Rinia shqiptare, e ardhmja pa të ardhme!

Opinione

Rinia shqiptare, e ardhmja pa të ardhme!

Nga: Gjon Neçaj Më: 14 gusht 2020 Në ora: 11:12

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tjera perëndimore por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion.

Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e një çerek shekulli më parë, si dhe u ndërrua fytyra e formës qeverisëse, por pak ndryshoi modeli, duke mbetur në modelin e “vjetër” në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit. E për këtë fajtore është klasa politike shqiptare.

Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend, për të dalë nga tranzicioni vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore.

Ne jemi ndër vendet e pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po tenton të largohet nga atdheu.Të rinjët që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre familjet shqiptare, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria as nga organizmat shtetërore.

Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur.

Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lëmë fatin e atdheut në dorën e një klase politike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.

Duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Europë, duke qenë të rinjtë intelektualë ata që do ta çojnë Shqipërinë, atdheun e tyre në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim

nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor.

E për mendimin tonë,për politikën shqiptare në përgjithësi, sindromi i mosrespektimit të të rinjve për t’u ingranuar domosdoshmërisht për t’i dhënë kaheje pozitive ndryshimeve sociale, ekomomike dhe shoqërore shqiptarëve të munduar dhe ç`filitur nga tranzicioni i stërzgjatur dhe nga postulatet shterpë të bashkimit me familjen europiane, është bajraktarizmi në politikë, kryesisht, vazhdoi edhe në postdiktaturë, e vazhdon ende aktualisht .Shembulli më tipik është opozita,si e sotmja edhe e djeshmja, me projektoren e shablloneve shterpe të stigmatizimit të çdo veprimi politik, shtetëror e shoqëror të mazhorancës, duke u rreshtuar në vargun e diskutimeve shterpe në parlament ndaj çdo gjëje të qeverisë, a thua atë e udhëhiqnin njerëz që s’dinë ç’është shteti e pushteti, që shëmbëlltyra e drejtimit është vjedhja e korrupsioni, që nëpër ministria drejtojnë të paaftit, etj.

Mendojmë se koha e ndryshimeve të lidershipit politik , duhet të jetë në kohezion me përshtatshmërinë e ndryshimeve social-politike. Sovrani kërkon që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të viteve të ardhshme t’i kenë vëth në vesh të metat dhe gabimet e së kaluarës. Ato po u përsëriten, ndëshkimi do jetë i patjetërsueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat