Ministri të caktuara, nuk i zbatojnë vendimet e Qeverisë për mbrojtje nga Covid-19!

Opinione

Ministri të caktuara, nuk i zbatojnë vendimet e Qeverisë për mbrojtje nga Covid-19!

Nga: Jusuf Bytyçi Më: 31 gusht 2020 Në ora: 18:25
Jusuf Bytyçi

Edhe muaji gusht, krahas korrikut, në Republikën e Kosovës, diku më shumë e diku më pak, është karakterizuar me gjendje goxha alarmante sa i përket pandemisë Covid-19. Krahas numrit të lartë të rasteve pozitive me Covid-19, edhe numri i rasteve me fatalitet, ishte i lartë dhe shqetësues. Shih, për këtë, institucionet Shtetërore kompetente të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkërendim e bashkëveprim me Institutin Kombëtar të Shënfetit Publik dhe MSH-në, kanë ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit, duke reduktuar stafin në institucione. Por, a po zbatohen këto vendime në praktikë?! Burimet tona nga Ministri të ndryshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pohojnë se aty-këtu, ministrat nuk po i zbatojnë vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilat kanë votuar edhe vet! Nga burimet tona, edhe sot, bëhet e ditur se Ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi, është një nga ministrat e Qeverisë Hoti, i cili nuk po i zbaton vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbrojtje nga Covid-19, respektivisht për reduktimin e numrit të shërbyesve civilë në këtë kohë të gjendjes gjithnjë e më alarmante të pandemisë Covid-19, kur numri i të infektuarve, edhe i viktimave është shumë i lartë!

Burimi ynë, nga MTI, që thotë se punojnë çdo ditë pune normalisht me staf të gjerë, ka dërguar edhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë çështje.

Ndërkohë njoftimet tona nga Ministri dhe institucione të ndryshme në Kosovë, sqarojnë se me qëllim të parandalimit të infektimeve me Sars Covid-19, kryesisht po punojnë me staf të përgjysmuar, derisa në komuna, po sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jane të liruar edhe shërbyesit publikë nga mosha 60 deri 65 vjeç. Pra, ministrat duhet të jenë shembull i respektimit dhe zbatimit të vendimeve, për të cilat kanë votuar edhe vet! Grumbullimi i punëtorëve në zyret e tyre si në kushte normale, rrezikon seriozisht shëndetin e të punësuarve!

Do kujtuar se si pasojë e pandemisë dhe rrezikut të infektimeve, respektivisht përhapjes së Sars Covid-19, në Kosovë, pas vlerësimit të situatës dhe sygjerimit të IKSHPK e MSH, me vendim të MASHT-it, nga 13 Marsi, qe ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet, në çerdhe, nivele parauniversitare dhe atë universitar. Viti shkollor-akademik, pati vazhduar më vonë për të përfunduar përmes metodës online! Po, si pasojë e gjendjes ende shqetësuese, kur ka edhe viktima, Institucionet kompetente, MASHT-i, ndonëse më parë kishin vendosur që sidomos nxënësit e nëntëvjeçares, të kthehen në bankat shkollore më 1 shtator, kanë vendosur sërish shtyerjen e fillimit të Vitit të ri shkollor, për dy javë!

P.S. Faksimilet e Vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat