Politika shqiptare dhe rotacioni politik i krimit e korrupsionit

Opinione

Politika shqiptare dhe rotacioni politik i krimit e korrupsionit

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 13 gusht 2020 Në ora: 07:52
Skënder S. Kapiti

Gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit politik në Shqipëri, ndërrimi i pushteteve politike është bërë si një rotacion krimi dhe korrupsioni. Kjo është e vërtetë pasi pavarësisht se cili krah politik e ka pasur pushtetin në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve, pavarësisht se janë bërë zgjedhje dhe janë ndërruar pushtetet, ajo e cila nuk ka ndryshuar por vetëm sa është zëvendësuar dhe zhvilluar  e perfeksionuar më shumë janë krimi dhe korrupsioni i lartë institicional e shtetëror.

Pavarësisht ngjyrimeve politike dhe të shumëngjyrave partiake ajo që ka mbetur si ngjyrim i njejtë dhe i pandryshueshëm eshte ngjyra e zezë e korrupsionit , krimit dhe e hajdutërisë politike dhe demokratike.

E gjithë politika shqiptare  synon pushtetin me premtimet për luftë kundër krimit, hajdutërisë e kundër korrupsionit, por kur politika sapo merr pushtetin nuk bën gjë tjetër por vetëm krim, hajni, korrupsion të ri dhe shumë më të madh se ai i pushtetit paraardhës.

Korrupsioni i lartë shtetëror  në Shqipëri por edhe në Kosovë është një pajtim,  është një mirëmarrëveshje dhe konsensus politik i institucionalizuar, i padeklaruar si i tillë, por i aplikueshëm dhe i pandëshkueshëm

Krimi, hajnija dhe korrupsioni politik e shtetëor në Shqipëri e Kosovë kanë imunitet të sigurtë pandëshkueshmërie dhe mosllogaridhënie. Elita politike shqiptare është një klikë oligarkiko-kriminale e ndërlidhur dhe e ndërvarur ndërvete gjë të cilën e verteton fakti se askush dhe asnjë politikan e pushtetar i lartë shqiptar nuk është ndërshkuar deri më sot për rekorde krimi, vjedhjeje dhe korrupsioni dhe as për tradhti kombëtare.

Politika dhe politikanët shqiptarë janë të ndërlidhur me fije të dukshme e të padukshme mafio-kriminale, dhe janë aq të fuqishëm e të  pasfidueshëm sa që as ndërhyrjet e presionet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, deri më sot nuk kanë bërë efekt dhe as nuk kanë mundesuar cmontimin e krimit, korrupsionit dhe të hajdutërisë nga sistemi.Pra e thënë akoma më thjesht: në Shqipëri por edhe në Kosovë kemi pasur ciklim dhe riciklim në pushtet të hajnave, të krimit dhe të korrupsionit të pandëshkueshëm , gjë e cila e ka prishur dhe asfiksuar demokracinë, e ka nxjerrë jashtë funksionimit shtetin ligjor dhe që e ka paralizuar edhe shoqërinë shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat