Dollapi i PD-së në dollapët e Sulltan Ramës

Opinione

Dollapi i PD-së në dollapët e Sulltan Ramës

Nga: Azgan Haklaj Më: 7 shtator 2020 Në ora: 08:18
Azgan Haklaj

Çdo ditë që kalon po me jep të drejtë për denoncimet e pushtuesve të PD për të cilët kjo forcë politike misionare kombëtare është ndëshkuar nga populli dhe ka dalë në opozitë, por ata e kanë mbërthyer si oktapod dhe nuk e leshojnë se duan ta përdorin si trampolinë për të fituar prapë pushtet, e për të fituar përsëri para.

Të gjithë u tronditëm kur mësuam nëpërmjet rrjeteve sociale për ortakëritë e krushqitë e udheheqësit të Partisë tonë Sahit Dollapi me pushtetarët e rilindjes për të mbushur thasët e tij më para, por nga ana tjetër ky djall bën engjëllin blu është vetëshpallur kadi e vali dhe ka uzurpuar komisionin e "baballarëve", urdhëron e investigon të gjithë procesin me luspat e tij dhe me ruspat e vet hedh sivitë e demokratëve në Lanë, madje duke i ironizuar ata që kanë qenë shtylla kurrizore, shpirti i qëndresës për mbrojtjen e vlerave të demokracisë .

Po kush është ky kadi, ky mbatharak, i cili veç të tjerash mburret si gjel se është sekretar organizativ i Partisë Demokratike.

Ai ka qenë sekretari i parë i rinisë në rrethin e Tropojës, jeniçer i përbetuar i sundimtarit të fundit në Malësinë e Gjakovës, sekretarit të parë të këtij rrethi z Rakip Balla.

Rrjedh nga familja e Hoxhë Dollapit, një personalitet i shquar i Malësisë së Gjakovës, pjesëmarres në kryengritje e kuvende të lëvizjeve kombëtare për çlirim.

 I njohur në trevat e veriut për fjalën e urtë e paqtuese.

Interpret brilant i të drejtës zakonore shqiptare.

Në shtëpinë e Hoxhë Dollapit gjetën strehë e mbështetje prijësit e lirisë së Kombit tonë Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, Bajram Curri dhe Azem Galica.

Sahiti që kujton se është akoma në kohën e Koçi Xoxes, si sekretar organizativ i partisë komuniste zgjodhi një rrugë tjetër nga paraardhësit e tij.

Në vitet 90- të u rreshtua pa hezitim në radhët e atyre baballaret e të cilëve  kishin tradhëtuar marrveshjet historike, Konferencën e Pezës, Marrveshjen e Mukjes e atë të Bujanit.

Në krah të atyre që kishin ekzekutuar Tafil Boletinin, Prek Calin, Jup Kazazin dhe nacionalistë të tjerë të shquar.

Ishte jeniçer i betuar i sekretarit të parë të Tropojës, i cili e shpërbleu me postin e sekretarit të parë të rinisë komuniste.

Pas viteve 90- të u rreshtua në Partinë e Skender Gjinushit dhe një ditë të bukur ky kamelaon ndërroj kostumin dhe ngjyrën e u bë demokrat i flaktë, kuptohet pasi u bë drejtor karburantesh në qeverisjen e parë të PD-së dhe drejtor keshi e ujësjellësi në qeverisjen e dytë. 

Gojët e liga thonë se  zhvati para me thasë, të cilat i përkëdhelte në orët e vona të natës ashtu si plaku Grande i Balzakut florinjtë e tij.

Dikush i rekomandoj t'i pastronte ato dhe ai nuk u mendua dy herë porositi dhe blue tragetin Alpet me një shifër të frikshme.

Po ku i gjeti paratë Adam Smithi i ekonomisë kur në vitet 90-të mezi blinte 2-3 byrekë, apo 2-3  petulla në mëngjezoren pranë zyrës së tij ?!

Pyesni ata që kanë kaluar në doganën e tij për një vend pune ?!

Pyesni sekseret e tenderave të tij ?!

Ky është valiu "ynë" bacaloku "jonë" i nëntokës që na bën si shenjtor.

Sahit Dollapi i ngjan atij hajdutit që pasi grabit shtëpinë e tjetrit hyn në dollapin e tij për tu fshehur nga i zoti i shtëpisë.

Tani së fundmi qënka fshehur në dollapët e rilindjes, ku ka marrë miliarda lekë si sipërmarres.

Po kësaj radhe qenka fshehur si struci dhe e demontuan keqas.

Kadiu blu e ka ngatërruar vehten me të ndjerin Bezhani.

Por plaku i nderuar kishte tjetër mision, pavarësisht se nuk ia doli.

Le të hapë Sahiti dosjen e tij të zëzë dhe të na tregojë cili është?!

Cili është misioni i tij i vertetë në PD përpara se të hedhë në Lanë e t'u verë ruspat e ujësjellsave të Tiranës sivive të kandidatëve të saj ?!

Ky Kim Filb ka mision të shkatërrojë PD- në.

Këtë e deshmuan shifrat e frikshme që kishte marrë si shpërblim nga pushteti i rilindjes ku është hipotekuar prej kohësh ky emisar i kmerëve të kuq, sherbëtor i sektit rilindas.

Demokratë të Shqipërisë, shiheni sa groteske paskan qenë skenarët e kundragazëve dhe shkopinjtë e gomës së hapadollapit.

Mbi gjithçka Sahiti "ynë" ka paranë.

Është e dhimbshme, tragjikomike, por koha po me jep çdo ditë të drejtë. 

Sado e hidhur të jetë e verteta duhet thënë.

Vetëm ajo të bën të lirë.

Demokratët e Shqipërisë e mësuan kush është kadiu blu, kumbari i rilindjes i fshehur në dollapët e saj, që aktronte si kllounët e cirkut në protestat e opozitës së bashkuar, por përfundimisht doli fallco, sepse e shitën.

Kësaj radhe le ta gjykojnë ata kadiun e kapur me presh në duar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat