Fitore e paralajmëruar dhe e pamerituar e Serbisë

Opinione

Fitore e paralajmëruar dhe e pamerituar e Serbisë

Nga: Xhevat Mustafa Më: 7 shtator 2020 Në ora: 07:13
Xhevat Mustafa

Duket dhe shprehet se ne si komb e kemi traditë të moçme të fluturojmë me presh në...b...! Ose që një xixëllonjë ta pandehim për diell e yll! Përafërsisht kjo po ndodh edhe me vlerësimin euforik, deri në dehje dhe eskstazë, të “marrëveshjes së 4 shtatorit 2020” në Uashington. Jo pak nuk i kanë përmbajtur edhe superlativat, duke e vlerësuar si ‘takim historik”, si “fitore historike për Kosovën”. Por, edhe duke u ndjerë borxhlinj të mëdhenj dhe mirënjohës të pamasë ndaj Donald Trumpit, Rixhard Grenellit, Jared Kushnerit…, deri aty sa t’i vërsulen me fjalor fyes kujtdo që ka rezerva, vërejtje, kundërshtime për marrëveshjen, skenaristin, regjisorin dhe autorët e saj…Disas lënë përshtypjen se t’u kritikosh Trumpin sikur u ke sharë …babain… Për shumëkënd është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme përse e duan dhe e mbrojnë kaq shumë Trumpin, kur atë nuk e do, e kritikon dhe nuk e voton rreth gjysma e amerikanëve?! Edhe këta antitrumpistë janë antiamerikanë? Me shumë gjasa është atavizëm nga koha kur të kushtonte shumë shtrenjtë të flisje një fjalë të keqe për shokun Enver, për shokun Tito, për shokun Stalin, shokun Hrushov, shokun Mao Ce Dun...!!!??? Sipas logjikës së këtyre filotrumpistëve, të mos i duash, t'i kritikosh dhe të mos i votosh Edi Ramën dhe Hashim Thaçin na del...antishqiptar!!!??? Këtyreve do t’u këshilloja, që të mendojnë edhe se kryeministrat dhe presidentët e "vendeve aleate" nuk janë 100% njësoj për nga mendjet, zemrat, strategjitë, angazhimet, veprat, ekipet ..! Edhe se "dashuritë politike" nuk janë 100% njësoj, të sinqerta, jetëgjata dhe të besueshme, si shumica e dashurive të vërteta njerëzore! Të jem i sinqertë, individualisht apo subjektivisht, marrëveshja e 4 shtatorit 2020, më shumë më ka frikësuar se gëzuar! Mendoj se vlerësimi i saj me doza të larta euforie, mirëbesimi foshnjarak apo naiv dhe tifozllëku politik dhe presidencial, mund të na dëmtojë shumë për të kuptuar se çfarë kemi fituar dhe humbur realisht, më 4 shtator 2020! Jo për çvleftësim tërësor të kësaj marrëveshjeje dhe aspak për nihilizëm, por, për shmangie të euforisë e për të qenë sa më realistë, edhe për mua, fituesit më të mëdhenj janë individualisht Trump, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, Vuçiç dhe Serbia e tij, si dhe Avdullah Hoti, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Edi Rama...Pas tyre, edhe Palmer, Grenell, Kushner, Netanjau, Putin, Soros... Parë në interesin kombëtar, mua më shqetëson fakti se gjatë afro 4 viteve të presidencës Trump, Serbia dhe Vuçiç, ish ministri i informacionit i Milosheviçit dhe president i Serbisë, ndjehen "më ngrohtë" dhe jo si agresorë e si humbës në Uashington. Kjo nënkupton se janë vënë në pikëpyetje të dukshme fitoret historike të Amerikës së Bill Klintomit në qershor 1999 dhe të Xhorxh W. Bush, më 17 shkurt 2008. Nga dita e 4 shtatorit 2020, Trump, nëpërmjet mundësisë për dalje në Adriatik, në Shëngjin, ia nxiti ringjalljen e kësaj ëndërre të moçme Serbisë, "kones" apo “kukullës” së Rusisë!??? Është thjeshtë rastësi, "biznes politik" me copa sovraniteti dhe integriteti Kosove dhe Shqipërie...apo...shlyerje e.një pjese të borxhit presidencial ndaj Moskës?

Atyreve që mendojnë se ajo çka “futi në xhep”, në dosje dhe çantë Avdullah Hoti më 4 shtator 2020, me dorën e Trumpit, nënkuptohet të Grenellit, Kushnerit, Palmerit, e tj, është “një fitore e madhe për Kosovën”, do t’u përgjigjesha se në të vërtetë 4 shtatori përbën një fitore të madhe, të paralajmëruar 2-3 muaj përpara nga shumica e ne analistëve dhe plotësisht të pamerituar, për Serbinë dhe Rusinë. Për Kosovën dhe të gjithë ne shqiptarët si komb, mbetet të jetë një "fitorje", si të Enverit! Apo si “fitorja e Pirros” dhe “fitorja e Vaterlosë”.

Disa nga shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë, në komentet e tyre në rrjetet sociale e në media, e shikojnë dhe e gjejnë, duke u lumturuar, fitorezen e Kosovës, tek prezenca e SHBA-ve, nëpërmjet presidentit Trump në këtë takim. Sipas tyre kjo jep mesazhin se SHBA nuk e ka braktisur Ballkanin Perendimor dhe se pas kësaj marrëveshje mund të vërshojnë lumë investimesh amerikane”, kuptohet, për projekt-përrallat ekonomike, që do të realizohen në …kalendat greke.

Në këta rreth 28 vjet, gjatë presidentëve të mëparshëm, mbështetja, kryesisht politike dhe ushtarake amerikane për Shqipëri e Kosovë, ka qenë e ndjeshme dhe jetike. Gjatë presidencës Trump, në zbatim të strategjisë së tij të tërheqjes nga Evropa, Ballkani, Azia, çka favorizon Rusinë, e cila i zë shpejt zonat që braktisin amerikanët, kjo mbështetje, sidomos ekonomike, nuk është shprehur dhe ndjerë në nivelin e pritshëm. Në aspektin ekonomik, mbështetja amerikane për Shqipërinë dhe Kosovën, gjatë 30 dhe 20 viteve, sipas shifrave fare të freskëta, është disa fish më e pakët se ajo nga BE! Në kuadër të masave pandemike për koronavirusin dhe për lehtësimin e krizës ekonomike, Komisioni Evropian, më 20 prill 2020, akordoi 180 milionë euro hua për Shqipërinë. Po në kuadër të mbështetjes për lehtësimin e pasojave nga coronavirusi, SHBA-ja, njoftoi më 20 mars 2020 se do të jepte nga 1.1 milion dollarë për Kosovën e Maqedoninë, 1.2 milion dollarë për Serbinë dhe 700 mijë dollarë për Shqipërinë. Ndërsa, më 17 Qershor 2020, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, njofton se qeveria e SHBA ka akorduar një ndihmë tjetër financiare për Shqipërinë, për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit. Bëhet fjalë për 346 mijë dollarë shtesë të akorduara për qeverinë shqiptare përmes USAID, si pjesë e fondit 11 milionë dollarë të administratës amerikane për të ndihmuar vendet e goditura nga virusi vdekjeprurës.

Prandaj, jam skeptik edhe për miliardat dhe projektet që premton Trump, tani për tani, me shanse të pasigurtë për fitore të dytë. Ndërsa prania e presidentit Donald Trump në takim ishte më shumë investim paraelektoral i tij, si biznesmen i zgjuar dhe i suksesshëm! Sipas meje, prania dhe firma e Trump janë shtyrë më shumë nga interesi i tij për të fituar një dorë aksionesh politike dhe sa më shumë vota nga lobet serbe, ruse, hebraike, greke… në SHBA. Këto, si dhe “mbështetja e paidentifikueshme” e disa hakerave rusë, “të pavarur” nga Putin, mund ta ndihmonin për të përmbysur shifrat paraprake të anketimeve masive, që e nxjerrin si humbës në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, edhe para një rivali të dobët nga Partia Demokrate, si Xho Biden. Gjithashtu, do t’u kujtoja trumpistëve të flaktë se pas 2 muajve apo pas 4 viteve, në rast fitoreje, gjithsesi do të jetë ishpresident dhe qytetar i zakonshëm, si paraardhësit e tij të gjallë. Ndërsa, gjëmat shumëplanëshe, që mund t’i shkaktohen Kosovën nga “marrëveshja e 4 shtatorit” dhe nga firmat e Trumpit, të Vuçiçit dhe Hotit (apo Kotit), mund të jenë shumëdekadëshe apo të përjetshme. Me strategjinë e tërheqjes nga zona apo fronte luftrash të hershme e të reja, për të kursyer jetë ushtarësh amarikanë dhe miliarda dollarë për shpenzime ushtarake, Trump ka tërhequr shumicën e forcave amerikane nga Siria dhe ka lënë Asadin, Turqinë, Rusinë, ushtrinë antiqeveritare libiane, të gjeneralëve rebelë, Sorësët, mafian e tregtisë së armëve dhe të lumejve të refugjatëve dhe emigrantëve,...të bëjnë ç’të duan me armë dhe të përmbysin vendet e BE, sidomos Italinë, Gjermaninë, Francën, Shqipërinë...me refugjatë sirianë dhe libianë..Nga ana tjetër, pas indiferencës apo tërheqjes amerikane, janë forcuar ambicjet dhe ndikimi rus në Ballkan, sidomos nëpërmjet Serbisë, duke bërë sehir armatosjen e saj, sidomos nga Rusia e duke kërkuar copa të reja në Kosovë, pa reciprocitet në bisedime, siç i mbajnë iso edhe Pompey, Palmer, Grenell, Kushner, ambasadori amerikan Cosnet në Prishtinë ..Nënteksti është bërë i qartë qysh në fillim: atje ku tërhiqet Amerika apo Trump, e mbush shpejt boshllëkun Rusia apo Putin ..Logjikshëm shtrohet pyetja: këto janë tërheqje të pashmangshme apo "dhurata të detyruara" nga Trump për Putin?

Sipas meje, siç jam shprehur prej më se dy vjetësh, me strategjinë dhe politikat e tij, me veprime e mosveprime; me tërheqjen amerikane nga Evropa, sidomos Ballkani, Azia...; me kundërvënien dhe distancimin ndaj NATO-, sidomos Gjermanisë, deri aty sa të quaj Merkelin të çmendur, kur më shumë ngjan vetë si i tillë; me hapësirat dhe favorizimet për Soros; me lënien e Sirisë dhe të Libisë në duart e Rusisë; me braktisjen e protestave antiqeveritare në Venezuelë dhe lënien e saj në duart e Maduros e të Putinit; së fundmi, me "marrëveshjen pa marrëveshje të 4 shtatorit", e tj, pa apo me dashje, për naivitet politik apo borxh elektoral, Trump ka çuar ujë në mullinjtë e Rusisë. Fatkeqësi globale, për vetë SHBA, për ne si komb! Duke u shprehur hapur, me sinqeritet, prandaj unë dua shumë më tepër Amerikën e përjetshme se sa Trumpin e përkohshëm, e shumta, me vetëm 4 ose 8 vjet pushtet, biznesmen elitar, por jo politikan i "klasit të parë!" Pa qenë as internacionalistë socialistë, as nacionalistë fanatikë dhe shovenë, as globalistë, as filodemokratë dhe filoBiden, ne, kontigjenti publiçistik dhe politik, që kemi dhe shprehim rezerva, vërejtje, kritika, kundërshtime ndaj strategjisë dhe politikave individuale dhe familjare, nepotiste, filosllaviste të Trump, nuk jemi aspak antiamerikanë. Duket dhe shprehet se vetë Trump, me veprime dhe mosveprime, jep arësye të dyshohet dhe mendohet se në këto 4 vjet të qenies president i SHBA-së, i ka parë dhe përdorur emrin, flamurin, imazhin, plotpushtetshmërinë e vendit dhe të shtetit që përfaqëson, më tepër si biznes, si bizneset e tij të shumta, të moçme e të mëvonshme. Këtë përshtypje la dhe këtë punë bëri edhe në takimin dhe gjasme marrëveshjen e 4 shtatorit 2020! Si mund të quhet dhe pranohet si marrëveshje e ndershme, e drejtë dhe e zbatueshme ajo e 4 shtatorit 2020 në Uashington, kur për shumicën e çeshtjeve është e favorizuar dhe fituese Serbia? Kosova fitoi vetëm njohjen nga Izraeli dhe humbi shumë nga sovraniteti, integriteti, reciprociteti...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat