A do të hanë të gjithë kumbulla, apo dikujt do t’i mpihen dhëmbët?

Opinione

A do të hanë të gjithë kumbulla, apo dikujt do t’i mpihen dhëmbët?

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 15 gusht 2020 Në ora: 16:29
Hamdi Nuhiju

Rezultati zgjedhor i zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020 ishte befasues për spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët thuhet se për herën e parë në historinë e pluralizmit politik dhe të demokracisë kanë arritur që të sigurojnë 32 mandate në Parlament. Por, edhe pse numri i deputetëve shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë Veriore është i kënaqshëm për të gjitha anët, përsëri rezultati zgjedhor është i tillë që krijon shumë amulli rreth formimit të qeverisë dhe stabilitetit të saj në të ardhmen.

Disa zëra hodhën në opinion tezën se nuk është patjetër në Maqedoninë e Veriut të kemi qeveri stabile, bën që qeveria të jetë jo stabile. Teza e këtillë kërkon një sqarim të detajuar edhe për çmimin që do të duhej të paguhej nga ana e subjekteve politike po edhe e votuesve.

15 korriku i dha mundësinë të gjitha subjekteve politike shqiptare e maqedonase që do të shpresojnë dhe të janë pjesë e cdo lloj kombinimi. Të gjithë janë në lojë dhe jashtë loje: do të ishte përgjigja ime për ata që pyesin se kush do të formoje qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.

Këto zgjedhje kishin edhe specifikën e saj se u realizuan në kohën e pandemisë globale Kovid 19, por edhe të vulës së shpejtuar të menjëhershme të faktorëve ndërkombëtar për shpalljen e tyre legjitime.

Opozita shqiptare ka ngritur dyshimet e saja për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve duke alarmuar edhe institucionet ndërkombëtare që merren me vëzhgimin e tyre. E vetmja mangësi e këtyre dyshimeve të ngritura është mungesa e qëndrueshmërisë dhe forcës për t`i materializuar ato dyshime.

Në situata të këtilla, Bashkimi Demokratik për Integrim e ndjen veten komod duke vazhduar me agjendën e saj të nisur nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe kongresit të saj tematik. Prokurorisë Speciale Publike i humbi kredibiliteti dhe pesha e saj publike, VMRO-DPMNE-ja me gardianët e saj të vjetër është cliruar dhe tashmë po ka mundësi që të merr frymë lirshëm.

Shqetësues për opinionin është fakti i krijimit të peshës parlamentare të një subjekti politik si partia “E Majta” e cila si duket ka edhe pikëpamje ekstremiste fashiste.

Tashmë mandatin për formimin e qeverisë së re e ka marr lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ekzistojnë disa opsione të cilat po përfliten në publik dhe në privat se si do të vepronte Zoran Zaev në këtë moment. Edhe pse është mirë për demokracinë që të kemi edhe opozitë edhe pozitë shqiptare, si duket Evropës nuk do t`i pengonte varianti që të gjitha subjektet politike shqiptare të ishin pjesë e pushtetit së bashku me LSDM-në dhe në këtë mënyrë të krijohej një shumicë parlamentare prej 74 votave.

Opozita shqiptare ka vënë në lojë kërkesën e BDI-së për kryeministrin shqiptar, Naser Zyberi. Ajo ia ka ofruar numrat e saj, BDI-së, nëse kjo e njëjta arrin që ta materializoje këtë kërkesë.

Koha në vijim do të dëshmoje nëse të gjitha subjektet politike shqiptare do të janë pjesë e pushtetit, apo disa nuk do të kanë mundësi të hajnë kumbulla. Por mpirjen e dhëmbëve nuk guxon që t`ia ndaloj askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat