Hapja e Ambasadës në Jerusalem, do ishte një gabim i rëndë diplomatik për Kosovën...!?

Opinione

Hapja e Ambasadës në Jerusalem, do ishte një gabim i rëndë diplomatik për Kosovën...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 7 shtator 2020 Në ora: 17:15
Jerusalemi - Kudsi

Qyteti i Jerusalemit është i lashtë, po aq sa janë të vjetër popujt semit të Lindjes së Mesme dhe Gadishullit arabik, është po aq i shenjtë për besimtarët e tri feve Abrahame, sikur për Jahudinjët, po ashtu për të krishterët ortodoks dhe katolik, si dhe arabët myslimanë dhe të krishterë, sepse është vendi i lindjes së shumicës së profetëve, që nga Abrahami (Ibrahimi) e deri tek Jesu-krishti (Isai), me përjashtim të profetit Muhamed (a.s.) i cili ka lindur në Mekke të Arabisë Saudite (571).

Për jahudinjët, alias izraelitet, Jerusalemi është një vend i shenjtë, gati hyjnorë, qysh para disa shekujve para Erës së re, pra nga koha e mbretit Salamon (profetit Sylejman) i cili ka ndërtuar tempuj të shenjtë në këtë qytet dhe i cili qytet në librin e shenjtë të Tevratit është përmendur 632 herë. Pra, është një qytet ku kanë jetuar dhe shërbyer profetë të shumtë, si Danieli, Jeremia, Davidi, Isaaku, etj., dhe ku kanë zbritur librat e shenjta, si Psalma, Teurati dhe Bibla. Këtë qytet populli izraelit e trajton si pronë ekskluzive të tyre, gjegjësisht si vend të shenjt që ua ka dhuruar nergut Zoti dhe i cili u takon vetëm atyre si popull ..!?

Këtu e kanë tempullin e tyre, “Murin e vajit”, i cili për izraelitët është vendi më i shenjtë ku ata i drejtohen Zotit për çfarëdo lloj lutjeje dhe dëshire, siç është edhe vendi i zbritjes së librit të shenjt Toras (Teuratit) në “Bregun e Shkëmbit”, pjesë kjo e qytetit e cila ka qenë objekt i konflikteve shekullore midis arabëve dhe izraelitëve, e që edhe sot vazhdon të jetë shkak i përleshjeve fizike dhe vrasjeve për shkak të drejtës historike mbi pronësinë e kësaj toke, ku po ashtu në këtë pjesë të qytetit gjendet xhamia arabëve mysliman, “Al-Aksa”, e treta për nga shenjtëria pas Qabes në Mekke dhe xhamisë së profetit Muhamed a.s. në Medine.

Për besimtarët e krishterë ortodoks dhe katolikë qyteti i Jerusalemit është i shenjtë dhe shpirtëror për shumë arsye, ndër më kryesorët, ngase në afërsi të këtij qyteti ka lindur Jesus Krishti (në Batlaham), i cili edhe është kryqëzuar në afërsi të qytetit dhe varri i tij gjendet brenda kishës ortodokse në qendër të qytetit, e quajtur Kapela e Isus Krishtit. Pra, për  ortodokset rus, grek, armen, etj. Jerusalemi është qytet dhe vend i shenjt, po aq sa për izraelitët dhe myslimanët.

Ndërsa, për arabët mysliman Jerusalemi të cilin arabët e quajnë “Al-Kuds”, është vendi i tretë për nga shenjtëria pas Qabës në Mekke dhe xhamisë së profetit Muhamed a.s. në Medine, ngase siç e cekëm më lartë në këtë qytet gjendet xhamia “Al-Aksa”, nga e cila profeti Muhamed a s. ka udhëtuar për në qiell, (Isra dhe Miraxh), andaj kjo xhami është e shenjt për besimtarët islam kudo në botë.

Në qytetin e Jerusalemit grupin më të madh fetar e përbëjnë jahudinjët, pastaj myslimanët, ortodoksët grek, rus dhe gjeorgjian, pastaj grekët, romanët, luterianet, anglikanët, armenët dhe etiopianët katolikë. Në Jerusalem ka 1204 Sinagoga, 158 kisha dhe 73 xhami, që siç dihet, është qytet i ndarë midis izraelitëve dhe arabëve që nga viti 1948, kur do themelohet shteti i Izraelit. Pjesa lindore është nën sundimin arabo-palestinez, ndërsa pjesa perëndimore nën pushtetin izraelit.

Për ta përshkruar gjithë historinë e përgjakshme të luftërave midis popullit palestinez dhe shtetit të Izraelit, qysh nga themelimi i tij në vitin 1948 me ndihmën e Anglisë dhe vendeve tjera evropiane, kërkon një vështrim shumë më të gjerë se sa një shkrim-artikull informativ gazetaresk, andaj më poshtë do sjellim vetëm disa pika kryesore që flasin për kërkesat e vazhdueshme të Izraelit që qyteti i Jerusalemit të jetë kryeqytet i këtij shteti, sikur dhe pse OKB-ja deri më sot nuk e ka aprovuar këtë kërkesë të tyre, edhe pse ka pasur shumë herë tentime të njëanshme nga zyrtarët izraelit që të njëjtin ta shpallin dhe bëjnë kryeqytet.

Siç dihet, me 29 nëntor 1947 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një vit pas themelimit të këtij shteti do nxjerr Rezolutën numër 181 (II) me të cilën Palestina do ndahet në dy pjesë, atë izraelite dhe atë arabe, ku 33 shtete anëtare do votojnë “PËR” këtë rezolutë, në mesin e tyre USSR, USA dhe Franca, 13 vota “KUNDËR”, në mesin e tyre 6 shtete arabe, 10 vota “të përmbajtura”, në mesin e tyre Britania e Madhe dhe Republika e Kinës. Por, një vit më vonë, me 1948, ministri i mbrojtjes së Izraelit, David Ben-Gurion, e nxjerr urdhëresën me të cilën i tërë territori i Palestinës hynë nën komandën ushtarake të Izraelit, vendim i cili në dhjetor 1949 shndërrohet në ligj nga ana e Knesset (Parlamentit), duke e shpallur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit me 4 Janar 1950, por deri më sot këtë status nuk ia kanë njohur shumica dërrmuese e vendeve të botës. Kështu që komuniteti ndërkombëtar faktikisht pjesën perëndimore të qytetit Jerusalem ia njeh të drejtën Izraelit që ta administrojë, ndërsa pjesën lindore ia njeh administratës jordano-palestineze, pra mbetet qytet i ndarë dhe OKB-ja asnjëherë nuk ka nxjerr deri më sot ndonjë rezolutë tjetër me të cilën ia njeh Izraelit të drejtën e bashkimit të Jerusalemit si dhe shpalljen e tij për kryeqytet.

Pra, shumë pak shtete në botë ia kanë njohur këtë të drejt qeverisë izraelite, ngase Jerusalemi shikuar në aspektin fetar është qytet i shenjt ndaj të cilit tri religjionet qiellore ushqejnë ndjenja e veçanta shpirtërore, të cilat së paku ndaj këtij qyteti duhet të jenë të barabarta për të gjitha besimet njësoi.

Po ashtu, me marrëveshjen e Camp-David-it të vitit 1978 Jerusalemi ka ngelur qytet i ndarë, sepse presidenti amerikan Jimi Karter, si mikpritës i takimit nuk arriti t’i pajtoi kryeministrin izraelit, Menachem Beginin dhe presidentin e Egjiptit, Anvar El-Sadati që Jerusalemi të bashkohet dhe shpallet kryeqytet i Izraelit, përveç pajtimit që pjesa e kufirit që ndanë Jerusalemin në dy pjesë të vihet nën mbikëqyrje të forcave të OKB-së, për ta siguruar qetësinë dhe penguar sulmet e forcave ushtarake të “Al-Fatah-ut” të udhëhequra asokohe nga lideri historik i Palestinës, Jaser Arafati.

Me ligjin për Jerusalemin, i votuar në Knesset me 30 korrik 1980, dy pjesët e qytetit do “bashkohen” dhe qeveria e Izraelit do e shpall prapë Jerusalemin për kryeqytet, të cilin ligj pala palestineze e konsideroi të papranueshëm dhe i cili do ishte pengesë e madhe për arritjen e paqes midis këtyre dy popujve. Ky veprim i njëanshëm i Tel-Avivit zyrtar do e nxis KS të OKB-së, që ligjin për Jerusalemin ta shpall in-ekzistent, pra ta anulojë, duke e nxjerr Rezolutën numër 478, me 20 gusht 1980, me të cilën detyrohen të gjitha vendet të cilat i kishin vendosur ambasadat e tyre në Jerusalem që t’i tërheqin në Tel-Aviv.

Asokohe, nga 45 shtete, 13 sosh i kishin të vendosura ambasadat e tyre në Jerusalem: Bolivia, Chile, Kolumbia, Costa Rica, Republika Dominikane, Ekuadori, Salvadori, Guatemala, Haiti, Holanda, Panamaja, Hungaria dhe Venezuela, ndërsa vendet tjera ambasadat e tyre i kishin të vendosura në Tel Aviv. Pra, 13-të shtete e respektuan rezolutën e OKB-së duke i rivendosur ambasadat e tyre nga Jerusalemi në Tel-Aviv.

Vlen të theksohet fakti, se në vitin 1988, PLO (Organizata për çlirimin e Palestinës) në krye me Jaser Arafatin do ta shpall Palestinën shtet të pavarur në territorin e saj, të cilën e njohën shumë shtete arabe, e që për botën perëndimore ky vendim ishte vetëm një fiksion politik, ngase PLO-ja nuk mund të ushtronte pushtet efektiv në gjithë territorin e saj, sepse pjesa më e madhe e tij ishte nën okupimin e Izraelit. Por as procesi paqësor i Oslos midis PLO-së dhe qeverisë izraelite i mbajtur për disa muaj në rrethana të fshehta, nuk solli ndonjë rezultat për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy popujve në luftë të përgjakshme për territore, ngase siç dihet shteti izraelit është themeluar duke pushtuar më shumë se gjysmën e tokave palestineze, luftë kjo e cila ende nuk ka përfunduar!

Në zgjedhjet e 29 majit 1996, Benjamin Netanjahu me votat e partisë ekstreme të djathtë, “LIKUD” me një shumicë të vogël do zgjidhet kryeministër i Izraelit, i cili do e ndryshon dukshëm politikën ndaj sigurisë së vendit të tij dhe vendeve fqinje arabe, si dhe duke vazhduar ndërtimin e lagjeve të reja të banimit në territoret palestineze, duke e prishur kështu procesin e bisedimeve paqësore me udhëheqësit palestinez, dhe mu për këtë shkak në maj të vitit 1998 Netanjahu me mocion mosbesimi nga Knesset do rrëzohet nga pushteti.

Është interesant të theksohet se Kongresi amerikan në vitin  1995 kishte nxjerr vendimin që ambasadën e tyre ta shpërngulin në Jerusalem, me arsyetimin se çdo shtet ka të drejt të vendos në mënyrë sovrane se cilin qytet do ta zgjedh për kryeqytet, por vendim i cili nuk është zbatuar asnjëherë, deri me ardhjen në krye të SHBA-ve të presidentit aktual Donald Trump, i cili me 6 dhjetor 2017 vendosi që ambasadën amerikane ta zhvendos në Jerusalem, vendim i cili me 14 maj 2018 është zbatuar në vepër. Ndërsa, dy ditë më vonë një veprim të njëjtë e ndërmori edhe Guatemala dhe Paragvaiji, duke i zhvendosur ambasadat e tyre në Jerusalem, por me urdhër të presidentit Mario Abdo Benítez, Paragvaji në shtator të vitit 2018 serish ambasadën e tij e ktheu në Tel Aviv.

Po ashtu, me 7 prill 2017 Rusia ishte vendi i parë në botë i cili njohu Jerusalemin perëndimor si kryeqytet të Izraelit, kurse në dhjetor 2018 qeveria australiane po ashtu do ta njoh Jerusalemin perëndimor si kryeqytet të Izraelit.

Edhe pse pozicioni i qeverisë izraelite nuk ka ndryshuar asnjëherë sa i përket statusit të Jerusalemit, është fakt se nga komuniteti ndërkombëtar janë pak shtete të cilat e kanë njohur Jerusalemin si kryeqytet, dhe, është për t’u habitur se si vendimin e presidentit D. Trump që ambasadën e SHBA-ve ta zhvendos në Jerusalem, partia e majtë radikale në Izrael “Meretz” si dhe disa diplomatë izraelit e kundërshtuan këtë vendim të presidentit D. Trump, sikurse edhe diplomati francez, Marc Pierini, me 10 dhjetor 2017, tha se BE-ja, “sa i përket statusit të Jerusalemit ajo nuk është unike, ngase disa shtete të Evropës lindore kanë shprehur “simpati” ndaj qëndrimit të Izraelit, që Jerusalemi të jetë kryeqytet i tij”..!?

 Madje, duhet theksuar faktin se Plani i presidentit Donald Trump, i quajtur “Plani i Lindjes së Afërt”, ishte befasi për shumë shtete, sepse Jerusalemin lindor e parashihte si kryeqytet të  Palestinës, si zgjidhje të konfliktit të gjatë midis Izraelit dhe Palestinës, pra ishte një plan real për të dyja shtetet për të cilin Netanjahu ishte i gatshëm të bisedonte, dhe në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje, udhëheqësit palestinez duhej ta njihnin dhe pranojnë ekzistencën e shtetit izraelit në tokat e tyre, gjë të cilën është vështirë të besohet se do bëjnë ndonjëherë palestinezët..!?

Vetë fakti se presidenti D. Trump, në të njëjtën kohë njohu Jerusalemin perëndimor si kryeqytet të Izraelit, ku edhe e vendosi ambasadën amerikane, ndërsa në anën tjetër e ftoi presidentin palestinez Mahmud Abbas që ta pranojë planin e tij për zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit, kjo gjë i nervozoi dhe i bëri palestinezët që t’i refuzojnë bisedimet lidhur me këtë plan, duke u thirrur në Rezolutën e OKB-së lidhur me shkeljen e të drejtave të popujve për vetëvendosje dhe formim të shtetit të pavarur.

Me 6 dhjetor 2017, BE-ja kishte përgatitur një Deklaratë të përbashkët me të cilën parimisht pajtohej me Planin e presidentit amerikan D. Trump, për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet, por Hungaria përmes vetos së saj e pengoi miratimin e saj, me arsyetimin se një vendim i tillë nuk është i nevojshëm, gjë që i nxiti disa vende të Evropës lindore që të mendojnë për bartjen e ambasadave të tyre në Jerusalem, duke e ftuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, siç bëri miku i tij, ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Antanas Linkevičius, që të merr pjesë në samitin e ministrave të jashtëm të evropian (BE), e që ishte hera e parë pas 22 viteve që një kryeministër izraelit ta vizitojë BE-në, duke e konsideruar këtë hap si “hapje dere” për Izraelin si dhe për një rol më aktiv të BE-së në gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit arabo-izraelit.

Duke reaguar ndaj këtyre veprimeve të BE-së, me 13 dhjetor 2017 në Stamboll do tubohen shefat e shteteve dhe kryeministrat e 20 vendeve islamike, anëtare të Organizatës islamike për bashkëpunim (OIC), pra samit i ftuar nga presidenti i Turqisë, R. T. Erdogan, për të dalë me deklaratë të përbashkët, se këto vende e njohin Jerusalemin lindor për kryeqytet të shtetit të Palestinës. Me këtë rast, presidenti palestinez, Mahmut Abbas, deklaroi se më nuk i njeh SHBA-të si ndërmjetësues në konfliktin e Lindjes së Mesme, dhe se do të përpiqet maksimalisht për anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB.

Meqë propozim-rezoluta për të drejtat e popujve për vetëvendosje e iniciuar nga Turqia në KS të OKB-së u bllokua nga vetoja amerikane, Turqia si udhëheqëse e radhës së Organizatës islamike për bashkëpunim (OIC) me 21 dhjetor 2017 parashtroi në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së Projekt-Rezolutën (A/ES-10/L.22) e cila u votua nga 128 shtete anëtare, 35 shtete u përmbajtën, 9 shtete votuan kundër, ndërsa 21 sosh nuk u deklaruan fare, me të cilën parashihej që statusi i qytetit të Jerusalemit të shqyrtohet në pajtim me Rezolutën e OKB-së të vitit 1980. Ndërsa, në mars të vitit 2019, kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, do deklaron se ambasadën e vetë do ta zhvendos në Jerusalem.    

Derisa përfaqësitë e tyre diplomatike shumica e shteteve, në mesin e të cilave Gjermania, Austria, Zvicra, Britania dhe Luxemburgu, etj., edhe më tutje i kanë të vendosura në Tel Aviv.

Si përfundim, pas shpjegimit dhe pasqyrimit që i bëmë më lartë rrethanave, qëndrimeve dhe raporteve të shumë shteteve në botë si dhe të vet shtetit izraelit, që kanë ndaj statusit të qytetit të Jerusalemit, ajo që vendi ynë, Republika e Kosovës, duhet të ketë parasysh pas njohjes së Izraelit të pavarësisë së Kosovës, sidomos ndaj kërkesës së presidentit D. Trump, që qeveria e Kosovës Ambasadën e saj ta vendos në Jerusalem, është fakti i pamohuar, se një akt i tillë, sado që është me interes të madh për vendin tonë, duhet të studiohet dhe analizohet mirë dhe me kompentencë të lartë politike dhe diplomatike. Duhet llogaritur patjetër në reagimet e mundshme që pas një akti të tillë mund të pasojnë nga vendet arabe dhe islamike të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ngase siç e pamë dje ishte Turqia mike ajo e cila doli me një reagim të rreptë kundër vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, reagime të cilat mund të pasohen edhe nga shumë shtete tjera, me rrezikun potencial që në momentin kur Kosova do e hapë ambasadën e saj në Jerusalem, shumë sosh do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe ky do të ishte dëm i pareparueshëm për shtetësinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe sovran, e cila si synim final ka anëtarësimin në OKB dhe Bashkimin Evropian(BE). (!?) 

Image
Harta që tregon ndarjen e tokave palestineze në dy shtete, Izraeli me të kaltërt dhe Palestina me ngjyrë të pezhë..
Image
Xhamia "Al-Aksa" në Jerusalem
Image
Kisha ortodokse në Jerusalem
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat