Kombi mbi të gjitha

Opinione

Kombi mbi të gjitha

Nga: Delvina KËRLUKU Më: 8 shtator 2020 Në ora: 10:56
Delvina Kërluku

Një pjesë e mirë e shqiptarëve të Maqedonisë, duke bashkëjetuar me maqedonasit (dhe të tjerët), mendojnë se, dallimi i vetëm mes tyre është feja. Religjionet nuk e përcaktojnë kombin, por elementet identitarë janë gjuha, flamuri, traditat, zakonet. Disa e ngatërrojnë fenë me kombin, dhe këtu fillon moskuptimi. Edhepse këtu s’ka asgjë për t’u vënë në dyshim. Ne kemi tri besime dhe kjo nuk është as për t’u çuditur, as për t’u nënçmuar. Kjo është pasuri, si çdo pasuri tjetër kombëtare. Kjo veçori bile na bën të veçantë në botë. Jo vetëm pse i kemi tri fe, por aq më tepër kur në mes besimtarëve shqiptarë ka një harmoni (nuk duhet përdorur shprehja tolerancë), së cilës ia ka zilinë e tyre bota e qytetëruar. Ne shqiptarët e Maqedonisë, kemi bërë një gabim të pafalshëm, bile shumica akoma nuk është ndërgjegjësuar sa duhet, kur kemi hequr dorë nga trashëgimia jonë fetare, duke i mohuar kishat ortodokse dhe katolike, të cilat pastaj, bashkë me një pjesë të popullit, i përvetësuan të tjerët. Shkenca, e sidomos politikanët tanë, kanë përgjegjësi të madhe. Unë nuk kam lexuar akoma një shkrim-proteste si u mor kisha (ndërtesa) katolike shqiptare?! Përse përgjegjësi i saj nuk është shqiptar, por maqedonas?! Si u tret elementi katolik në Shkup, i cili ishte mjaft i fuqishëm në kohën e Mbretërisë SKS. Natyrisht që problemi më i madh është me shqiptarët ortodoksë, të cilët janë në numër të konsiderueshëm, por akoma nuk e pranojnë hapur përkatësinë kombëtare të vërtetë, atë shqiptare. Frika nga persekutime të ndryshme, tani më nuk paraqet ndonjë problem serioz. Pra, si duket, duhet të frenohen nga motive të tjera, siç është interesi, karriera, prosperiteti, apo mungesa e guximit t’ua thonë të vërtetën pasardhësve të tyre, para të cilëve e kanë fshehur të vërtetën e madhe. Ende në mjedise tona turku përjetohet si më afërt se shqiptari ortodoks, pra i jepet përparësi përkatësisë fetare. Turp e tmerr bashkë. Pasojat po i vuajmë e do t’i vuajmë. Mbetëm më pak në numër, varfërohemi më shumë, dhe më tragjikja, na dalin doresh faktet historike, me të cilat duhet luftuar para botës, në rast kontesti. Turqit, apo arabët, i kemi vëllezër feje, por jo vëllezër gjaku. Historia është nëna e të vërtetave, por ajo duhet të disponojë me fakte, e ne bëhemi mohues të fakteve tona, të historisë sonë! Ç’është kjo vetëvrasje historike. Përse e bëjmë dhe në emër të kujt? Në emër të kombit, jo. Për të mirën e tij, jo. Atëherë?!

 

Dhe fare në fund, duke mos dashur të bëhem anëtare kori, apo të mbaj anën e kësaj apo asaj pale, lidhur me çështjen e pllakës përkujtimore aty ku supozohet se ka qenë shtëpia e lindjes e Shën Terezës, imponohet pyetja: Përse ne shqiptarët nuk e shohim të vërtetën në sy. Përse i bishtërojmë asaj pa pasur edhe nevojën më të vogël. Kur dihet e vërteta se Nëna Terezë ka qenë e krishterë dhe është dorëzuar murgeshë me vetëdije të plotë, përse t’i mungojë kryqi prej të cilit ajo nuk është ndarë përjetë. E ka pasur simbol udhërrëfyes. Përse ne nuk na ka penguar kryqi te Fan Noli kryeministër, të na pengojë te pllaka e një shenjtoreje? Nuk na kanë penguar as presidentët, kryeparlamentarët apo kryeministrat e krishterë, si bie fjala Alfred Mojsiu, Pandeli Evangjeli, Simon Stefani, Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli, Fatos Nano, Pandeli Majko, Edvin Rama... Gjithashtu, as shqiptarëve të krishterë nuk u kanë penguar postet, ose famat e shqiptarëve musiliman (myftiu Haxhi Vehbi Dibra, kryetar në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë me Ismail Qemalin), bektashinj (Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta) etj, dhe kështu duhet të jetë, e të na pengojë fama e një shenjtoreje, poeteje, humaniste e përbotshme!!! Edhe përcaktimi SHËN, është dashur të jetë shënuar. Individë të rëndomtë, bota ka pasur me kuintalë, por shenjtorë fare pak. Ky përcaktim, ky titull i lartë, kjo mirënjohje hyjnore, ia rrit vlerat asaj, por dhe ne si bashkëkombës të saj. Ata që s’i kanë këto figura me famë botërore, i krijojnë prej mitesh dhe prej dylli, e ne që i kemi, i nënçmojmë, apo edhe më keq, i mohojmë. Duhet të këndellemi sa s’është bërë shumë vonë. 101 i lindjes së Shën Terezës është rast shumë i mirë të kthehemi kah e mbara. Më në fund, historia edhe mund të errësohet, të rishkruhet (siç u përpoqën serbët), por s’mund të zhbëhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat