Fenomeni Dritan dhe Gjukanovicet e Ballkanit

Opinione

Fenomeni Dritan dhe Gjukanovicet e Ballkanit

Nga: Prof .dr.Avdi F.Smajljaj dhe Mr.Ali Hertica Më: 2 shtator 2020 Në ora: 19:48
Ali Hertica

Është e rrugës që ky reflektim të fillohet me këshillën për Dritanin, se futja në qeveri me partitë pro-serbe në Mal të Zi, nënkupton shtyrjen para të objektivave të federatës Ruse në Mal të Zi e Ballkan në përgjithësi. Ajo që dështoi të arrihet përmes Puçit të para disa viteve të mbështetur nga Putin, mund ti hapet rrugë që të realizohet me mjete politike nëse në Mal të Zi krijohet një qeveri pro-serbe. Në mes të fuqizimit të Rusisë në Ballkan përmes një qeverie pro-serbe në Mal të zi në njërën anë, dhe një qeverie që mundëson vazhdimin e politikave korruptive në krye me Gjukanovic në anën tjetër, Dritani do duhej të zgjedh të dytën, nisur nga parimi i së keqes më të vogël për nga konsekuencat në vend e rajon.

Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, sidomos mundësit e koalicionit, ndër të tjera, nxorën në sipërfaqen e opinionit publik në rajon fituesin e zgjedhjeve Dritan Abazovic. Duke mos e njohur personalisht e as karrierën e tij politike, rezultatet e zgjedhjeve, e sidomos ideologjia dhe partia që i takon në nivel Evropian, tregojnë shumë. Partia që ai përfaqëson, në nivel Evropian i takon partisë më parimore, më demokratike, e më emancipuese në Evropë, the Greens – të Gjelbërit. Rritja e mbështetjes së këtyre vlerave në Mal të Zi, e që do të ishte shumë e nevojshme edhe në vendet tjera të Ballkanit, tregon për nevojën e ndryshimeve në Mal të Zi e rajon.

Ndryshime për të arritur atë që ishte menduar e premtuar në fillim të tranzicionit, e që ende nuk ka përmbushur pritjet. Gjukanovici në Mal të Zi e Gjukanovicet tjerë në vendet tjera të Ballkanit ishin dhe janë akterët kryesor, qoftë për të arriturat apo për ngecjet në këto vende. Statistikat, raportet, e studimet tregojnë se në këto vende nuk u arrit ajo që fillimisht u mendua, zhvillimi i vlerave e institucioneve demokratike e liberale. Dhe për këtë të parët që duhet të fajësohen janë Gjukanovicët e Ballkanit. Tre dekada ngecje në zhvillim të demokracisë e liberalizimit, kanë shndërruar Ballkanin në mundësi për rritjen e ndikimit të fuqive jodemokratike e joliberale, përfshi Rusinë në këtë rast, e cila ndër të tjera synon rritjen e ndikimit në këtë pjesë për ti shtuar muskujve të saj në arenën globale, dhe për të minimizuar rolin e fuqive demokratike si SHBA e BE.

Nga kjo premisë, futja e Dritanit në qeveri pro-serbe kërcënon direkt zhvillimet pro demokracisë e liberalizimit në vend e rajon. Por, edhe politikat e qasja e papërgjegjshme e e çoroditur e Gjukanovicëve të Ballkanit, që kanë penguar zhvillimin e vlerave demokratike e liberale në këto vende, e vështirëson lidhjen e Ballkanit me botën demokratike e liberale, përderisa mungon zhvillimi i këtyre vlerave në shoqëri që është e domosdoshme, për një lidhje të qëndrueshme të vendeve e shoqërive tona me botën demokratike e liberale.

Megjithatë, një qeveri por-serbe do të ishte edhe më e rrezikshme. Në një vend ku rezultati i përqindjes së forcave në referendumin për pavarësi ishte shumë i ngushtë, e që tregon një qëndrueshmëri jo aq stabile të vet pavarësisë së shtetit, do të kanoste vet ekzistencën e Malit të Zi, dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit. Kjo do të ishte asgjë tjetër përveçse fitore direkte për Serbinë dhe Rusinë. Qasja parimore e të gjelbërve Evropian, dhe e Dritanit e partisë së Dritanit, në Mal të Zi e rajon, për emancipim demokratik e liberal, është e nevojshme të pasurohet me njohjet për ambiciet gjeopolitike në rajon të fuqive jodemokratike si Rusia. Anashkalimi i këtij fakti në Mal të Zi e rajon nga të gjelbërit mund të konsiderohet si naivitet në politik, i kushtueshëm madje për vet vlerat që përfaqësojnë të gjelbërit.

Fati i demokracive të ish-Republikave Sovjetike nën ankthin e vazhdueshëm nga Rusia, do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm për të gjelbërit Evropian, kur kanë të bëjnë me rastet ku ambiciet Ruse janë të përfshira.
Kjo nuk do të duhej të merrej si komoditet nga Gjukanovici e Gjukanvicet e Ballkanit, por do të duhej të ishte alarm për ndryshim kursi e qasje, drejt asaj që ishte menduar fillimisht, demokracisë e liberalizmit. Përndryshe, rrezikojmë më shumë se kurrë të humbasim madje edhe këtë lloj demokracie ku e mira publike shihet jo më shumë se kumbulla kopshti të stërgjyshit të Gjukanovicëve të Ballkanit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat