Duke pritur Albinin...!

Opinione

Duke pritur Albinin...!

Nga: Kimete Berisha Më: 31 gusht 2020 Në ora: 17:36
Kimete Berisha

Duke pritur Albinin...!

1. Presidenti e quan 'turp' të bashkësisë ndërkombëtare fatin e të zhdukurve. Pra, "turp për amerikanët dhe gjermanët".

Fati i tij që ndërkombëtarët më nuk e marrin seriozisht.

Sepse, turp është t'i falësh vrasësit e fëmijëve, siç bën presidenti, që për çdo vit i falë vrasësit më të tërbuar, anipse e ka të ndaluar me Ligj.

Ai që i falë vrasësit e fëmijëve, nuk lë gjë pa bë!

Vrasësit që i ka zbuluar bashkësia ndërkombëtare, i ka falur Hashim Thaçi.

2. Ndërkohë që Presidenti i falë vrasësit e fëmijëve, vajzat shqiptare me shamija nuk lejohen të regjistrohen në gjimnaz.

Pra, në Kosovë është e lejuar që Presidenti t'ua falë burgun vrasësve të fëmijëve, por nuk është e lejuar që vajza të vë shami.

Se shqiptarët e "personifikojnë" perëndimin me seks, me zhveshje, me shfrenim, me liri aq të madhe sa njeriu bëhet rob i lirisë së tij, e mishërojnë perëndimin me çdo gjë joserioze, e jo me shkencë, me ligj, me rregull e me kulturë!

Fenë e urrejnë shkaku se ua "frenon" epshet dhe ua ndalon haramin, e jo për diçka tjetër.

3. Shqiptarit i pengon shamia, por jo pushimet luksoze, villat e tyre më të bardha se Taj Mahalli dhe salltaneti i grave të komandantëve që veç një palë sandale të tyre kushtojnë 6,000 Euro.

Ato nuk blejnë xhingla-mingla si ne (që presim zbritje edhe në sekond hand), ato shkojnë në Milano veç për një kafe...

E prap se prap ju çuditeni me çikat që bartin shamija e nuk çuditeni me gratë e komandantëve që e kanë praruar varfërinë e tyre në dukat...dhe burrat e tyre që qe 20-të vjet kanë vendosur që ju të jeni të pa punë, të varfër, të mjerë dhe pa të ardhme...

Mirë që Ramushi nuk është i gjatë sa hazreti Ademi (që ka qenë i gjatë 3 metra) se na kish fikë, sa basma ish shku.

Hazreti Ademi ka pas shumë flokë dhe kurrë s'ka dalë cullak anipse ka qenë vet i dyti në këtë botë.

E Hava s'di sa ka qenë e gjatë, por sigurisht ka qenë më e shkurtër se Ademi, sepse kurrë nuk ndodh me pa një burrë të shkurtër me një grua të gjatë.

Grave historikisht u është imponuar zvogëlimi.

Kemi kaluar shumë kohë m'u përshtatë, sepse ndryshe nuk je pranuar nga burrat, përveç e zvogëluar, më e vogël.

E, më mirë "më e vogël" se e vetmuar.

Njoh shumë gra që kanë shku' n'atë dynja me zhig të shtikllave sherri mos m'u dukë më të gjata se burrat e tyre.

4. Kjo botë po duket se është në të sosun.

Sepse koha po kalon shpejt.

Kjo ndjesi besohet se është shenjë e sigurt e fundit të botës.

E kur koha kalon shpejt, nuk ka bereqet.

5. Si duket edhe KEDS-i e ka kuptuar se ka ardhur fundi i botës, prandaj rrugët e Prishtinës i ka shkatërruar plotësisht.

Për të ndërruar transformatorët, ata po i çelin rrugët, po i prishin, në fund po i mbulojnë me pak zall dhe po ikin.

Shkret.

Rrugët po duken sikur me panik po lypin diçka, sikur po bëjnë gërmime arkeologjike.

Në kohën kur Erdogan ka zbuluar gaz natyror në Detin e Zi, kanë dalë njerëzit e tij t'KEDS-it e po lypin dukat nën asfallt t'Kosovës

(se është një farë legjende që thotë se Kosova shkel në dukat).

Gropa kah t'rrotullohesh, si varre të hapura për një politikë që ia ka çel varrin vetes.

6. Kështu si KEDS edhe Vala. Na sosi.

Veç kur e ka pas marrë Kushneri n'dorë, që paguanim më shtrenjtë se Monako, ani sot.

Veç me këqyr që s'ke pare në telefon, të kushton 5 centë. Përcjellne situatën. Hajni e madhe.

Ta shesin numrin thatë, dhe të vjedhin për çdo mesazh të valës.

7. Asgjë nuk punon si duhet. As këmbana e Katedralës 'Nënë Terezë' nuk kumbon më bukur si më parë.

E ka kuptuar edhe "Quasimodo" që i bie këmbanës se s'ka këtu të ardhme, prandaj veç dëgjojeni si i bjen këmbanes, si kur tranohet njeri.

Unë megjithatë mendoj se e ka nga padija, prandaj duhet me dërgu një vit në trajnim në Vatikan, m'u mësu m'i ra këmbanës.

8. Që është fundi i botës po tregon edhe Bill Gates.

Nga Baba Vanga e ndan veç një qime floku: Bill Gates, ka aftësi me parashiku vdekjen e qindra milionave njerëzve nga Covid-19, por vdekjen e vetë nuk është në gjendje me parashiku.

Shumë interesant. Bill Gates nuk thotë 'unë do të vdes nga Covid-19, por thotë miliona njerëz do të vdesin nga Covid-19'.

Vdekja vlen veç për të tjerët, jo për të.

9. Në kohë pandemie, përveç oksigjen, po lypset nga Serbia edhe ilaç për statusin e Kosovës.

Në Washington ka shkuar delegacioni që nuk kisha guxu me çu as m'i ru lopët.

Është e tmerrshme se si padija ia ka marrë anën Kosovës në të gjitha aspektet (edhe kjo është një shenjë e fundit të botës, kur padituria bëhet modë), dhe se si atyre vetë nuk ju vjen marre prej vetes.

Kosova ka ra kaq poshtë. Më poshtë nuk ka ku shkon.

10. Pastaj, thonë 'gëzohu' ti se shqiptarët e 'morën' Maqedoninë. Cilët shqiptarë?

Çfarë fitojnë shqiptarët prej shqiptarëve përveç mjerim, si në Shqipëri e në Kosovë.

Po cili është dallimi mes pushtuesve të huaj e pushtuesve shqiptarë, përveç që serbët na vrisnin e shqiptarët 'kur nuk mund t'i fshehin gjurmët e vrasjeve', i falin vrasësit tanë.

Çfarë satisfakcioni na qenka futja në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e Ali Ahmetit, i cili nuk ia lëshon udhën maqedonit më të keq kur bëhet fjalë për shqiptarët.

Do me thënë neve u dashka me na mjaftu veç me qenë shqiptarë.

U kënaqëm ne qe 20 vjet me 'pushtuesit' shqiptarë që s'kanë lënë gjë pa vjedh e pa shkatërru.

Ose atje në Shqipëri, cili pushtues ua ka shitur detin e tyre grekëve, përveç ata vetë, shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, që e shesin edhe detin e tyre. Janë kriminelë.

Nejse, Edi Rama ia ka uruar ditëlindjen Behgjet Pacollit, së paku këtë kontribut për historinë kombëtare e ka bë në karrierën e tij politike, mos i qoftë për kob.

Plus bustin në Sarandë ia ka bë befasi për ditëlindje (si Merllini John Kenedyt tortën...s'e puthshe Pacollin edhe ti, s'ka gajle)...se Pacolli si Mojsiu e ka ça detin Jon, për midis.

Pra, shqiptarët këqyrin me hy edhe në histori me pare. Por, në histori hyn veç i vdekur.

Këtu është problemi. Në histori jeton vdekja....E kur hyn për së gjalli-të mashtrojnë.

Kur hyn përnjëmend-s'e sheh.

Jetë e padrejtë.

11. Pra, siç thashë më lart, çka ka rëndësi që janë shqiptarë!

As zemra vërr nuk më bën për që shqiptarët e Ali Ahmetit u futën në qeveri si 'mushki llogor' krejt burra.

Shqiptarë më 'të mirë' se këta të Ali Ahmetit nuk lyp as Zaevi që mendon se "shqiptarët nuk vlejnë pesë pare".

12. Ai shqiptari i Malit të Zi, prej të cilit kinse po varet e ardhmja e Malit të Zi, bile ish simpatik.

13. E antipatik më i madh se Armend Zemaj sot e ke zor me gjetë.

Ministria e Shëndetësisë, po e vazhdon biznesin me vdekjen dhe sëmundjet e shqiptarëve.

Veç me konstatu a je i infektuar kushton 200 Euro, lëre më m'u shëru.

200 euro një test 'elitar' në vendin më të varfër në Evropë.

Jo Ministria e Shëndetësisë, por Ministria e Dergjës kombëtare, në shërbim të tregtisë me jetët e njerëzve.

S'e kuptoj pse nuk hetohet Armend Zemaj për krim kundër shëndetit publik.

P.S. Unë për vete po ndjehem si Tolstoy kur në pleqëri e mori një vendim dramatik, e la pasurinë, iku nga shtëpia, dhe u nis m'i dhënë fund vuajtjeve të tij në manastir.

Por për dallim prej tij që priste takim me Zotin, i cili kurrë nuk ia 'tregoi' shkakun e vuajtjeve të tij, unë e di shkakun e vuajtjeve të mia, dhe jam duke e pritur Albinin.

Se është i vetmi politikan i pakorruptuar.

Dhe, në këtë kohë pa bereqet, e që po kalon shpejt, ky është fat i madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat