: 9 gusht 2020 Në ora: 18:22
Shpend Salihu

Administrata publike është tërësia e akteve, veprimeve dhe normave që rregullojnë fushën e caktuar administrative, dhe janë në funksion të qytetarëve dhe administratës shtetërore. Gjersa administrata shtetërore është tërësia e organeve dhe orientirave e veprimeve të institucioneve shtetërore, që rregullojnë marrëdhëniet e caktuara institucionale dhe normat e veprimit institucional dhe ndër-institucional. Derisa në Perëndim administrata publike ngërthen edhe administratën shtetërore, në Kosovë dhe në pjesën e madhe të Ballkanit dhe Evropës lindore, dallimi është i theksuar.

Aktet dhe veprimet e organeve administrative, definojnë sferën dhe mandatin e organeve administrative, duke i definuar veprimet e institucioneve dhe kompetencat prekluzive të organeve administrative në zgjidhjen e problemeve administrative. Aktet administrative rregullojn raportet e brendshme administrative, duke i ndërmarrë veprimet në emër dhe llogari të institucioneve dhe duke mbrojtur e afirmuar institucionet dhe duke qenë në shërbim të qytetarëve. Kemi akte të brendshme dhe të jashtme administrative, të brendshme rregullojnë raportet mes të punësuarve dhe insitucioneve, si dhe normat e brendshme që definojnë strukturën e organeve dhe nën njësiteve administrative, dhe aktet e jashtëme që definojnë interesat e qytetarëve karshi nevojave ndaj një institucioni të caktuar. Si akte të jashtme në administratë, kemi lejet për ndërtim, çertifikatat e ndryshme, kërkesat e ndryshme ndaj organeve administrative, planet urbanistike e hapësinore, projektet gjeodezike etj. Në fushëveprimtarin e vet administrata shtetërore përmes normimit ligjor me mandatin kushtetues që e ka, e definon politikën e administratës publike, duke ia mundësuar qasjen teknike-operative për lehtësimin e funksioneve të fushë veprimtarisë së administratës shtetërore. Administrata shtetërore fillon prej legjislativit që definon dhe ratifikon politikat shtetërore, deri tek ekzekutivi që propozon politika dhe direktiva shtetërore dhe pas ratifikimit parlamentar, kujdeset për implementimin rigoroz të politikave të caktuara shtetërore, përmes dikasterëve qeveritar, dhe nën njësiteve të administratës shtetërore, ku futen komunat dhe organet drejtuese të kuvendeve komunale, së bashku me nën njësitë administrative komunale. Delegimin e pushtetit administrata shtetërore, konkretisht qeveria e bartë në pushtetin lokal me qëllim të shpejtim dhe lehtësimit funksional të pushtetit shtetëror, e kjo njifet si decentralizim i pushtetit të administratës shtetërore, ku shumë funksione me mandat dhe akte normative që janë në pajtueshmëri me ligjin për administratë shtetërore, kryejnë mbarëvajtjen e proceseve dhe veprimeve institucionale. Komunat si njësi territoriale organizative që kanë territorin, popullsin e përkufizuar me ligj për vetëqeverisje lokale dhe infrastrukturën, kanë kompetenca të zgjeruara në mandatin e tyre, duke patur të drejtë kryetari i kuvendit komunal të udhëheq komandantin e policisë si dhe shtabin e mbrojtjes emergjente e besa edhe formimin e gardës në kuadër të komunës për nevoja të emergjencës komunale, kjo nënkupton liberalizimin e administratës shtetërore me dhënjen e kompentencave të zgjeruara administratës komunale. Shumë veprime për qëllime të administratës shtetërore dhe në kuadër të saj edhe asaj lokale i kryen nëpunësit civil në korniza të mandatit që e kanë me ligj për shërbyes civil, shumë shpejt pritet ligji për nëpunës publik, dhe ligji i amendamentuar për administratë shtetërore, dhe nëpunës shtetëror, me të cilën definitivisht do të rregullohej dhe definohej edhe më qartë kompetencat dhe mandatet e administratës shtetërore dhe nëpunësve shtetëror, si dhe administratës publike dhe nëpunësve publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat