Midis frikës dhe shpresës

Opinione

Midis frikës dhe shpresës

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 12 gusht 2020 Në ora: 14:32
Nexhmedin Saqipi

Frika është një ndjenjë shqetësuese, që e shoqëron njeriun që nga lindja e tij. Ajo manifestohet në forma të ndryshme dhe varet nga njerëzit se si reagojnë ndaj saj.

Nëpër periudha të ndryshme kohore na ka ra hise, jo rrallë të ndjejmë frikën deri në palcë, por të mos dorëzohemi para saj, me një fjalë e kemi sfiduar atë, ashtu siç u kemi qëndruar karshi atyre, të cilët shkaktojnë, frikë, dhunë dhe vdekje.

Optimizmi për jetë e mund frikën dhe më lehtë e përballon vdekjen. Mirëpo, ka dallim midis frikës individuale dhe asaj kolektive. Kjo e dyta është më e rrezikshme dhe lehtë mund të shndërrohet në panik, meqenëse nuk menaxhohet mirë nga ata që qëndrojnë në krye të institucioneve, të zgjedhura nga vota e popullit.

Paniku

Na kujtohet viti 1999, kur nga frika e kthyer në panik, disa nga liderët, mësuesit dhe hoxhallarët e braktisën popullin, duke e lënë pa udhëheqje, pa udhëzime, pa  përkrahje etj. Boshatisja e vendbanimeve dhe shtëpive shkaktoi më shumë humbje në njerëz dhe të mira materiale, duke rrezikuar më shumë veten dhe atdheun, në vend se të organizohen për qëndresë, ata  rrezikun  më shumë me një dënim që ia bënë vetes me ikje. Nga ndikimi i frikës nga vdekja, ata u vranë duke ikur, u masakruan, torturuan, grabitën, çnjerëzuan, ofenduan dhe u koritën. Mbi një milion njerëz e braktisën Kosovën, 20 mijë femra u dhunuan, me qindra mijëra shtëpi u plaçkitën dhe u shkatërruan, duke ikur atë trishtim nga sytë  me lot të grave e fëmijëve, nga ndjekja e frikës dhe vdekjes, nuk harrohen kurrë.

E njëjta ndjesi për frikën dhe vdekjen, po ndodh me pandeminë botërore të quajtur virusi Korona dhe Covid -19, në betejën kundër saj po dështojmë si institucione dhe liderë institucionalë. Nuk luftohet kjo e keqe e padukshme me frikë, strese, panik e defetizëm, por me organizim të mirë, optimizëm, vullnet dhe bashkëpunim të sinqertë.

Masat

Ku janë liderët, të cilët para se me ardhur në pushtet trumbetonin se do ta luftojnë virusin me të gjitha forcat që kanë? Nga këto trumbetime me erë premtimi lëre që nuk e luftuan si duhet virusin, po më shumë i ngarkuan qytetarët me rregull e masa, të cilat po shoqërohen me kërcënime dhe dënime.

Ku janë ata liderë humanitarë, të cilët rrahin gjoks, që me milionat e tyre do të ndërtojnë çdo shtëpi të shembur nga tërmetet, ku janë ata burrështetas të cilët me votën e qytetarëve vijnë në pozitë dhe në vend se të kujdesën për ta, për shëndetin e tyre.

Mjerisht, ndjenja e frikës dhe vdekjes po na përsëritet në periudha të ndryshme kohore, duke sjell në pozita liderë institucionalë, të cilët nuk po ndihen e nuk po duken askund. Ata heshtin si struci me kokën në zall, sepse kanë frikë nga milionat e tyre se do t'i humbin nëse kapen nga virusi, e sa për popull askush nuk merakoset e as bezdisen duke dhënë këshilla për kujdes ndaj shëndetit.

Po, frika  është një sëmundje e pashërueshme, ku thonë se nuk ka hajmali për të. Mirpo, sot nga cila frikë më shumë tmerrohen zemrat: nga vdekja, humbja e pasurisë,  humbja e pushtetit, frika nga sëmundja, frika nga mjekët, frika nga mosdija, apo frika  nga Virusi Covid -19?

Principet

Njeriu i sodit është i rrethuar me rreziqe nga çdo anë, të cilat prodhojnë frikë, pasiguri dhe vdekje. Duke u rrethuar nga këto dukuri të dëmshme, një kategori e shoqërisë sonë, ndjehet e frikësuar dhe e dobët me i luftuar ato, për t'u dorëzuar me izolim, me mbyllje të gojës, me heshtje e masa të ndryshme dënuese.

Nga kjo del se forca e Covidit, na qenka më vdekjeprurëse e më e rrezikshme  se bomba atomike, armët biologjike  e kimike, luftërat botërore etj. Po a nuk ndjejmë frikë kur udhëtojmë me aeroplan, trena, anije, vetura etj, a nuk i harrojmë shkaktarët e vdekjes që mund të vijnë me pirjen e alkoolit, duhanit, droga nga sëmundjet artificiale etj.

Edhe  tani është krijuar dilema më e madhe a me besuar që ka Covid, apo jo? Nëse ka a vdes njeriu nga ky virus pa pasur sëmundje shoqëruese dhe a duhet qytetari të mbrohet vetëm me kujdes e masa mbrojtëse, apo duhet të ndihmohet me programe pune, mjete financiare dhe optimizëm për jetë.

E gjithë kjo rrëmujë po bëhet në mungesë ballafaqimit e menaxhimi me situatën. Kjo, kuptohet, vjen edhe nga mungesa e qasjes serioze ndaj këtyre dukurive, ngase, frika nga vdekja nuk të ndihmon, as nuk të mbron e as nuk të shpëton. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me principe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat