Në Flotën tonë gomari i Buridanit të Francës

Opinione

Në Flotën tonë gomari i Buridanit të Francës

Nga: Jak Simoni Më: 13 gusht 2020 Në ora: 15:24
Ilustrim

Filozofit të shquar mesjetar francez të sh. XIV Giovanni Buridano i atribuohet thënia: një gomarë në mes të dy barrëve me kashtë të njëllojta ngordh  urie, sepse nuk di të zgjidhë se cila është me e madhe. Ndonëse nuk është gjetur në veprën e tij, i atribuohet për faktin se ky filozof ka trajtuar gjerësisht lidhjen ndërmjet gjykimit dhe veprimit.  Sipas tij, vullneti për t’u venë në akt ka nevojë për gjykim, përndryshe mungon akti.

Sipas asaj që lexojmë në disa nga mediat tona, në tensionin e fundit në Detin  Mesdhe ndërmjet Greqisë dhe Turqisë Forca Detare Shqiptare ishte në të njëjtin pozicion me atë të Gomarit të Buridanit. Me sa duket, pikërisht Franca, ku lindi ky filozof i shquar dhe  shumë të tjerë, i ka kërkuar ndihmë flotës sonë duke  menduar se Shqipëria është një vend partner i saj  pro demokratik dhe pro perëndimor që beson në paktet dhe rregullat ndërkombëtare dhe del në mbrojtje të tyre. Franca  i ka besuar retorikës pro demokratike, dhe pro perëndimore tridhjetëvjeçare të politikes se jashtme shqiptare dhe i ka kërkuar të  veprojë. 

Por, për të vepruar duhet gjykim (ndonëse i vështirë në këtë rast) dhe kur mungon gjykimi, mungon dhe veprimi.  Në rast se është e vërtetë, Shqipëria ka humbur një rast të papërsëritshëm duke i thënë jo një partneri të aleancës; një shteti vërtetë  demokratik lider i përhershëm në skenën politike botërore. Kur je anëtar i një aleance aq të rëndësishme si  NATO, nuk mund të jesh pa qëndrime të prera, sidomos kur nuk ke pasur shumë raste për të krijuar besimin e duhur. Gjithashtu n.q.s. duam të integrohemi në BE, më shumë  na duhet Franca dhe Greqia sesa Turqia. Vërtetë Turqia na është gjendur pranë në raste shumë delikate, por nuk mund të themi të kundërtën as për Francën dhe Greqinë. 

Franca dhe Greqia, ndonëse nuk duhet të jenë  hakmarrëse, nuk janë pa memorie, sidomos n.q.s. do të  kërkojmë një integrim (paksa të  pa merituar) në BE. Dhe në rast se nuk është kërkuar fare ndihmë, kur bëhet fjalë për zbatimin e pakteve ndërkombëtare dhe ka një përplasje ndërmjet demokracisë perëndimore dhe pseudodemokracisë lindore qëndrimi nuk ka pse të jetë ai i Gomarit të famshëm të Buridanit. Në Turqi është një farë demokracie e tillë,  ku ato që kanë pushtetin kanë frikë ta lenë; d.m.th nuk është demokraci.  Në fund të fundit, siç u pa me tërheqjen e Turqisë, do të kishim qenë ‘heronjtë’ e një lufte të pazhvilluar, siç ka pasur historia (më e famshmja ndër ta lufta e patateve e sh. XVIII në Bavari qe mbaroi pa luftuar, kur njërës ushtri iu mbaruan patatet dhe u tërhoq).   

Por nuk kemi pse të qajmë aq shumë për politikën e jashtme, sepse  kemi shumë probleme me  politikën e brendshme. Në fakt, në qoftë se bën një politikë të brendshme të mirë, ke bërë gjysmën e politikës së jashtme, të paktën nuk kërkon ndihmë për gjithçka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat