Kosova pranë marrëveshjes me Serbinë, një hap drejt bashkimit me Shqipërinë

Opinione

Kosova pranë marrëveshjes me Serbinë, një hap drejt bashkimit me Shqipërinë

Jak Simoni Nga Jak Simoni Më 8 shtator 2020 Në ora: 09:18
Foto ilustrim

Pas rënies së njëpasnjëshme të dy qeverive të fundit të Kosovës dhe pas dështimit të takimit të parë të planifikuar në Uashington, delegacioni i drejtuar nga kryeministri i saj arrin një marrëveshje të rëndësishme ne Shtëpinë e Bardhe në praninë e presidentit te ShBA. Qeveria e re e Kosovës e votëbesuar nga Parlamenti i saj i zgjedhur në mënyrë demokratike, në ndryshim nga dy qeveritë e mëparshme me qëndrime të ngurta në politikën e jashtme dhe me bindjen se Kosova është qendër e universit gjeopolitik, arriti një sukses të madh. Ndonëse nuk u arrit njohja si shtet, me këtë marrëveshje Kosova rikuperon në politikën jashtme, që për këtë shtet të ri është jetike. Jehona e kësaj marrëveshje ne mediat ndërkombëtare e beri më të njohur atë. Pavarësisht se kanë ndikuar motivet propagandistike elektorale, ShBA, të cilat ka qene më aktivet në luftën për çlirimin e Kosovës, po tregohet akoma më aktiv në zgjidhjen përfundimtare të problemit të saj; njohjen nga Serbia dhe për rrjedhoje pranimin në të ardhmen në institucionet e organizatat kryesore ndërkombëtare. Me zgjidhjen përfundimtare të problemit të saj hapet mundësia e bashkimit më Shqipërinë, duke bërë të mundur konsolidimin e një shteti shqiptar me influencë në Ballkan. Pasi të njihet nga Serbia, askush nuk mund të ndalojë bashkimin me Shqipërinë. Nuk do të ketë të dy presidentë që të mos u lejohet të shkojnë në Amerikë, por një vërtetë më zë që të dëgjohet jo vetëm brenda vendit, por në Ballkan, Evropë dhe më gjerë; do të ketë një gjykatë të lartë me gjyqtarët më të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës që të kenë kaluar vetingun, të cilët do të vendosin drejtësinë e munguar prej kohesh; një prokurori të përgjithshme me prokurorë që të kenë kaluar vetingun, të cilët do të dërgojë në burg grabitësit e pasurisë dhe të jetës së shqiptarëve; do të ketë një ministri të jashtme, kështu që ushtritë e zyrtarëve e diplomatëve nëpër konsullata, më shumë të Shqipërisë se të Kosovës që, në vend që ti mbrojnë, vazhdojë të ‘taksojnë’ emigrantet tanë, do të përgjysmohen. Ky do të jetë kurorëzimi institucional i një bashkimi që është bërë. Kosovarët janë vetë bashkuar me Shqipërinë. Këtë e kanë treguar vazhdimisht me pjesëmarrjet dinjitoze në art, kulturë e sport. Ata frekuentojnë vazhdimisht plazhet e Shqipërisë nisur jo nga shërbimi që marrin, ku shpesh keqtrajtohen dhe diskriminohen, por nga patriotizmi që i karakterizon.

E treguan në raste fatkeqësish si tërmeti ku Banka e Gjakut të dhuruar në Durrës u mbush me gjak të dhuruar nga kosovarët, të cilët arritën para nesh. Në arenën ndërkombëtare ka hezitim për të kërkuar gjënë më të natyrshme të mundur: konsolidimin e një shteti shqiptar me institucione të qëndrueshme në Ballkan që nuk frikëson askënd (Shqipëria që nuk ka mundur të mbrojë veten përbeka rrezik për të tjerët!) dhe nuk përben precedent për askënd, as për shqiptarët në Mal të Zi, as për shqiptarët në Maqedoni. Ata kanë pranuar opsionin, ndoshta më të leverdishëm, të ndërtimit të institucioneve të përbashkëta dhe po përparojnë drejt Evropës. Ata vërtetë do t’i gjejmë në Evropë. Të vetmit që mund të frikësohen janë ato që nuk duan institucione serioze shtetërore, dhe këto janë më shumë brenda këtyre dy shteteve tona se jashtë. Shqipëria dhe Kosova janë dy gjysma te ndara që platonikisht, por jo utopikisht në këtë rast, kërkojnë njëra tjetrën. Ky bashkim është më i domosdoshëm se kurrë, sepse niveli i besimit në institucione si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë është më i ulët se kurrë. Pa besim nuk funksionon shteti. Shpresojmë se në një të ardhme të shpejtë ne Uashington dhe ne Bruksel të firmoset bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat